ZGJEDHJET SIPAS LIGJEVE TONA, PËR FLETËVOTIMET VENDOS KQZ

Këshilltari i Lartë i Kryeministrit të Kosovës, Bekim Çollaku ka reaguar ndaj deklaratave të zyrtarëve të Serbisë, të cilët thonë se marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është "status neutrale" dhe për rrjedhojë edhe zgjedhjet lokale të nëntorit në Kosovë duhet të mbahen pa simbole shtetërore të Republikës së Kosovës.
“Deklaratat e tilla janë jorelevante për këdo që ka njohuri elementare për përmbajtjen e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Edhe nën supozimin e tillë të paqëndrueshëm, marrëveshja nuk mund të konsiderohet dhe as interpretohet si status neutrale në raport me qytetarët, respektivisht shtetasit e Kosovës. Në të gjitha parimet e marrëveshjes që ndërlidhen me gjyqësinë, policinë, zgjedhjet etj, saktësohet qartë se të gjitha këto çështje do të rregullohen në përputhje me ligjet e Kosovës. Kjo është e vërteta e marrëveshjes”, tha Çollaku, në një prononcim për Gazetën Express.
Sipas tij, ligjet e Kosovës, duhet të zbatohen në mënyre të barabartë për të gjithë qytetarët e Kosovës në mbarë Kosovën.
“Mirëpo në rast se Serbia është duke kërkuar pretekstin e radhës për ti penguar serbët e Kosovës për të marrë pjesë në zgjedhje me qëllim të zgjatjes së periudhës së agonisë dhe vazhdimin e prezencës së strukturave ilegale të financuara nga Serbia, atëherë ajo duhet ta kërkoj këtë pretekst në ndonjë formë tjetër por jo duke u thirrur në marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, theksoi Çollaku.
Sipas Çollakut, askush në BE dhe Bashkësinë Ndërkombëtare nuk është aq naiv që të manipulohet nga deklaratat dhe interpretimet e tilla të zyrtarëve te Serbisë.
“Sa i përket pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës në zgjedhje lokale, mendoj se institucionet e Kosovës duhet të krijojnë kushtet adekuate që të mundësohet një pjesëmarrje sa më e gjerë”, tha ai.
Duke folur për formën dhe përmbajtjen e fletëvotimeve, Çollaku deklaroi se kompetent për të vendosur është Komisionin Qendror i Zgjedhjeve, që është një mekanizëm në të cilin janë përfaqësuar të gjitha partitë politike parlamentare të Kosovës.
“Aty duhet të merren vendime të përgjegjshme të cilat duhet të jenë në përputhje me interesat e vendit tonë. Zgjedhjet e lira janë instrumenti më i mirë i demokracisë, i cili duhet të ushtrohet pa hezitim nga të gjithë qytetarët e Kosovës", përfundoi Çollaku.
Express
Add new comment