Një ëndërr amerikane

Ëndrra amerikane, sipas James Truslow Adams, është një buqetë idealesh ku liria përfshinë mundësinë për prosperitet dhe sukses. Në këtë ëndërr hyn edhe Florin Krasniqi, por edhe Mikra Krasniqi.
Në Washington, në një pritje zgjedhore të organizuar nga rrjeti medial Politico, pak minuta pas mbylljes së votimeve në Bregun Lindor, po lexoja në njërin prej kompjuterëve të vendosur në sallë se si po e mbulonin ketë mega-ngjarje botërore portalet kosovare.
“Krasniqi: SHBA gjithmonë ka mbështetur strukturat kriminale”, ishte titulli i parë që më ra në sy. Paksa u qetësova kur më në thellësi të tekstit e pashë se kjo deklaratë kriminale nuk ishte bërë nga Kryetari i Kuvendit, që pa fajin e tij e ka mbiemrin e njëjtë.
Pothuajse në mënyrë klandestine i mbylla portalet në gjuhën shqipe.
M’u duk se e gjithë ajo turmë e entuziazmuar e lexoi, e përktheu dhe po priste tash sqarime prej meje.
M’u bë sikur po detyrohesha t'u thosha se ky që po jepte intervista të tilla ishte pos një i çmendur, përndryshe ne në Kosovë u jemi mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mbështetjen që i ka dhënë popullit tonë.
E ndjeja një dëshirë që të arsyetohesha dhe t’u thosha se simpatia jonë për SHBA'në, madje nuk është thjesht për interesa të ngushta dhe egoiste. Se, përkundrazi, pjesa më e madhe e qytetarëve të vendin tim mendojnë se SHBA mbështet kauza të drejta dhe jo struktura kriminale.
Dëshiroja t'u thosha atyre njerëzve të civilizuar dhe jashtëzakonisht të lumtur për fitoren e Presidentit Obama se çmenduria nuk është çështje e ADN've nacionale. Të tillë ka në secilin vend, dhe madje për çmendurinë eventuale të personit në fjalë kemi përgjegjësi të barabarta: Kosova e ka lindur, kurse SHBA e ka edukuar.
Pra, mos me shikoni mua! Ky është pasojë e sistemit tuaj. Në fakt, është vlerë e sistemit tuaj.
Pra, kisha dëshirë t'u thosha, se nëse unë po skuqëm prej një deklarate të tillë ju duhet të mburreni. Liria dhe demokracia që ju e mbroni me kaq fanatizëm nuk është një fushë ku do të rriten dhe do të zhvillohen vetëm personat prej të cilëve shteti pret shumë. Ketë mundësi do ta përdorin, për ta keqpërdorur edhe individë devijantë. Doja t'u thosha se a nuk i kanë keqpërdorur liritë dhe mundësitë që i japin Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe terroristët më të certifikuar botërorë, ata të Al Qeadës. Dhe të njëjtit më pas me agresivitet shtazarak u kthyen për ta goditur vendin e mundësive të tyre. Mirëpo, ju duhet të mburreni për ketë. Duhet të mburreni se në gjirin e juaj trajtohen njëjtë dhe pa paragjykime edhe qytetarët e Jemenit, edhe ata të Norvegjisë. Fakti që Krasniqi, një qytetar amerikan me prejardhje nga Kosova, lëshon raketa të tilla plot helm në drejtim të shtetit tuaj normalisht që është për keqardhje. Mirëpo ju gjithashtu, pikërisht fal tolerancës së sistemit tuaj, fal mundësive të pafundme të sistemit tuaj, i keni edukuar në gjirin tuaj edhe Behar Xharrën, Mikra Krasniqin, Ylli Bajraktarin, Avni Mustafën, e një armatë të tërë djemve produktivë nga Kosova. Pra ju që e votoni sot Obamën, e nesër dikë tjetër, nuk ju frikëson deklarata e Krasniqit, që t'i mbyllni dyert e juaja. Ju jeni të gatshëm që kohë pas kohe të paguani edhe çmimin e lirisë që e keni. Fakti që sot në Somali, Egjipt, Libi etj., prodhohen terroristë nuk ua dridh ju qerpikun që t'ua hapni mundësinë vashave dhe djemve të pafundmë afrikanë që të trokasin në dyert e ambasadave tuaja për një vizë. Jo vetëm qerpiku, por ju nuk u dridhet as dora kur e votoni djalin e një studenti nga Kenia. Sistemi i juaj mund të mos jetë sistemi më perfekt, por deri në shpikjen e një detektori që do të mund të depërtonte në mendjet njerëzore, kjo çfarë ju bëni është thjesht një ëndërr. Një ëndërr amerikane.
Jo që Mitt Romney do të ishte një zgjidhje e gabuar për t'u bërë President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Jo që Partia Republikane lëngon prej mungesës së mendjes së hapur. Madje është kjo partia që i ka hapur rrugë Amerikës për të qenë kjo që është sot.
Mirëpo, si njëri prej 7 miliardë qytetarëve të planetit tonë, u ndjeva jashtëzakonisht i lumtur që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sponsori më i madh i demokracisë botërore, edhe për 4 vitet e ardhshme do të udhëhiqet nga Barack Obama.
Autori është:
Deputet i PDK’së në Parlamentin e Kosovës.
Comments
Z. Buzhala eshte produkt i
Z. Buzhala eshte produkt i nje gazete "te pavarur" ne Kosove, aq te pavarur sa kur z. Thaci "fitoi" zgjedhjet, nga kjo gazete dolen 2 zv.ministra dhe 1 deputet.
Do bente mire qe para se te beje pro-amerikanin te beje pro-shqiptarin. Se interesat amerikane ka kush i mbron.
Nuk kam ndonje simpati te vecante per z. Krasniqi, po kur degjoj keys bilbilat e PDKse qe mundohen te vrasin cdo enderr nacionaliste shqiptare per hir te "integrimeve evropiane" e te tregtise se lire me Serbine, dhe nga ana tjeter japin leksione demokracie, atdhedashurie dhe zhvillimi, ndenje vetem neveri.
Edmond Dosti
NY
Add new comment