Zgjedhjet, ministritë transformohen në zyra elektorale

PD përdor stafin dhe burimet e institucioneve për sondazhe telefonike. PS, mesazhe telefonike zanore për qytetarët
Fatjona Mejdini
Partitë politike në vend një javë përpara zgjedhjeve po përdorin taktikat e fundit elektorale për të bindur qytetarët të votojnë alternativën e tyre. Pavarësisht se fushata në internet po zë vendin kryesor ajo përmes telefonave gjithashtu po përdoret masivisht nga Partia Demokratike dhe ajo Socialiste. Në rastin e PD-së burimet bëjnë të ditur se zyrtarët e lartë të fushatës së kësaj partie kanë dhënë urdhër që punonjësit e institucioneve që ata drejtojnë të realizojnë sondazhe telefonike në lidhje me preferencat partiake të qytetarëve. Burimet bëjnë të ditur se një praktikë e tillë në shkelje të plotë të ligjit për nëpunësit civilë po zhvillohet në ministritë kryesore në vend. Çdo mëngjes, mbi tavolinat e punës nëpër ministri, vendosen dhe listat me numrat e telefonave që punonjësit duhet të kontaktojnë brenda atij që quhet orari zyrtar. Telefonatat mësohet se bëhen përmes numrave të ministrive dhe kostoja për to sigurisht që i kalon buxhetit të shtetit, duke e bërë abuzimin edhe më serioz. Në një pjesë të madhe, telefonatat kundrejt qytetarëve zhvillohen nga zyrat e Ministrisë së Integrimit, nisur nga roli i rëndësishëm që ka ministrja Majlinda Bregu në fushatën e Tiranës. Por duket se tendencës së përdorimit të burimeve të administratës për shërbime partiake nuk i ka shpëtuar as Bashkia e Tiranës e drejtuar nga Lulzim Basha, koordinator i fushatës së demokratëve në kryeqytet. Burimet bëjnë të ditur se punonjës të kësaj bashkie janë përdorur gjithashtu për të vjelë nga qytetarët opinionet e tyre në lidhje me qeverisjen dhe zgjedhjen elektorale që do të bënin në 23 qershor. Nga ana tjetër, PS ka zgjedhur të përdorë mesazhet zanore në telefonatat kundrejt qytetarëve. Zëri i regjistruar i deputetëve të saj si Pandeli Majko apo Mimi Kodheli ju kujton përmes telefonit qytetarëve se pse duhet të votohet PS-ja të dielën e ardhshme.
Administrata
Zyrat e ministrive kryesore në vend dhe ato të Bashkisë së Tiranës po përdoren si “call center”-a për të kryer sondazhe politike. Me qindra qytetarë, të cilët janë telefonuar për të treguar preferencën e tyre politike nuk e kanë imagjinuar se ata pyeten pikërisht nga nëpunës të administratës shtetërore. Ky fenomen mësohet se ka javë që ka nisur dhe po kryhet më së shumti në Ministrinë e Integrimit, nisur dhe nga roli që ka ministrja Bregu në fushatën elektorale të Tiranës dhe konsiderohet një abuzim i plotë me burimet shtetërore për interesa partiake. Por pas nuk ka mbetur as Bashkia e Tiranës, ku punonjës të shumtë të saj janë urdhëruar të telefonojnë lista të pafundme qytetarësh dhe të përpunojnë të dhënat në lidhje me rezultatet e pyetësorëve.
Mesazhet zanore
Qytetarë të shumtë kanë hasur javët e fundit telefonata të pazakonta në telefonat e tyre, ku deputetë të PS-së janë prezantuar si autorët e tyre. Por realisht këto telefonata vetëm përçojnë zërin e regjistruar të deputetëve të rëndësishëm socialist dhe shpërndahen përmes metodave kompjuterike për t’ju kujtuar qytetarëve se ata duhet të zgjidhnin PS-në në 23 qershor, sepse kjo parti do t’ju ofronte taksa më të ulëta dhe lehtësira të tjera sociale.
Lulzim Basha
Në Bashkinë e Tiranës, punonjës të shumtë janë urdhëruar t’u telefonojnë listave të pafundme qytetarësh dhe të përpunojnë të dhënat në lidhje me rezultatet e pyetësorëve.
Sondazhet
Burimet e gazetës “Shqip” kanë bërë të ditur se sondazhet e brendshme të PD-së janë dekurajuese për këtë parti dhe tregojnë një rënie të mbështetjes ndaj qeverisë aktuale.
Mesazhet
Sondazhe të brendshme po vijon të kryejë dhe PS. Vetë kreu i kësaj partie, Edi Rama, nuk ka ngurruar të shpërndajë rezultatet e këtyre sondazheve përmes mesazheve të shkruara telefonike.
Arvizu
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu, deklaroi pak ditë më parë se në administrata shtetërore po përdoret në mënyrë flagrante për fushatë.
SHQIP
Add new comment