Herman Cain-it të taksës së sheshtë 9-9-9 i bien kuotat në sondazh

Sipas një sondazhi të CNN/ORC International, të publikuar dje, Herman Cain-it i kanë rënë kuotat me 11 pikë përqindje në garën për të përfaqësuar Partinë Republikanë në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së. Ish-biznesmeni zezak u bë i njohur me planin e tij për një taksë të sheshtë, që ai e quajti “Taksa 9-9-9” dhe që parashikon taksim 9% mbi pagat, taksim 9% mbi çmimin e shitjes të të gjithë produkteve e shërbimeve dhe 9% taksë mbi të ardhurën bruto të bizneseve (nga kjo e fundit zbriten kostot e inputeve të prodhuara brenda SHBA-së). Në këtë skemë taskimi, mbeten pa taksuar të ardhurat nga investimet në bursa dhe taksa e trashëgimit apo dhurimit të pasurisë, të cilat, aktualisht, i sjellin buxhetit federal rreth 15% të të ardhurave, ose 324 miliardë dollarë.
Sipas autorëve të sondazhit, dy ishin arsyet kryesore të rënies dramatike të kuotave të Cain-it: 1) Në 18 tetor, Qendra për Politikat Tatimore publikoi një studim që demonstronte se 84% të amerikanëve do t’u merreshin më shumë para nga qeveria federale me taksën e sheshtë 9-9-9; 2) Gjatë tre javëve të fundit, disa gra kanë deklaruar publikisht se Cain-i i ka ngacmuar seksualisht në vitet ’90, kur ai ishte presidenti i Shoqatës Kombëtare të Restoranteve.
Garën për të përfaqësuar Partinë Republikane e udhëheq aktualisht Mitt Romney, ish guvernator i shtetit Massachusetts dhe Newt Gingrich, ish kryetar i Dhomës së Përfaquesve të Kongresit Amerikan me nga 24 dhe 22 pikë përqindje secili. Herman Cain tani përkrahet nga vetëm 14% e votuesve republikanë.
E.Zaloshnja
Add new comment