Zyrtari i DASH, në Tiranë për KQZ-në

Postuar në 25 Maj, 2013 08:20

Arvizu: Parlamenti të shqyrtojë ngërçin. Topalli: Gati të plotësohen vendet bosh

Fatjona Mejdini

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë vënë në vijë të parë të aksionit politik për rikthimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në normalitet. Në një kohë kur vendin e ndajnë nga zgjedhjet më pak se një muaj dhe situata në KQZ është kaotike, vetë drejtori për Europën Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit Jonathan Moore, do të vijë në Tiranë për të diskutuar me palët për këtë çështje. Vizita e tij vjen e papritur në një kohë kur vetëm një muaj më parë ai vizitoi Tiranën zyrtare dhe mes të tjerash tregon alarmin e madh që SHBA po percepton mbi zgjedhjet në Shqipëri. Po dje, ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu deklaroi në vigjilje të mbledhjes së Kuvendit në seancën plenare për çështjen e tri ligjeve, se palët duhet ta përdorin këtë shans dhe për konstituimin e KQZ-së. Teksa zhvilloi një takim me kreun e Gjykatës Kushtetuese, Arvizu gjeti rastin të përshëndesë mbledhjen e seancës të hënën, duke sugjeruar futjen në rendin e ditës edhe të çështjes së KQZ. Këtë mesazh ai e dha në kuadër të nisjes zyrtarisht të fushatës zgjedhore, duke treguar dhe shqetësimin real të SHBA për këtë çështje.

Moore

Zëri i Amerikës konfirmoi dje zyrtarisht një vizitë të drejtorit për Europën Qendrore dhe Jugore në DASH, Jonathan Moore, në fillim të javës tjetër, e cila ka si qëllim kryesor diskutimin mbi KQZ-në me palët politike. Kjo vizitë vjen vetëm pak kohë pasi Moore vizitoi Shqipërinë dhe ngriti çështjen e KQZ-së dhe tregon që mosveprimi nga pala shqiptare ka alarmuar aleatin më të rëndësishëm të vendit tonë, SHBA-në.

Arvizu

Ambasadori amerikan përsëriti dje shqetësimin në lidhje me situatën në KQZ, duke lënë të kuptohej se ky ishte mesazhi më i rëndësishëm që ai mund të japë në fushatë zgjedhore. “Sot është dita e parë e fushatës, por mesa duket, ajo ka nisur. Kemi qenë shumë të qartë për pozicionimin e SHBA, për zgjedhjet dhe KQZ. Kam dëgjuar se do të zhvillohet një sesion në Parlament të hënën. Kështu që është një mundësi e mirë qoftë për tri ligjet dhe konstituimin e KQZ, dhe shpresoj që palët të përfitojnë nga kjo mundësi”, kërkoi ambasadori amerikan. Më herët, në një intervistë televizive ai ka theksuar se gjatë bisedës me kreun e PS-së, Edi Rama, ai kishte marrë pohimin se socialistët ishin të gatshëm për konfigurimin e KQZ-së dhe se nuk kishin një objeksion të parimit për të qenë 3 me 3 në këtë komision.

Topalli

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në një takim që zhvilloi dje me kryesuesin e misionit të vëzhguesve afatshkurtër të OSBE-së Roberto Battelli u shpreh se është e gatshme të mbledhë Parlamentin në çdo moment, për të votuar tre emrat për vendet e lëna bosh në KQZ. Ashtu si kryeministri Berisha, Topalli u shpreh dje për një zëvendësim të anëtarëve dhe jo për konstituim të këtij komisioni. Ky qëndrim bie ndesh me deklaratat e drejtuesve të opozitës së bashkuar, të cilët kërkojnë një rikonfigurim të këtij institucioni, pas asaj që e quajnë atentat të mazhorancës ndaj KQZ-së. Çështja e KQZ-së u prek dje përsëri nga kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i cili theksoi se i takon mazhoranës të japë një zgjidhje të pranueshme për KQZ-në. Sipas Metës, rëndësi ka që në këtë institucion të rikthehet besimi.

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.