Bashkia miraton buxhetin, të majtët lënë sallën, Rruga e Kavajës zhduket si pa të keq

Postuar në 29 Dhjetor, 2011 03:14

Miratohet buxheti i Bashkisë për vitin 2012 mes debatesh që kanë vazhduar mbi 6 orë, deri në orët e vona të natës. Miratimi ka ndodhur në mbledhjen e djeshme të Këshillit Bashkiak, ku mes diskutimeve dhe polemikave buxheti u miratua me votat e vetë mazhorancës. Që në fillim të mbledhjes, pjesa më e madhe e këshilltarëve socialistë kanë braktisur sallën pasi nuk kanë qenë dakord me rendin e ditës, madje as nuk kanë votuar pro tij.

“Këtu kemi një  shkelje të hapur të transparencës, sepse ne e kemi marrë ditët e fundit këtë projekt, prandaj ne nuk kemi pasur kohën e nevojshme që të shqyrtojmë me detaje këtë buxhet”, u shpreh kreu i Këshilltarëve të majtë, Aldrin Dalipi. Më pas shumica e këshilltarëve të majtë kanë braktisur sallën, ndërsa kryebashkiaku Basha është ndalur tek paraqitja me detaje e projekt-buxhetit.

Ndërkohë, gjatë mbledhjes së djeshme të këshillit bashkiak u  miratuan edhe projekt-vendimi për sheshin “Italia”, për ndërtimin e parkimit nëntokësor, ai për ndryshimin e komisionit të strehimit, projekt-vendimi për kthimin e rrugës pedonale në treg çdo fundjavë, ai për ndryshimin e emrit të Rrugës së Kavajës, si dhe projekt-vendimi për pagat e punonjësve.

Në buxhet bie në sy që që investimet do të zënë 33%, shifra më e madhe në këto 20 vjet. Duket sikur, pas konsultimeve me qytetarët, këta t’i kenë kërkuar Bashkisë vetëm t’u bëjë rrugë dhe shtratin e Lanës.

Ndërsa ngjall habi vendimi për ndërrimin e emrit të rrugës së Kavajës, emër që e ka prej 80 e kusur vitesh. T’u ketë shkuar mendja të ndëshkojnë Kavajën që zgjodhi për herë të parë një Kryetar Bashkie të majtë?

n.s.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.