Mbi problemet e Kokëdhimës me gazetarët dhe shtetin

Dje e përditshmja sportive më e vjetër në vend nuk doli në treg. Me gjasa kriza financiare që ka mbërthyer grupin mediatik të Kokëdhimës po jep shenjat e veta. Edhe pse besoj se ajo do të ridalë sërish në treg, jam i bindur se problemet e mbijetesës nuk do të mbyllen. Kriza financiare ka shkaktuar nga ana tjetër probleme të mprehta me mospagesën e gazetarëve për disa muaj, gjë që i ka vendosur ata në një pozitë shumë të vështirë.
Pashë dje një reagim të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, një organizatë sindikale që mbron të drejtat e gazetarëve përballë punëdhënësve. E drejta e tyre dhe detyrimi ynë për të qenë në krah të gazetarëve në këto ditë të vështira nuk duhet të vihet në diskutim. Shumë reporterë dhe punonjës të administratës së gazetave, përveçse gazetarë, janë prindër, familjarë apo pjesëtarë të familjeve me shumë probleme ekonomike dhe kjo e rëndon situatën e tyre.
Por ajo që dua të theksoj është se jo vetëm sindikata e gazetarëve, por gjithë organizatat e lirisë së shtypit në Shqipëri, kur të ngrenë zërin për çështje të tilla, duhet të prekin thelbin e problemit dhe jo dukjen sipërfaqësore të tij. Kriza shpërtheu në sipërfaqe kur gazetarët ngelën për muaj të tërë pa rroga. Kjo është shfaqja sipërfaqësore e krizës. Thelbi i saj është se mediet e grupi të Kokëdhimës po vuajnë pasojat e një sulmi të lig dhe primitiv të qeverisë mbi medien kritike. Rreth 15 kompani biznesi të Kokëdhimës kanë falimentuar për shkak të gjobave marramendëse dhe sekuestrove të shtetit mbi to. Kryeministri prej vitit 2010 e ka bërë atë objekt të sulmeve verbale dhe financiare, me shpifje nga më monstruozet, duke e përfolur deri dhe halucinacione për raportet e tij me liderin e opozitës. Mjafton të shikoni një seancë parlamentare kur me një çakërdisje të plotë mendore kryeministri flet për një pikturë të Shagallit 250 mijë paund, që Kokëdhima do t’ia dhuronte Ramës për ditëlindje dhe broçkulla të tjera, deri duke përfolur dhe një notere që sipas halucinacionit të tij kishte firmosur marrëveshjen. Pas këtyre sulmeve verbale kanë pasuar sulme të papërfytyrueshme financiare mbi bizneset e tij deri në falimentim të plotë. E gjithë kjo është bërë se gazeta Shekulli ishte një gazetë kritike dhe një zë i besueshëm në qëndrimin përballë qeverisë së Sali Berishës. Koço Kokëdhima mund të ketë plot gjynahe si biznesmen dhe plot vese njerëzore, por ai nuk është ndëshkuar për këto. Është ndëshkuar se ka mbështetur një medie profesionale kritike me qeverinë. Dhe qeveria ka punuar natë e ditë bashkë me medien e saj mercenare të krijojë një situatë kolapsi për të, të cilës duket se po ia arrin.
Për këtë arsye sot askush nuk i ndihmon dot gazetarët e mbetur pa rroga, sidomos duke e kapur këtë çështje thjesht si punë rrogash. Drama e tyre është shumë e fortë dhe njerëzore, por ajo është një dramë që nuk zgjidhet më nga punëdhënësi. Gjendja në të cilën ai ndodhet e bën të papërshtatshëm për të qenë adresa e protestës sot. Shtypi shqiptar është një shtyp jo konkurrent dhe zhvillohet në një mjedis të pandershëm konkurrence dhe ky është problemi real që ka prodhuar Sali Berisha, duke i lënë të gjithë të varur tek ai. Gazeta ime është gazeta më e klikuar online, por siç e shihni nuk ka reklama pasi bizneset shpesh marrin porosi ose shantazhe nëse shfaqen në faqet e gazetës. Gazeta në print po për këtë shkak nuk ka asnjë reklamë dhe mund të jetë e vetmja gazetë në botë e tillë. Përpjekja për të kërkuar donacione nga qytetarët ka një përgjigje të zbehtë dhe për shkak të paranojave që kanë që Sali Berisha kontrollon dhe llogaritë bankare. Ndaj që t’i adresohemi realisht këtij problemi, duhet të themi qartë se qeveria po falimenton medien kritike dhe po lë gazetarët rrugëve. Ky është lajmi real që prodhohet nga kriza e medieve të Kokëdhimës.
Problemi i dytë është se si të zgjidhim pastaj problemin operativ me gazetarët e papaguar dhe ristrukturimin e këtyre mediave. Kjo është një përgjegjësi reale e botuesit. Që të përballojë këtë krizë, ai duhet të bashkëpunojë me gazetarët si partnerë dhe jo si pronarë. Ata duhet të kenë qartë vendin ku punojnë dhe qëndrimin e gazetës. Kur u gjendëm në një situatë të tillë dy vjet më parë, kur Berisha rrethoi me policë zyrat e gazetës dhe mban akoma aty të ndryshkur shtypshkronjën me një vlerë mbi 300 mijë euro, ne u detyruam të riorganizohemi me një trupë shumë të redaktuar gazetarësh me rroga të vogla dhe me përparësi gazetës online, e cila ka më pak shpenzime. Kjo natyrisht është një situatë mbijetese, por nëse do të jesh me këmbë në tokë, këtë situatë mund ta përballosh vetëm me këtë lloj modestie. Premtimet për rroga të majme për të imituar medien qeveritare, luksin e tepruar dhe arrogancën e biznesmenëve shqiptarë, duhen lënë mënjanë nëse flasim për të mbijetuar si medie kritike me Berishën. Ndaj dhe në qëndrimet publike ndaj kësaj krize duhet së pari t’i adresohemi shkakut të saj, që është Sali Berisha, dhe pastaj mënyrës se si duhet t’i mbijetojmë kësaj krize. E trajtuar si një hall gazetarësh të mbetur pa punë, nuk bëjmë asgjë tjetër veçse i bëjmë fresk fitoreve të Berishës kundër medies kritike. Ajo që ai do të bëjë është pikërisht të fusë në kolaps medien kritike me të.
Së fundmi dua të them se këto lloj krizash, sidomos përballjet shkatërruese nga ana financiare me pushtetin, në fund të fundit janë dhe një filtër për të provuar mbijetesën në shtypin shqiptar. Gazetarët ndoshta më të mirë shqiptarë sot gjenden ose pa punë, ose të margjinalizuar nga mediet kryesore dhe po përpiqen të mbijetojnë me projekte të vogla personale. Media online po bëhet ngushëllimi i tyre i fundit, por të mbetur pa pare dhe të shpërndarë ata kam frikë se do ta humbasin dhe këtë ofertë të mrekullueshme të teknologjisë përballë regjimeve të tilla si ky i Tiranës. Disa media të reja online po formojnë personalitetin e tyre. Respublica e Mustafa Nanos po mbijeton dhe po i jep qetësinë e duhur gazetarëve të thonë fjalën e tyre. Tema me shumë vështirësi, por po mbijeton. Shqiptarja.com, edhe pse me më shumë mundësi financiare se ne të tjerët, po ashtu po avancon. Disa site online të reporterëve të rinj si Lajmi i Fundit, Ama News apo NOA, janë aktive. Nuk është koha për tu ankuar si njerëz të ngelur pa punë përballë një regjimi të lig dhe primitiv siç di t’i bëjë Sali Berisha. Është koha që gazetarët, të cilët po e pësojnë prej politikave të tij, të bëhen veç të tjerash qenie aktive dhe t’i kundërvihen shkakut të kësaj krize me fuqinë e tyre, qoftë dhe modeste. Është më mirë të luftojmë kot me të, se sa të rrimë kot duke pritur që ai të mos na marrë inat. Në momentin kur ke vendosur të shkruash një të vërtetë, dijeni se atë njeri e keni armik dhe do tentojë gjithë jetën tu lërë pa punë. Dhe jo vetëm ai.
Comments
Me Mero Bazen nuk jam dakort

Me Mero Bazen nuk jam dakort kur e analizon problemin e medias duke e ilustruar me shtypin e tij e te Kokedhimis, ndersa ne parim qe media opozitare ka probleme e sterkembesha nga pushteti e besojme...

Z.Baze cileson:"Koco Kokedhima mund te kete plot gjynahe si biznesmen dhe plot vese njerezore,por ai nuk eshte ndeshkuar per keto." Pse duhet besuar kjo ?! Edhe bizneset e tij si tonat do te kalojne ne siten e kontrolloreve te pushtetit, do te ndeshkohemi po patem shkelje ligjore (ka sa te duash ne kete informalitet) dhe do te zhdemtojme, se per arken e shtetit jane ne fund te fundit te cilat do t'u kthehen te gjitheve ne forma te tjera. Kokedhima po pati bere 'mekate' shume le te shpall falimentin e t'i nxjerr ne ankand bizneset; pasi jketo jane probleme te aftesise se tij administrative. Ketu mbaron kjo pune.

Ceshtja e medias eshte tjeter problem...Ne qofte se Kokedhima i ka krijuar mediat me deshiren e mire per te kontribuar ndaj pushtetit te katert vlen per t'u lavderuar, ndersa ne qofte se i ka krijuar per ti patur si 'shpate e mburoje' per interesat e veta nen 'vellon' e opozicionit perfundon ne kete situate. Editorin e ka vet ne dore , le t'a ndroje sic e ke ndruar edhe ti ate Temen e famshme...Pse kur medias i shkelen interesat personale te fitimit te na e beje ceshtje publike dhe te na kerkoje ndihmen per t'u solidarizuar, pa na 'hapur' nje here barkun e te na tregosh pse tallesh nje here sa shqepesh dhe pastaj thua jam i sinqerte? Pse i keni tregetuar konsumatorit mall' fallco' dikur dhe tani e keni 'te virgjer'? Do kohe qe te krijohet besimi i humbur ne nje 'etikete'. Kjo per Ju. Per Kokedhimen; E shante pushtetin e shante per disa gjera qe ne opinion kishte te drejte por prapavija e tij ishte ekonomike, sepse shihte interesat e tij financiare. I bie Mero sikur te jemi ne nje rrugice dhe tu te shtron rrugen Rama se ke interesas perfitoj dhe une se kalon para meje,por jo qe te ta di per nder e borxhli, vetem sa per nje faleminderit. Duke humbur besueshmerine humbasin dhe reklamat.Shtypi nuk themelohet se do te marre 'bakshishe nga pushteti' por nga vetevetja.Media do ndare nga bizneset e tjera dhe sidomos ato qe i kane syte ne pronat e punet publike si Koco.

Kolapsin shtypit ja krijoni vet edhe pse ka dhene dhe jep nje te shtyre dhe pushteti.Megjithate ju te shtypit nuk e analizoni punen tuaj realisht, por ja hidhni fajin gjithmone 'hajdutit' ndersa 'rojen' tuaj e lini pa pergjegjesi. Beheni shtypin mall konsumi me cilesi qe te rritet kerkesa e tregetimi i tij.Ne te kundert mbylleni a shiteni ,le ta marrin ata qe jane me te zot ne 'menaxhim'.Pse i tembeni kesaj ?Mos valle fitimet kane qene te konsiderueshme?Te dy ju si media i dini mire keto se i keni provuar me qendrimet editoriale perfitimet.Kudo mbyllen media...Hidhini nje sy Greqise: Plot media print e audiovizive kane vene dryna.Por asnje media e krijuar nga grup apo individe gazetaresh te talentuar nuk ka rene pertoke edhe pse ju dridhen kellqet.

Me 15 biznese Koco dhe nuk u ka shlyer rrogat gazetareve?! Krim te madh ka bere...Por profesioni i gazetareve ka qene dhe nje cik i perkedhelur ne ambientet tona sepse jane publike, kane akses kudo, kane perfitime 'te zeza' per te shkruar ndonje arradhe sipas midese se dikujt apo per te sharre dike, sepse jane gazetare 'sherbetore' te politikes dhe jo gazetare te 'miletit' qe maksimumi per nje shkrim te mire nje kafe e raki te jep si shperblim. Ne fund te fundit nje profesion qe e zgjodhet vet dhe po vet mund ta ndrroni po qe se nuk ja shikoni hairin...Si shume jeni bere...'tym, qylym e kafe me gjym'...

Pushteti i katert do ndihme, por ne rradhe te pare te ndihmojne vetveten ata qe jane perfshire ne ate front, pastaj opinioni.

Keto jane mendimet e mia, qe te mos shkoj me tej...Te mos humbasim nocionin e' ngjyrave', edhe pse kemi dy sy te mos shohim vetem bardhe e zi...

Nganjëherë më vjen ti besoj

Nganjëherë më vjen ti besoj Schumpeter-it dhe parimit të shkatërrimit krijues.

Kshu është kur klientët e vërtetë të gazetës janë 15 bizneset e pronarit dhe jo publiku. Më vjen keq për ato familje që nuk paskan rroga nga disa muaj por nuk më vjen fare keq që bie një model i paqëndrueshëm (dmth bëj gazetë që të marrë tendera "pronari").

Prandaj dhe Edi Rama eshte ne

Prandaj dhe Edi Rama eshte ne nje vrapim te pandalshem per te rrezuar Qeverine sepse te gjithe ata qe e drejtojne dhe i kane dhene miliona deri dje - jane ne prag falimentimit dhe duam medoemos qe te marrin pushtetin politik per te rregulluar llogarite e tyre ekonomike.

Kjo tregon se sot mediat pro-qeveritare si KLAN/ABC etj, do te perfundojne ne rrugen e falimentimit sapo Edi Rama dhe KK ta marrin pushtetin.

Rrotacion horrash !

Add new comment