Zgjedhjet lokale, Maqedonia voton

SHKUP- Në Maqedoni sot kanë nisur votimet për zgjedhjet lokale, në të cilat rreth 1.743.403 qytetarë me të drejtë vote do të zgjedhin drejtuesit e ri të pushtetit vendor në 80 komuna dhe Shkupin si njësi e posaçme e vetadministrimit lokal.
Zëvendëskryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve Subhi Jakupi, tha se në bazë të informacioneve të para të KSHZ-së, procesi zgjedhor ka nisur mirë dhe nuk ka raportime për ndonjë ngecje apo probleme tjera të natyrës teknike.
Zgjedhjet zhvillohen në 2.976 vendvotime, ndërsa garojnë 8.878 kandidatë, apo 350 lista për kryetar të komunave dhe 480 për këshilltarë komunal.
Një ditë më parë kanë votuar personat e sëmurë, si dhe të burgosurit. Procesi zgjedhor po monitorohet nga 410 vëzhgues ndërkombëtarë dhe 8.379 vendorë.
Zgjedhjet e sotme vijnë pas një fushate parazgjedhore 20 ditëshe, e cila është zhvilluar në atmosferë të qetë, në veçanti tek blloku politik shqiptar. Garë e fortë ndërmjet partive pritet të zhvillohet për qytetet e mëdha si Shkupi, Tetova, Manastiri, Ohri dhe Kumanova.
Kësaj radhe, zgjedhjet lokale kanë marrë edhe dimensionin e garës ndëretnike për qytetet e Strugës dhe Kërçovës, ku partitë janë ndarë në baza etnike.
Në Kërçovë garojnë dy kandidatë, një shqiptarë dhe një maqedonas andaj edhe partitë janë mobilizuar si asnjëherë më parë për të marrë drejtimin e kësaj komuna, e cila, pas bashkimit me disa komuna rurale ka ndryshuar strukturën etnike dhe është më tepër e banuar me popullatë shqiptare.
Pavarësisht fushatës së tensionuar, megjithatë partitë kanë bërë thirrje për zgjedhje fer dhe demokratike.
Qendra e votimit do të mbyllen në orën 19, ndërsa rezultatet KSHZ-ja do t’i publikojë në formë elektronike në faqen e saj zyrtare në internet ashtu siç arrijnë nga vendvotimet. (rel)
PANORAMA
Add new comment