Ai baba jot nuk osht n’terezi, m’nigjo mu ça po t’them…

Dy gjëra kam unë
E para: kjo, kjo dhe kjo…
E dyta: kjo, kjo…kjo.
E treta: më dëgjo këtu dhe më dëgjo mirë…
Edhe një gjë të fundit: Kjo, kjo dhe kjo…më dëgjon çtë them? Të ti përsëris edhe njëherë që të mos thuash pastaj që jo po harrova jo po nuk harrova?
1. Fillimthi, më lejo të të them që nuk është e lehtë të jesh djali i ish-kryebashkiakut të Tiranës, lërë pastaj djali i kryetarit të Partisë Socialiste të Shqipërisë. Nuk mund të them që të jesh djali i kryetarit të një partie tjetër është e lehtë sepse kjo është e pamundur. Të qenurit i ngjashëm me një figurë të njohur nga bashkëkombësit nuk është e lehtë, sepse të duhet të përballesh me njerëz të panjohur që të ndalojnë në rrugë për të të thënë: “Un babin tat e njoh që t’vogël…”
Bisedimi mund të vazhdojë, por edhe të ndërpritet shumë shpejt, kjo varet nga moti. Nëse bie shi, i panjohuri do përpiqet të të mbajë me bisedë ndërkohë që ti je pa çadër dhe ai është duke shtrënguar çadrën e tij si thesar, a thua se ka frikë mos ti ia rrëmben dhe ia fut vrapit. Nëse është kohë e bukur, ai do bëjë çmos që mos të lejojë krijim hapësirash të rehatshme për të qenë vetvetja. Në të dyja rastet duhet pasur kujdes me shëndetin. Jo vetëm me shëndetin e të panjohurit, jo vetëm me shëndetin tënd; pra jo vetëm shëndeti, por “shkollimi dhe shëndeti mbi të gjitha!”
Kur e pyes të panjohurin për emrin, ai mund të jetë burrë me flokë të rëna por me zërin ushtues, guxim herkulian, që më kthehet me sy të zgurdulluar nga habia apo trimëria e tepruar duke hapur gojën për një moment…
“E di ti kush jam unë, pse hiqesh kot sikur s’e di… pse, vërtet s’e dike ti kush jam unë? Si kështu? Po ai babai ç’të thotë, s’të flet për këto gjëra? S’të ka folur ndonjëherë për shoqërinë e tij të vjetër?” Një tigër i vërtetë i debatit.
Një tjetër formë klasike prezantimi nga një i panjohur është edhe kjo tjetra: “Ai baba jot nuk osht fare n’terezi m’nigjo mu…”
Por në të tilla raste, ta keni nga unë këtë, sugjerohet masë gjakftohtësie dhe vetëkontrolli në këto përballje, që gota prej qelqi të mos thyhet në kokën pa flokë ose jo të të panjohurit.
2. Zbritje në stacionin e Rinasit. Mbërritëm, më në fund. U lodhëm pak, por hajt mo, kështu janë këto gjëra, e ke parasysh vetë ti. Në një kënd, drita që pulsojnë (dhe kur do thuash ti, në mes të ditës pale-pale!) më detyrojnë t’i kushtoj pak sekonda rëndësi fenomenit të vëmendjes së imponuar.
Është një dyqan “Apex”, temë e preferuar nga pseudo-biznesmenë shqiptarë dhe njëkohësisht biznes në modë që prej rënies së enverizmit. Apeksi në këndin e aeroportit më kujtoi thënien që i përshkruan saktë dhe bukur disa fenomene të cilat mund të ndodhin vetëm në Shqipëri: “This is a miracle of freedom!”
Rrugës automobilistike drejt Tiranës, mund të them që rastis shumë rrallë të gjendet anës rrugës tokë e lirë e pangarkuar nga reklama të përbindshme si nga madhësia, ashtu edhe nga konteksti. Po ashtu nga fabrika tullash apo pllakash. Një nostalgji e lehtë për natyrën më pickoi zemrën, ndërkohë që kaloja mësipërmes këtyre reklamave, këtyre sovranëve të pakundërshtueshëm të jetës moderne.
Apeksi i bën thirrje kujtesës time për ngjashmërinë që ka në vendqëndrimin e tij grotesk me dyqanin e berberit gjatë erës komuniste, po në stacionin e Rinasit. Për ata që nuk e dinë, gjatë kohës që Enveri ishte midis atyre që flinin pak dhe punonin shumë, për të sjellë në jetë ëndrrën socialiste, u instalua në stacionin e Rinasit të ahershëm një berber, me detyrë të caktuar nga nëna parti, për të prerë flokë dhe mjekra të zgjatura të tregtarëve apo turistëve të ardhur nga jashtë kufijve hermetikë të Shqipërisë e cila mbartte me krenari, një botëkuptim dhe botëveprim kokëposhtë të gjërave. Sot, jemi në një situatë të ngjashme për nga përmasa groteske e saj por njëkohësisht është e kundërt, si të thuash, njëra ishte lule e diktaturës dhe tjetra është frutë i vendosur në shportën e mrekullive të lirisë.
3. Po ta shohësh me vëmendje, pjesa më e madhe e shqiptarëve janë përfshirë në një biznes si pronarë apo bashkëpronarë, me qëllimin e argjendtë “për të kap noi lek”. Instinkti bën të vetën, por mos të harrojmë që midis turmës së atyre që gjejnë njëri-tjetrin me anë të instinktit ndodhen edhe akademikë të cilët e zbatojnë qëllimin edhe në çaste delikate si për shembull gjatë kohës që ujisin lulet në ballkon, në mëngjes, në darkë apo në mesin e natës… Si mund të kapet leku me anë të luleve apo me anë të ujitjes së luleve?
Leku fitohet pa kapet, do thonin pleqtë. Ata të moshës së mesme do thonin diçka krejt pa kuptim, ndërsa të rinjtë jemi mësuar t’i mirëkuptojmë në heshtje për aftësinë e të jetuarit jetën si spektatorë. Asnjë kritikë në formë shigjete të përflakur nuk duket të përshkojë kërcënueshëm qiellin e patrazuar të të rinjve në Shqipëri. “Kritikat mbaji për vete” është fraza që i shpëtoi dikur, madje i shpëton edhe sot. Diçka e ngjashme në përmasat rebele me sloganin “Make love, not war”. Vetëm se duhet marrë parasysh që nëse dëshirojmë të vendosim në baraspeshë dy fraza të thëna në dy epoka të ndryshme, rezultati gjithsesi është i pamundur.
Bashkangjitur tendenca “për të kap noi lek”, e cila tek të rinjtë është akoma embrion, tek mosha e mesme ideali kryesor i jetës dhe tek pleqtë ish-ideali kryesor i jetës.
Nuk e mohoj që biznesmenët, ekonomistët, llogaritarët, fatorinot në autobuset, pronarët e shkollave private, pra të gjithë ata të cilët, fati, vullneti dhe jeta i lidhën fort me botën e Lizës, mund të jenë “çun i mirë shumë” ose “vajzë përsëmbari”. Mrekulli ndodhin dhe ato ndodhin thuajse një herë në muaj.
Megjithatë biznesmenët e pakompleksuar apo akademikët më fusin frikën sepse në vështrimet e tyre, ndeshem gjithmonë me një ndriçim të argjendte i cili nuk është veçse momenti kur ata ëndërrojnë për kapjen e shumës… Njëherë e një kohë shqiptarët thërrisnin: “Rroftë Bashkimi Sovjetik” ndërsa sot… Eh, sot…çfarë prisje ti, gjërat nuk mund të jenë më si dikur.
Natyrisht që edhe kjo periudhë është kalimtare, të paktën kështu uroj dhe kështu shpresoj. Do bëj çmos për të mos i folur të panjohurve që ndërpresin shëtitjet e mia në park, rrugica apo bulevarde, sepse ndodh që babanë tim e njohin që të vogël por njëherazi janë biznesmenë. Pra, si të thuash, me një gur ata të vrasin dy herë sikur ti të jesh zog, sepse i kanë të dy të këqijat pranë e pranë njëra-tjetrës të pandara dhe të pacenuara nga rendi i ri botëror.
4. “- Kohë e bukur sot. Qiell të pastër si këtë ditë, kam kohë që nuk kam parë.
- Ore, lëre diellin në punën e vet ti dhe më dëgjo mua se ç’po të them: ai baba jot nuk i ka mirë punët… a merr vesh ti apo s’merr vesh? A je burrë ti apo s’je?”
Fragmente të ndryshme nga biseda me burra shteti apo me burra mileti, bashkohen dhe veçohen me shpejtësi, duke krijuar ngjyra nga më të ndryshmet mbi telajon e errët të kujtesës time si për të me thënë edhe njëherë që e shkuara bashkë me të ardhmen time ndodhen në rrezik.
Në kohën kur im at përfundoi së shkruajturi “Kurbanin”, unë njoftova një nga të njohurit e mi në telefon për ngjarjen. Edi do botojë së shpejti libër, më dëgjon? Mbas një heshtje të shkurtër, nga ana tjetër e linjës u dëgjua një kollitje e lehtë dhe pastaj fjalët: “Normale që të dëgjoj. Ou? Libër? Hmmm… çne Edi libër o vlla? Ç’pati Edi, ai sikur ishte mirë… ?”
Mbas heshtjes time simbolike, një tjetër kollitje e lehtë u dëgjua nga ana tjetër e linjës, e ngjashme për nga mendjelehtësia me të paren dhe pastaj pyetja fatale: “Çdo bësh, do vish të dalim njëherë?”
5. Një trokitje e rëndë në derën e shtëpisë më zgjoi nga gjumi. Hapa sytë për te parë orën. 8:05. Aty për aty mu kujtuan malet e kritikave, qortimeve, shpotive dhe krahasimeve që më bënin shokët, familjarët, ndonjëherë edhe të panjohurit, për lidhjen time të pashpjegueshme me gjumin. Trokitja u përsërit në mënyrë ritmike. Dum-dum-dum. Duhet të jetë komshia që jeton sipër nesh mendova, sepse ajo zotëron në arsenalin e saj këto mënyrat vagneriane të trokitjes. Mbylla sytë dhe u shtriva përsëri. Trokitja e dorës së panjohur vazhdonte të ndihej edhe më e fortë se përpara.
Krahas kritikave për gjumin, në mendje më erdhi edhe një personifikim tjetër i posaçëm për mua, këtë herë nga gjyshja ime, maja e bajos:
Megaloman.
Ç’të bëja me gjithë këto personifikime, kritika, shpoti, akuza, superlativa, lavde, lajkatime, veçse t’i lidhja aty për aty me një rresht të Majakovskit: “Njerëzit jetojnë në ekstazë…”
Pritet të dalë në treg numri 5 i ajfonit (iPhone) një aparat elektronik pak më i madh se një paketë cigaresh me funksione të ndryshme: aparat për të folur dhe aparat për të mos folur. Aparat për të shkrepur foto dhe aparat për të mos shkrepur foto. Aparat që mbahet edhe në xhep dhe aparat që edhe nuk mbahet në xhep; aparat për të treguar që ka kushtuar së paku 500 euro etj. etj. Një aparat pra, që në kompleksitetin e vet edhe pse është ribotuar pesë herë (fjala e saktë është riprodhuar por zëre se po flasim për një libër të hapur) përmbajtjen e ka pothuajse të njëjtë, shumë pak gjëra ndryshojnë. Duhet të kem parasysh dhe të mos nënvlerësoj faktin që brezi nr.5 i ajfonit, ndoshta ka më shumë gjera për të thënë se brezat e mëpërparshëm, por njëherazi edhe shqiptarët kanë pa dyshim më shumë gjëra për të thënë se përpara. Disa nuk janë më fëmijë, të tjerë janë pjekur para apo mbrapa kohe, të tjerë janë kthyer nga karagjozë të vërtetë në moralistë të vërtetë dhe të tjerë janë kthyer nga të buzëqeshur në të zymtë. Ajfoni është mjeti ideal për t’i bërë shoqëri gjindjes së krijuar, me pak fjalë.
Disa ëndërrojnë kohën me diell, të tjerë sikur të ishin edhe një herë të rinj,
Të tjerë ëndërrojnë qytetet gjysmë të zhdukura të antikitetit, të tjerë ëndërrojnë vetëm ajFonin.
Çdo e keqe e ka një te mirë. Çdo e keqe e ka një të mirë se s’bën, përndryshe kot që jetojmë, e kupton vëllain tat? Jetojmë për të jetuar me gjithë të mirat ne vëlla, më kupton?… por unë ndonjëherë nuk kuptoj asgjë…
“Ai baba jot nuk osht n’terezi, m’nigjo mu ça po t’them… edhe nqofse do me e dit, un kom qen nga t’parët që ça kisha ia thash m’sy…”
Riçard Vagneri që trokiste te dera e shtëpisë time u largua dhe një qetësi provizore, paqësore dhe e bezdisshme u krijua aty për aty në dhomën time. Drama u largua përkohësisht…mendova…mendova…mendova që sjellja zbukuron njeriun dhe befas, me shpejtësi, më kaluan përpara syve të gjithë rastet kur kam rrezikuar të aksidentohem me biçikletë në rrugët e Tiranës.
Comments
nje pergjigje tipike , nga
<p>nje pergjigje tipike , nga nje shqiptare me mendesi tipike kantundare do te ishte : "Ky paska pjerdh per vete ... leje babain se ai eshte mire , ndostha ne terezi nuk eshte shume ,por te pakten ka arrit atie ku ka arrit , por ti kujdes .... he te keqen se je akoma i ri .... po cfare te kapi njehere ? qe fillove tu shkrujt ? " :p </p>
ashtu sic jane ashtu sic jemi
<p>ashtu sic jane ashtu sic jemi ashtu sic eshte vertet sot situata </p><p>personalisht me pelqeu shum </p>
Add new comment