Bamir Topi ndoshta jo, por Presidenti meriton respekt

Mbase, në marrëdhëniet etike mazhorancë-presidencë, nuk e kemi prekur ende kulmin, por nuk jemi shumë larg. Parodizimet sarkastike, koloriti i epiteteve, adresimet pa minimumin e politesës institucionale, apo pasioni për të përdhosur në mënyrë totale, duket se janë kthyer në një lloj parafilie politike, ku epshi për të poshtëruar zhvendoset në mënyrë konstante nga emri tek institucioni. Pikërisht kjo po ndodh mes mazhorancës dhe Presidentit të Republikës, Bamir Topi.
Ose, për të mos i lënë gjërat pa emër, mes kryeministrit Sali Berisha e kryeparlamentares Jozefina Topallit nga njëra anë dhe Presidentit nga ana tjetër.
Në fakt, për nga dekadenca etike, një gjë e ngjashme nuk ka ndodhur më parë. Qoftë kundër ish-presidentit Meidani, qoftë kundër ish-presidentit Moisiu, goditja, edhe pse ka qenë agresive, i është përmbajtur sidoqoftë një lloj stili institucional. Sigurisht që edhe ndaj tyre kolera personale nuk ka munguar, por kjo, më së shumti, ka qenë me prejardhje nga mjediset mediatike pranë Partisë Demokratike të asaj kohe. Sot skenari është shumë më dramatik, sepse së pari, Partia Demokratike është një forcë në pushtet dhe së dyti, sepse kryqëzatën poshtëruese kundër institucionit të presidentit janë duke e udhëhequr drejtuesit e saj. Mjaftojnë vetëm dy shembuj, për ta përligjur këtë masakër etike.
Pardje, Kryeministri nuk iu përmbajt, as formalisht, rregullave të debatit publik me kreun e shtetit. Nuk aludoi (qoftë edhe si “horr bulevardi”) siç ka bërë disa herë, nuk iu përmbajt etiketës institucionale për ta sulmuar me titullin “President i Republikës”, nuk ironizoi me të madje as si “kryetarin e një partiçke”. Mbasi i ka përdorur të gjitha këto, që megjithatë kanë pasur një referencë institucioni, i drejtohet tashmë si “Bamiri”. Që në semantikën leksikale të rrugës do të interpretohej pak a shumë në këtë mënyrë: “ai legeni”. Kryeministrit, në këtë rast, i kërkoj ndjesë nëse unë interpretoj diçka të ndryshme nga ajo që ai ka në mendje, por a mund të imagjinohet, për shembull, që Mario Monti t’i drejtohet në një sallon publik para kamerave Presidentit italian me “Giorgio”, apo Angela Merkel Presidentit gjerman “Joachim”? Është e sigurt që Kryeministri e ka në majë të gjuhës përgjigjen: “po a mund të bëjë Presidenti italian apo gjerman ato që ka bërë Bamir Topi?”. Nuk jam i sigurt nëse ata do të bënin ato që ka bërë Bamir Topi (sipas mazhorancës), por sakaq jam i sigurt që, edhe sikur të bënin të njëjtat gjëra që ka bërë Bamir Topi, askujt nuk do t’i shkonte nëpër mend ta përçmonte publikisht kryetarin e shtetit. Aq më pak që ta shtynte sulmin kundër tij në kufijtë e banalizimit. Respekti për institucionin nuk do t’i lejonte kurrë.
Shembullin e dytë e ofron kryetarja e Parlamentit, për të cilën shpesh të krijohet përshtypja se e folura dhe e ofenduara janë saktësisht e njëjta gjë. Veçanërisht kur bëhet fjalë për kreun e shtetit. E dëgjova para pak ditësh në një intervistë dhe e mirëkuptova kur tha “nuk du as me i zanë emnin në gojë”. Mund të mos jem në një mendje me shumë nga arsyet e saj, por më duhet t’ia respektoj. Madje edhe prepotencën infantile brenda një formati televiziv. Bamir Topin ajo e konsideron kundërshtar të saj dhe jemi brenda etikisht “normales”, edhe kur ajo si Jozefinë e fyen. Paaftësia për të filtruar emocionet është humane. Mirëpo, t’i fshish emrin nga fjalori dhe t’i fshish link-un nga institucioni i Parlamentit të Shqipërisë, siç ka bërë kryeparlamentarja, nuk është e njëjta gjë. Madje janë dy gjëra të ndryshme, esencialisht të ndryshme. Nga të cilat, e dyta është istitucionalisht e padenjë, jashtë çdo dekori etik ndërinstitucional, ordinere. Rregullorja e Parlamentit, sipas modelit të parlamentit europian, që zonjës Topalli i pëlqen aq shumë ta recitojë, është vetëm një fiasko mburravece. Le të gjejë zonja Topalli ndonjë parlament në botën e qytetëruar që fyen deri në banalitet institucionin e kreut të shtetit. I cili mund të jetë “horr bulevardi”, “kooperativist”, “në prehrin e Edi Ramës”, “Bamir” etj. etj., por, në të gjitha rastet, është Presidenti i Republikës së Shqipërisë. I cili do të vijojë, ashtu siç e kërkon rregulli i demokracisë kushtetuese, të jetë i tillë deri në korrik të vitit 2013. Të cilin si Bamir mund të mos e duash, por si President i Republikës nuk të lejohet ta poshtërosh duke e banalizuar. Gjithmonë, nëse arrin të kuptosh se ç’është Republika!
Mapo
Comments
Shihni gazetaret e regjimit
Shihni gazetaret e regjimit (apo te Metes) qe edhe kur perpiqen te Jene kritik ndaj Bishes dhe Topalles se tij I kerkojne ndjese nese se Kane kuptuar drejt dhe gjoja e kupton injorancen dhe arrogancen e katundares nga Shkodra. Qofte edhe titulli I turpshem I ketij shkrimi duhet pare si perkulje dhe pershtatje ndaj regjimit
Add new comment