Rama: PD-ja po çahet më tresh nga ai që “u plak e dorë nuk hoqi”

Diversiv mund të quhet shkrimi i Ramës, që nesër publikohet në të përditshmet shqiptare. Po paradoksalisht luan me një të vërtetë: çarjen e pritshme në PD. Rama e quan “çarje më tresh”, por në mos më tresh, do të jetë më dysh. “Bamir Topi mik i PS-së?”, vë në pyetje Rama akuzën e demokratëve. Dhe përgjigjet: “Si mund të jetë mik i PS-së, ai që gjodhi Prokuroren e Përgjithshme me pëlqimin djathtas e me asnjë konsultë as edhe thjesht formale majtas, ai që pranoi si normale zgjedhjet e vitit 2009, ai që dënoi bojkotin tonë parlamentar, ai që ndenji si mur i heshtur në kohën e përçapjeve të komunitetit ndërkombëtar në selinë e tij për të ndërmjetësuar krizën politike, ai që shpërfilli grevën e urisë së plot deputetëve e qytetarëve për votën e lirë, ai që, pa pyetur asnjëherë opozitën, i propozoi parlamentit kandidatura deri edhe të papranueshme gjykatësish kushtetues e të lartë të lidhur me Sali Berishën, ai që propozoi dy kandidatura njëra pas tjetrës për Kontrollin e Lartë të Shtetit, njërin më pëdëist se tjetri, ai që rimandatoi Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë duke synuar votën djathtas, ai që, edhe në 21 janar nuk drejtoi gishtin mbi vrasësit me pushkët e shtetit dhe urdhëruesit e tyre në godinën e Këshillit të Ministrave.” Ndërsa për “të majtin tjetër” thotë se “[Spahiu] u rebelua politikisht jo sepse ka ndonjë fije që e lidh me opozitën e sotme e aq më pak me Partinë Socialiste, po sepse si shumëkush në Partinë e vjetër Demokratike e gjeti veten jashtë rrethit të stërngushtuar të interesave të oborrit familjar e klanor të Saliut”.
Të dy këta, thotë Rama “ia kanë prishur përfundimisht gjumin dhe busullën Sali Berishës pikërisht sepse s’kanë lidhje me të majtën e me Partinë Socialiste”. Shkaku i kësaj çarjeje më tresh, përfundon Rama, është ai vetë, që “u plak e dorë nuk hoqi” si sekretar komunist me vese i PD-së.
Re.Pu.
Add new comment