Balta e 67 mijë km katrorë

Postuar në 03 Dhjetor, 2012 04:36

Ai vazhdon të baltosë Ismail Qemal Vlorën, historinë, patriotizmin, qytetin e Vlorës dhe gjithë Shqipërinë.

Së fundmi, dëgjuam shtetasin Berisha të bëhet patriot. Nuk është hera e parë që flet për Kombin. Ka folur kështu edhe në vitin 1990, madje edhe më pas. Por, ndërkohë që fliste për genocidin serb në Kosovë, me anë të kontrabandës së naftës, kur ishte kryetar shteti, furnizoi makinën e luftës së Bulatovicit dhe Millosheviçit.

Tani flet për Prevezën, por më parë u dha grekëve detin, u dha varrezat, censusin me baza etniko-fetare, ndryshimin e kombësisë së mijëra shqiptarëve në grekë, emërimin e 3 ministrave nga minoriteti grek. Në kohën e qeverisjes së tij së dytë, grekët kanë arritur më shumë se ç’do të ëndërronin edhe vetë ata! Grekët, edhe po t’i pyesësh, nuk dinë çfarë duan më prej Shqipërisë. Edhe serbët janë në pozita komode. Në 8 vitet e qeverisjes së Berishës, ka lulëzuar biznesi serb në Tiranë.

Me fjalë, Berisha çirret për kombin, e me vepra bllokon çdo nismë për bashkim. Ai bllokoi personalisht interkonjeksionin me Kosovën, duke lënë 500 milionë euro në dorë të biznesit serb. Luftëtari madh antikorrupsion, akuzon për korrupsion bankat gjermane që po financojnë interkonjeksionin!!!!

Sali Berisha, si patriot part-time, nuk është i vetmi. Edhe kryeministri para tij, Fatos Nano, puthej me Milloshevicin nga njera anë dhe fshinte lot për Kosovën nga ana tjetër. Ishte ai që u kërkonte shqiptarëve në Kosovë të shihnin Beogradin si kryeqytet. Dhe në atë kohë, Berisha çirrej, po ashtu si sot, për tradhti kombëtare!!!

Fatkeqësisht, ka një histori të tërë të liderëve politikë në Shqipëri që janë sjellë si servilë të pështirë qoftë ndaj Beogradit, e qoftë ndaj Athinës!

Enver Hoxha kishte frikë nga Beogradi dhe letrat e tij për Miladinin tregojnë jo vetëm kompleksin e inferioritetit, por edhe gjurmët e tradhtisë. Për pushtet personal, Hoxha e shiti Kosovën. Më pas, lëshonte lot krokodili për të. Për pushtet personal, kërceu sa nga Beogradi në Moskë e deri në Pekin.

Për pushtet personal, Ahmet Zogu firmosi me Pashiçin, që ai ta kthente në fron. Ndërsa eshtrat e Esad Toptanit janë ende sot në varrezat serbe.

Fatkeqësisht, një pjesë e tyre kanë mbajtur flamurin e patriotizmit kryesisht tek shqiptarët që jetojnë përtej 28 mijë km katrorë të Shqipërisë së vogël dhe i fundit i tradhtarëve po tenton të kalojë çdo kufi në marrëzinë e tij. Ai ka vendosur të udhëtojë sërish drejt Vlorës, por me një ndryshim nga data 28 Nëntor. Këtë radhë nuk ka ndërmend të sfidojë Vlorën dhe historinë, por të dhunojë ikonën e paprekshme të shqiptarëve. Ai është i vendosur t’i zërë vendin në kohë, hapësirë dhe histori njeriut i cili i mbijetoi të gjitha regjimeve, pikërisht Ismail Qemal Vlorës. Për ta çuar poshtërimin e tij deri në fund, ai ka vendosur të ndyjë ato ndenjëse të Pavarësisë, me 14 fytyrat e tradhtisë. I kompleksuar nga krahasimi historik i një shekulli diferencë që kanë profilet e kabinetit të tij me ata të Ismail Qemal Vlorës, ai po shkon të bëj sërish “patriotin”.

Pas 100 mashtrimesh, premtimesh të pambajtura, apo aferash antishqiptare, ai po e ndjen fundin e tij politik dhe po përpiqet të mos ikë nga kjo botë si njeriu me vulën e tradhtisë, por me atë të patriotit të vonuar.

Vlora dhe gjithë Shqipëria, pas 100 vitesh, ka para syve të saj dy akte të dy qeverive – asaj të një shekulli më parë dhe kësaj të sotmes. Firmëtarët e atëhershëm janë shndëruar në ikona dhe nënshkrimet e tyre sot janë obelisku i aktit të pavarësisë. Firmëtarëve të sotëm nuk u gjen as nam e as nishan në nënshkrimet e tyre për atdheun dhe marreveshjen e dorëzimit të 350 km2 shtetit grek. Të dyja janë akte, po i pari është akti i pavarësisë dhe i dyti është akti i tradhtisë. Ata mund të fshehin dorën dhe të ulen në shtëpinë muze, por ata nuk mund të grabisin integritetin, vlerat, kulturën, dinjitetin, moralin dhe patriotizmin e themeluesve të shtetit shqiptar.

E përbashkëta e Esad Toptanit, Ahmet Zogut, Enver Hoxhës, Fatos Nanos, Sali Berishës, është se, për pushtet personal, kanë shitur Kosovën, Iliridën, Çamërinë. Ata thjesht kanë tradhtuar çështjen kombëtare. Dhe më keq se Esad Toptani, Ahmet Zogu, Enver Hoxha, e Fatos Nano, ky i fundit, Sali Berisha, jo vetëm e shet çështjen kombëtare, por hiqet edhe si patriot i shqiptarëve në rajon.

Po të gjykohet nga fjalët, Berisha meriton dekoratat më të larta. Po të gjykohet nga veprat, nuk i del për ta mbuluar as balta e 67 mijë kilometra truall ku jetojnë në shekuj shqiptarët! Paraardhësit e tij janë mëse të pështirë, por Berisha, ndryshe nga ata, sa herë do të bëjë ndonjë tradhti, më parë bëhet patriot.

Po e sigurojmë se nuk ka më kohë për “tradhtinë e tij të fundit”!

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.