Lidhja kineze e Shqipërisë

Postuar në 31 Korrik, 2012 12:04

Kina është përgatitur të rihyjë në Shqipëri, vetëm se kësaj here jo nëpërmjet një aleance ideologjike komuniste si në vitet 1960, por me investime ekonomike dhe premtime financiare. Ndërsa Kina zgjeron praninë e saj evropiane, Tirana ka nevojë të jetë e ndërgjegjshme se i dikurshmi ‘vëlla i madh’ ka për qëllim ta përdorë Shqipërinë në përfitim të interesave të tij strategjike dhe financiare pa kontribuar në mënyrë domethënëse në zhvillimin e vendit.

Kompania shtetërore e energjisë e Kinës ‘Sinopec’ po merr pjesë tani në tenderin për të blerë Albpetrolin dhe Ambasadori i Kinës në Tiranë po bën lobing fuqimisht për llogari të kësaj kompanie. Kjo ofertë më e fundit është pjesë e një strategjie afatgjatë të Pekinit për të zgjeruar lidhjet ekonomike dypalëshe, për të krijuar një zonë të tregtisë së lirë për investimet kineze dhe për të promovuar blerje të mëtutjeshme të burimeve energjetike të Shqipërisë.

Me rezerva të monedhave të huaja të vlerësuara në 3.2 trilion dollarë, një lidhje kineze mund të duket tërheqëse për Tiranën. Por zyrtarët dhe analistët kanë nevojë të shohin më nga afër ambiciet më të gjera të Pekinit dhe ç’vend zë Shqipëria në strategjinë e investimeve të saj evropiane. Vetëm atëherë mund të maten siç duhet kostot dhe përfitimet e pronësisë kineze në asetet strategjike të Shqipërisë.

Kina ka një sistem kapitalist shtetëror në të cilin industritë më të mëdha strategjike zotërohen dhe menaxhohen nga zyrtarët e emëruar nga qeveria për të promovuar politikat e jashtme dhe tregtare të Pekinit zyrtar. Ndryshe nga Rusia, Kina nuk ka aspirate perandorake të tejfryra në ndonjë pjesë të Evropës. Më saktë, politikat e saj vërtiten rreth tre komponentëve thelbësorë: përfitimi shtetëror, aksesi në tregje dhe përvetësimi teknologjik.

Qëllimi afatgjatë i Kinës është të shndërrohet në një superfuqi ekonomike që përfundimisht do t’ia kalojë Shteteve të Bashkuara. Ajo mbetet ekonomia me rritje më të shpejtë në botë dhe e dyta më e madhe vështruar nga GDP-ja nominale. Ajo ka shfrytëzuar recesionin global për t’u dhënë hua sasi të stërmëdha parash vendeve të tilla si SHBA dhe po korr kësodore dividente të majme. Duke dhënë hua para dhe duke investuar përtej detit, Kina kërkon të zgjerojë fuqinë e saj financiare dhe të lidhë vendet e shënjestruara në strategjinë e saj të zhvillimit të orientuar kah eksporti.

Gjatë dekadës së shkuar, Kina është transformuar në kombin më të madh tregtar në sajë të vëllimit të plotë të eksporteve. Megjithatë, partnerët e saj ankohen se Pekini nuk ofron akses të njëjtë tregu për produktet e huaja. Për shembull, ndonëse tregtia ndërmjet Kinës dhe Evropës Qendrore e asaj Lindore është rritur me 32 për qind vit pas viti gjatë dekadës së fundit, importet kineze në rajon ia kalojnë në peshë eksporteve për në Kinë.

Pekini gjithashtu pengon investitorët e huaj. Ndërkohë që BE-ja ka mirëpritur miliardat e dollarëve të investuara nga Kina, bizneset evropiane kanë patur terren të kufizuar. Prokurimet publike në Kinë janë gjerësisht të paaksesueshme për të huajt dhe asnjë entitet i jashtëm nuk mund të blejë asetet strategjike të Kinës. Në fakt, Komisioni Evropian ka hartuar rregullativa që lejojnë mbylljet në shenjë hakmarrje të tregut të BE-së të prokurimit publik si mbrojtje kundër përqasjes prej grabitqari që Pekini ka në rrafshin e investimeve.

Kina është e joshur nga Evropa Qendrore dhe Evropa Jug-Lindore për shkak të krahut të punës të lirë por relativisht të kualifikuar, por dhe për shkak se e sheh atë si një portë për në tregun e vetëm evropian dhe në teknologjinë e avancuar. Krahas kësaj, qeveria kineze është fokusuar gjithnjë e më tepër mbi blerjet në sektorin energjetik të Evropës, e shtyrë nga etja e saj e pashueshme për energji si një shtytës për rritjen ekonomike të Kinës. Globalisht, Pekini më tepër kërkon furnizime për ekonominë e saj në zgjerim, se sa të zhvillojë infrastrukturën energjetike dhe ekonomike të vendeve mikpritëse.

Orvatja e ‘Sinopec’ për të blerë Albpetrolin do të mbështetet me gjasë nga dy fonde të reja shtetërore. Kryeministri kinez Uen Zhiabao bëri të ditur se Pekini do të hapë një linjë kredie prej 10 miliardë dollarësh dhe një fond investimesh prej 500 milion dollarësh për të mbështetur kompanitë kineze që kryejnë investime të fazës së parë. Megjithatë, kjo nuk është një garanci që ‘Sinopec’ do të investojë përnjëmend fonde të konsiderueshme. Kompanitë që kërkojnë të trokasin në këtë linjë kredie kanë për të patur nevojë për të aplikuar në bankat shtetërore jo-transparente të Kinës dhe qeveria ka për të marrë vendimin përfundimtar mbi strategjinë e investimit.

Gërshetimi i përfitimeve të nxjerrshme, tregtisë së paekuilibruar dhe shfrytëzimit të pangopur energjetik duhet të ngrejë flamujt e kuq në Shqipëri, por jo ato të varietetit komunist. Investime kineze sjellin probleme shtesë për vendet mikpritëse. Për shembull, korporatat kineze këmbëngulin në importimin e një numri të madh të punonjësve të tyre për të jetësuar projektet, duke u mohuar kështu komuniteteve lokale vendet e punës dhe zhvillimin ekonomik. Pekini gjithashtu nënshkruan kontrata që përcaktojnë se pajisjet dhe lëndët e nevojshme për projektet të vijnë nga Kina, duke sjellë kështu stimuj të paktë për ekonominë vendase.

Dështimi i fundit në ndërtimin e një autostrade të rëndësisë së parë në Poloni ndërmjet dy qyteteve të Varshavës dhe Lodzit, i trumbetuar me të madhe si projekti më i bujshëm i Kinës në Evropën Qendrore, tregoi se kërkesat kineze shpeshherë bien ndesh me interesat ekonomike kombëtare. Shqipëria duhet të nxjerrë mësime nga përvoja e shteteve të tjera europiane dhe të gjykojë me kujdes kostot e pranimit në heshtje të strategjisë tregtare të Kinës dhe në veçanti, në të lejuarit e Pekinit të shtjerë në dorë një aset strategjik kombëtar të tillë si Albpetroli.

Mapo

Comments

Submitted by nik (not verified) on

bugajski  ne kete artikull shkruan :

"Kina ka shfrytezuar recensionin global per te dhene hua ne sasi te stermedha parash SHBA.....

Pra SHBA te marre hua,te kete lidhje shume te forta me Kinen,kurse shqiperia jo.

Keto me duken si ato keshillat qe :

"Beni si them une por mos beni si bej une"

Bugajski.Atehere thuaji amerikes ti jape ato para qe do jepte kina.

Submitted by Arbereshi (not verified) on

Kina kete radhe t'a mbaje per vete ideologjine komuniste, e te hyje mbare-mbare me investime e tregeti te dobishme ne Shqiperi. Tani ne Tirane te mos besojne me fjalet per veprat e Pekinit.Ne kohen e diktatures komuniste,Pekini i Mao Ce Dunit na thoshte "mos beni tregeti me Tregun e Perbashket Evropian,se eshte nje treg i mbyllur dhe armik i popujve dhe revolucionit" dhe per vete benin bisedime ne kulisat evropiano-perendimore per t'ia hapur Europes tregun  e madh kinez!" Ne,vend europian,ne zemer te Europes degjuam tam-tamet Pekineze dhe mbetem vetem me tregun kinez dhe vazhdonim t'a gjuanim me gure TPE-ne si armike.

Tani diversiteti ne tregeti eshte i dobishem e fitimprures,kur dallohet perfitimi dhe interesi i pergjitheshem nga ai personal, nepermjet tenderave te fshehte korruptive.Uroj qe firmat kineze te mos merren me mashtruesit dhe hajnine e Shqiperise!

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.