Lopë për t'u mjelë

Postuar në 20 Gusht, 2012 03:39

Shqiptarja njoftonte lexuesit për një zbulim të ri të Ekspeditës së Përbashkët Arkeologjike shqiptaro-franceze në Apolloni: një reliev të punuar në kockë.
Me këtë rast citohej edhe përgjegjësi i ekspeditës, Jean-Luc Lamboley, që vërente se “E veçanta e zbulimit është se është një punim i kualitetit të lartë në kockë, ku është fiksuar një skenë nga mitologjia greke. Ndoshta është i vetmi reliev i gjetur në kockë.”
Dhe pikërisht, gjithnjë sipas Lamboley-t, bëhet fjalë për “një skemë[?] mitologjike shumë [të] njohur ku paraqitet Heraklisi [pse jo Herkuli?] me topuz dhe Apolloni me hark.”
Deri këtu mirë. Problemi fillon me komentin që ia bën këtij lajmi gazetari formulues (i identifikuar si g.m), dhe që po e sjell këtu më poshtë [theksimi im]:
Kjo gjetje dëshmon shkallën e lartë të zhvillimit dhe qytetërimit ilir, si dhe misteret dhe thesaret që mbart ende të fshehura nëntoka e Apolonisë, - thonë arkeologët.
Qytetërimit ilir? Po kjo nga doli?
Dihet që Apolonia ka qenë qytet-ngulim grek në trojet ilire; sikurse dihet që objektet e zbuluara aty i përkasin, si rregull, kulturës helene.
Nuk përjashtohet aspak që në rrënojat e qytetit dhe në rrethinat të gjenden edhe objekte specifike të kulturës ilire, por gjetje të tilla do të përbënin, në vetvete, ngjarje.
Objekti ynë paraqet një skenë standard të mitologjisë greke, sikurse e përshkruan edhe arkeologu frëng. Nëse një objekt paraqet një skenë standard të mitologjisë greke, me heronj të këtyre miteve; dhe gjendet në një qytet të njohur si koloni greke, atëherë gjasat që ai t’i përkasë kulturës ilire, madje, për ta thënë me autorin e lajmit, “të dëshmojë shkallën e lartë të zhvillimit dhe qytetërimit ilir” janë fare, fare të pakëta.
Më saktë akoma – sikur një objekt i tillë të identifikohej si ilir, kjo të përbënte lajm shumë më të rëndësishëm sesa zbulimi i një bareliefi mitologjik në Apoloni.
Këtij avazi i bie edhe lajmi i botuar në MAPO, ku përmendet gjithashtu profesori Lamboleu, dhe pastaj theksohet se
Ky zbulim dëshmon se Apolonia ishte një qytet që e njihte shumë mirë mitologjinë dhe kulturën greke, madje edhe e ka kultivuar atë në zbukurimet artistike të qeramikës dhe kockave;
pa çka se profesori në fjalë, sikurse mbarë bota akademike, nuk besoj të kenë pasur gjë nevojë për dëshmi se “Apolonia ishte një qytet që e njihte shumë mirë mitologjinë dhe kulturën greke”…
Çfarë mbetet të na thonë tjetër tani?
Një tjetër faqe online, rtv21, i bën një interpretim tjetër fjalëve të profesorit të mjerë; i cili tani komentohet të ketë vënë në dukje se gjetje të tilla “dëshmojnë se Apolonia ka qënë një nga qytetërimet më të zhvilluara të kohës,” a thua se është fjala për Maya-t ose Dogon-ët.
Natyrisht, nuk mund të pretendosh standarde akademike nga faqe gazetash, që shpesh hartohen dhe redaktohen nga të rinj pa përgatitjen e nevojshme në fushat përkatëse.
E vetmja arsye që më shtyu të shkruaj për këto budallallëqe, është se pohime të tilla, për Apoloninë si dëshmi të shkallës së lartë të zhvillimit të ilirëve, ose si provë se atje njihej mitologjia dhe kultura greke, tradhtojnë faktin e trishtuar se vendin e dijes historike, në mendjen e njeriut të zakonshëm, të rrugës, e ka zënë gjysmë-dija kombëtariste, e kultivuar nga ideologë zelltarë, për të cilët gjithçka që fluturon është ilire.
Ka njerëz, të të gjitha kategorive, të cilët nuk arrijnë ta kuptojnë rëndësinë që ka, për lashtësinë e trojeve shqiptare, prania e qyteteve-koloni greke si Apolonia, përgjatë bregdetit të Adriatikut dhe të Jonit. Për këta njerëz, trushpëlarë nga propaganda dhe ndoshta pak naivë nga natyra, grekët e Apolonisë dhe të Butrintit nuk ndryshojnë aq nga bandat e Zervës; dhe se është detyrë patriotike, e çdo shqiptari, që t’i shporrë shkelës të tillë nga trojet tona, edhe pse bëhet fjalë për ngjarje dhe kultura të dymijë vjetëve më parë.
Njerëz të tillë duhet t’i studiojë dhe t’i ndihmojë psikiatria; ata vijnë në vështrim vetëm në qoftë se një kulturë sëmuret aq shumë, sa fillon t’ua vërë veshin; sepse në lëngim të rëndë e sipër, jermi i të marrit mund të japë sado pak shpresë.
Pa qenë arkeolog, por vetëm duke arsyetuar në bazë të njohurive që kam për lashtësinë, unë besoj se gjurmët dhe dëshmitë e qytetërimit ilir mund dhe duhen kërkuar në qendra të brendatokës, ose larg bregdetit të kolonizuar prej helenëve e sidomos larg qendrave të kulturës helene, si Apollonia, të cilat gjithnjë kanë pasur rrezatim asimilues.
Meqë ilirët nuk e shkruanin gjuhën e tyre (pa çka se jepnin e merrnin me helenët që e shkruanin greqishten gjerësisht), atëherë karakteristikat e kulturës ilire duhen deduktuar tërthorazi, dhe gjithnjë në ballafaqim me karakteristikat e kulturave të tjera bashkëkohëse: greke të lashtë para së gjithash, romake më pas, ndoshta edhe trake dhe kelte e kushedi edhe sllave më pas.
Përndryshe, gjetjet arkeologjike në Apoloni dhe kudo gjetiu, para se të vlejnë për t’u dhënë argumente kombëtaristëve, duhen përshëndetur si gjetje në vetvete, jo sakaq të përvetësueshme; ose si elemente që pasurojnë njohuritë tona për lashtësinë – dhe për mënyrën si jetohej në trojet ku jetojmë ne sot.
Për t’u shënuar se prof. Lamboley nuk është i panjohur për lexuesin shqiptar të mediave; para pak kohësh, me rastin e zbulimit të madh të bustit të një atleti romak po në Apoloni, ky arkeolog u citua gjerësisht të ish shprehur se:
[ky qytet] simbolizon kulturën, qytetërimin dhe shkallën e zhvillimit ilir në antikitet, madje në të ka shumë fije që e lidhin dhe hedhin dritë edhe mbi qytetërimin grek;
çka unë nuk e gjej të pajtueshme me çfarë thuhet në një një lajm të AFP-së në frëngjishte, gjithnjë me rastin e këtij zbulimi:
Ekipi i arkeologëve francezë dhe shqiptarë që gërmojnë atje po studiojnë si evoluoi Apolonia, nga koloni greke e themeluar në shekullin VII p.e.s. në ngulim romak të shekullit III e.s.
(Ilirët këtu s’përmenden gjëkundi). Vetë Lamboley i shpjegon AFP-së:
Kjo periudhë përfshin një mijë vjet histori dhe ne mund të studiojmë këtu si u transmetua qytetërimi grek, si evoluoi dhe u pasurua në kohët romake.
Duket sikur profesori u thotë autoriteteve dhe mediave shqiptare atë çfarë këto dëshirojnë të dëgjojnë prej tij…
Të njëjtin zbulim të bustit të atletit kryeministri shqiptar Berisha e vlerësoi, në atë kohë, si të jashtëzakonshëm, duke shtuar:
Vlerat e tij janë të jashtëzakonshme në rrafshin krijues, skulptural, artistik, në rrafshin historik, por gjithashtu janë akoma më të mëdha, si dëshmi e përjetësisë së kombit shqiptarë [...] të bazuar në vlera të qytetërimit perëndimor.
Edhe këtu, njëra palë i bie gozhdës, tjetra patkoit – Lamboley flet për evoluim dhe transmetim të qytetërimit grek, ndërsa kryeministri ynë për përjetësinë e kombit shqiptar.
Në historinë e vjetër dhe më pak të vjetër, ka pasur periudha kur shkenca dhe supersticioni kanë qenë haptazi në konflikt mes tyre. Është meritë e kombëtarizmit modern, veçanërisht në Ballkan, që ka arritur ta vërë dijen historike tërësisht në shërbim të supersticionit – pa e lejuar, në thelb, që t’i qaset sado pak së vërtetës.
Përndryshe, ky farë mistifikimi, që nis nga kryeministri dhe përfundon te ai stazhieri i thjeshtë që ia shton dy-tre rreshta lajmit në gazetë, për ta orientuar “ideologjikisht”, sidomos në këtë vit jubilar të 100-vjetorit të Pavarësisë; ky farë mistifikimi, pra, është simptomë e po atij parazitizmi që e shohim, dita-ditës, te shfrytëzimi i paskrupullt i pasurive natyrore, shitja e tokës për 1 euro, kapjet dhe zaptimet e pronës publike, dhënia e licencave për kumar, trafiku i ikonave, importi i plehrave, vjedhja e shinave të trenit, lulëzimi i basteve, prostituimi i motrave dhe i grave, dhe krejt obsesioni, në kufi të manisë, për t’u pasuruar pa mundim.
Kryeministri shqiptar ma konfirmoi këtë prirje për parazitizëm historik kur bëri thirrje, para pak ditësh, që historianët dhe njerëzit e kulturës të vlerësojnë – si figurë të rëndësishme këtë 100-vjetor të Pavarësisë – perandorin romak Konstantin, që ishte me prejardhje nga Dardania, si “burrin më të rëndësishëm në historinë e njerëzimit” (senza mezzi termini, thonë italianët).
Një nga masat e propozuara, në këtë kontekst, ishte që “ambasada jonë në Vatikan të marrë të gjitha kontaktet me Selinë e Shenjtë.” Aferim!

Nga "Peizazhe të Fjalës"

Comments

Submitted by matiani (not verified) on

Qortohen me te drejte gazetaret. Po kjo eshte si te qortosh anetaret e nje familje qe kryefamiljarin e kane te çmendur.

Mjere ne qe kryetarin e shtepise (Shqiperise) e kemi te çmendur.

Do ishte per t'u cuditur nese ne, te qeverisurit nga nje i çmendur, do te silleshim si normale.

Submitted by matiani (not verified) on

Qortohen me te drejte gazetaret. Po kjo eshte si te qortosh anetaret e nje familje qe kryefamiljarin e kane te çmendur.

Mjere ne qe kryetarin e shtepise (Shqiperise) e kemi te çmendur.

Do ishte per t'u cuditur nese ne, te qeverisurit nga nje i çmendur, do te silleshim si normale.

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.