Zgjedhjet, PS mbledh aleatët,mungon Dule

Partia Socialiste ka mbledhur sot aleatët e saj politikë për të diskutuar rreth platformës dhe organizimit të fushatës së zgjedhjeve të 23 qershorit. Ashtu siç ishte paralajmëruar, takimi i iniciuar nga Kryesocialisti Edi Rama ka nisur rreth orës 17:00 në selinë rozë dhe në të morën pjesë kreu i Partisë Social Demokrate, Skënder Gjinushi, ai i PSV ’91, Petro Koçi, kreu i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, kreu i PDS-së, Paskal Milo.
Në takim ka munguar kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili sipas Koçit ka munguar për arsye teknike. Në përfundim të takimit, që ka zgjatur rreth 80 minuta, krerët e partive të vogla opozitare thanë se objektivi është realizimi i një koalicioni për rrëzimin e kësaj qeverie. Kreu i socialdemokratëve, Skënder Gjinushi tha se opozita është e bindur në fitoren e 23 qershorit.
Ndërsa kryetari i PLD-së, Spartak Ngjela ka theksuar se në takim është diskutuar për mbrojtjen e votës. Sipas tij opozita ka një skemë perfekte për ruajtjen e votës. “Ka nisur të rritet numri i partive të koalicionit, por çdo njëri prej nesh duhet të jetë i përqendruar në mbrojtjen e votës sepse Partisë Demokratike i kanë rënë aksionet. Ne kemi një skemë perfekte për mbrojtjen e votës. Na duhen marrëveshje bilaterale, me secilën parti. Është një frymë për fitore nga ky koalicion”, tha Ngjela.
SHQIP
Add new comment