Dom Gjergji në bisedë me M.Nanon: Me rastin “Prenjasi” mass-media i ka kaluar kufijtë

Postuar në 20 Mars, 2013 09:44

M. Nano:  E dini, dom Gjergji? Kam lexuar shtypin këto ditë dhe kam përjetuar një ndjesi "horrori" nga mënyra se si është raportuar lajmi mbi të dyshuarin për vrasje e për pedofilí. Vetëm unë e kam këtë ndjesi?

Gj. Meta:  Mendoj që jo; të paktën, në rrjetin social FB shumë miq të mi janë ankuar për të njëjtën gjë. Unë dje dhe sot nuk kam arritur të lexoj as dhjetë rreshta të lajmit se më krijon, gjithashtu, një ndjesi horrori të paparë. Më duket një film horror gratis në të përditshmet. Mendoj se si situatë është e papranueshme. Lind një pyetje: deri ku shkon detyra e mediave për informim e çfarë caku ka ky informim?

Ju jeni gazetar vetë në fakt dhe e keni vënë re këtë gjë.

M. Nano:  Që të saktësojmë situatën pak. Ç'gjëra të bëjnë përshtypje më shumë? Hapësira e madhe që i jepet lajmit? Titujt me gërma të mëdha? Natyra tek-tuk perverse e titujve? Fotot e të dyshuarit? Mënyra se si raportohet? Detaje të raportimit? Mendimet e njerëzve të zakonshëm për ta vrarë e për ta varur në shesh të dyshuarin? Apo ideja kolektive për t'iu rikthyer dënimit me vdekje?

Gj. Meta:  Më së pari detajet e raportimit. Shtroj pyetjen se si është e mundur që gazetarët arrijnë të marrin detaje të hetimit? A ka një hetim të brendshëm të hetimit? Si është e mundur kjo gjë? Sigurisht, cështjen e dënimit me vdekje e shoh më shumë si emocionale, e gati gati patetike, pasi nuk zgjidhet cështja duke vrarë një pedofil. Cështja e abuzimit me fëmijët është më e gjerë. Ka një larmi mënyrash të abuzuari me fëmijët. Pedofilët duhet të dënohen maksimalisht, por dënimi me vdekje është një çështje tjetër. Më shumë duhet të vihen në veprim mekanizma të tjerë preventivë.

Por duke u kthyer te çështja, mendoj që mediat duhet të kenë një kod etik raportimi. Nuk mund të thuhet gjithçka, pasi një gazetë e përditshme merret nga gjithkush e jo të gjithë mund të përballojnë peshën e një lajmi të tillë. Pastaj, nuk është as etike të shkruash në terma të caktuar duke kaluar kufijtë e shprehisë. Lidhur me detajet e raportimit, më tej, vijnë edhe të gjitha çështjet e tjera që thatë ju, por kryesisht është kjo ajo që më ka bërë përshtypje më shumë.

M. Nano: Më thonë kryeredaktorë gazetash të ndryshme, me të cilët kam biseduar mbi punët tona të medias, që ky fokusim maniakal tek lajme të tilla është një mënyrë për të rritur tirazhin. "Njerëzit i blejnë gazetat kur flitet për gjëra të tilla", thonë kryeredaktorët. Ti e beson këtë, dmth që njerëzit janë të marrosur pas lajmesh të tilla?

Gj. Meta:  Sigurisht, qe ka sa të duash njerëz, të cilëve u pëlqejnë filmat “horror” dhe ndjesitë e forta që përcjellin lajme të tilla. Për analogji mund të marrim maninë e disa gazetave për të botuar bëmat e byrosë politike. Mua kurrë nuk më kanë tërhequr këto gjëra personalisht, por derisa botohen, dikujt i pëlqejnë. Edhe në rastin konkret mund të ketë një rritje tirazhi me lajme sensacionale, por më shumë duhet të pyesim veten se ku po shkojmë? Çfarë gazetarie po ndërtojmë? Logjikat skandalistike na çojnë shumë larg? Por në raste të tilla duhen ruajtur edhe ndjenjat e personave. Imagjinoni një të afërm të femijës që lexon detajet e këtyre lajmeve, një nënë, një babá. Të vërtetat që shkatërrojnë njerëzit nuk janë të vërteta.

M. Nano:  Jam absolutisht dakord. Dhe në këtë pikë po bëj një arsyetim tjetër. Ka një mendim se ky fokusim morboz tek vrasjet, therjet, aksidentet rrugore me pasojë vdekjen, e në përgjithësi tek vdekja, krijon një lloj makthi në shoqëri, dhe ky makth bëhet shkak për dhunë e vrasje të tjera. Apo ky interpretim është një teprim?

Gj. Meta:  Mua nuk më duket teprim; përkundrazi, do të thoja që është një interpretim i saktë i situatave psikike dhe ndikimeve që njeriu merr nga bota e massmediave. Ne ndikohemi dashje pa dashje nga lajmet, nga filmat dhe nga kronikat. Shpesh errësohet apo kushtëzohet gjykimi e vijimisht njeriu humb orientimin. Filtrat nuk janë vetëm censurë për lajmin, por edhe përkujdesje ndaj higjienës mendore të destinatarëve, sidomos të të rinjve dhe fëmijëve. Makthi vjen nga mbizotërimi i kronikës së zezë që duket sikur përcjell një realitet, i cili është i gjithi zi e ti nuk ke rrugëdalje. Kjo kronikë e zezë gjen të gatshëm një shtrat të situatave jetësore shpesh të pakëndshme e atëherë ndodhin këto makabritete. Ndërkohë që gjërat e bukura ndodhin përditë: përditë lindin fëmijë, martohen njerëz, dashurohen, arrijnë suksese, diplomohen, ngrihen në detyra etj etj. Kritika që i bëhet një rendi apo një situate është e shëndoshë kur është konstruktive, dhe jo destruktive.

Mbaj mend, se kur u vetëvra Ardian Klosi, u krijua një situatë që pothuajse dukej se të vrasësh veten është një heroizëm. Në atë situatë pata ndërhyrë me një shkrim për të thënë që çfarë po bëjmë. Po japim modele të një kulture vdekjeje që nuk e ndihmon shoqërinë tonë. Po ashtu mund të përmend rastet e pedofilisë së priftërinjve që shkaktuan një valë të madhe zhgënjimi në botën katolike, por në të njëjtën kohë nuk mund të harrohet se ka një numër shumë më të madh priftërinjsh katolikë që çdo ditë sakrifikojnë e punojnë për të mirën e njerëzimit e të bashkësive të tyre, për mbrojtjen e fëmijëve nga abuzime të shumta. Prandaj, cilësia e lajmit, ose më mirë një lajm gjithëpërfshirës që jep hijet, por i lë vend edhe dritës, ka shumë rëndësi në spektrin mediatik. Por amá jo si këto ditë, që po vuhet një ankth i paparë...

M. Nano:  Ju përmendët vetvrasjen, dhe mua më vjen në mendje efekti "Werther" që njihet në sociologji, por edhe në media, e që ka lidhje me librin e Goethe-s me titull "Jeta e trishtuar e djaloshit Werther", ku vetvrasja e personazhit kryesor, Werther-it pra, u mor nga disa si model sjelljeje pas suksesit të librit. Me sa duket, modelet artistikë apo mediatikë kanë një fuqi ndjellëse të jashtëzakonshme. Sa më shumë flasim në media për një tipologji personazhesh, fjala vjen për personazhet e dhunshëm e mujsharë të jetës urbane, aq më shumë kontribuojmë në "modën" për të imituar këto modele. Apo jo?

Gj. Meta:  Se cilët modele tërheqin më shumë, kjo varet nga ajo që percillet prej kanaleve komunikative, por edhe se çfarë situate po kalon personi në atë moment. Di të them, se kur dikush ka nje identitet të qarte e te farketuar tashmë, veshtirë se ndikohet nga modele te tjera. Por duhet të kemi parasysh që gjithmonë në një shoqëri, e sidomos në shoqëritë moderne të përparuara, perëndimore, kemi individë vulnerabël. Imitimi tout court i një modeli është pafatësia e njeriut për të qënë vetvetja e kështu në këtë pamundësi ia delegon vetveten një tjetri, një situate tjetër. Dëshiron të jetë diçka tjetër. Ky është alienimi, apo tjetërsimi i njeriut. Dikur këtë tjetërsim e bënte partia duke deleguar gjithçka te kreu, apo te vetvetja. Tani janë modelet e shpërndara: personazhi i një telenovele, një i fortë lagjeje, një i fortë në jetën ekonomike apo politike, një model, një aktor filmi etj etj. Në rastet negative janë edhe personat e dhunshëm apo situata e dhunshme që ngacmojnë drejt një përngjasjeje.

M. Nano:  Unë pata një shkrim tek Shqipi sot, ku kapesha pas ca reagimeve njerëzish të zakonshëm “në të nxehtë” lidhur me Ardian Prrenjasin. Që të gjithë, nga komshia, kolegu i punës, e deri tek vëllai, motra e nëna e autorit të dyshuar si pedofil vrasës kërkonin ekzekutimin pa një, pa dy të këtij robit; madje, disa dilnin vullnetarë për ta vrarë. Ç'është ky pulsion vrastar që kemi brenda vetes? Apo ju mendoni se këtë e justifikon natyra e krimeve, për të cilat paditet Prrenjasi?

Gj. Meta:  Nuk e kam lexuar shkrimin tënd e patjeter do ta lexoj. Sot kishte Albert Nikolla nje shkrim; edhe ai e merrej me (medemek) tronditjen e thelle te njerezve. Unë mendoj që reagimi i njerëzve është thjesht emocional, për të mos thënë pak patetik kësaj here, se kanë reaguar edhe njerëz jo vetëm thjesht të rastësishëm, por edhe pak më të kultivuar. Disa prej tyre i kam parë edhe në rrjetin social fb. Dënimi me vdekje nuk e zgjidh problemin, por e shmang atë. Ne duam ta përdorim dënimin me vdekje si një mpirje të çastit, por kur të dalë gjumi do të shohim se nuk kemi zgjidhur asgjë.

M. Nano:  Ju faleminderit!

Gj. Meta:  Faleminderit juve!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.