Zgjedhjet, konstatohen më pak fletë se votues

Postuar në 04 Qershor, 2013 07:31

Edhe pse na ndajnë 20 dita nga data e zgjedhjeve dhe kompania sllovene Cetis ka filluar me prodhimin e fletëve të votimit, konstatohet një problem serioz lidhur me numrin e fletëve që do të prodhohen.

Partia Socialiste ka depozituar dje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve një kërkesë ku shpreh shqetësimin për mospërputhje të numrit të zgjedhësve në qendra te caktuara votimi me numrin e fletëve të prodhimit të cilat janë porositur për t’u prodhuar.

Janë rreth 2 mijë fletë votimi më pak të parashikuara nga KQZ-ja për ditën e zgjedhjeve. Ekspertët e Partisë Socialiste pretendojnë se nga verifikimi i bërë prej tyre, në 89 KZAZ-të (komisionet zonale), duke krahasuar tabelën e miratuar nga KQZ me listën e zgjedhësve dërguar nga kryetarët e njësive të qeverisjes vendore në KZAZ, rezultojnë disa probleme, të cilat kërkojnë ndërhyrjen e Komisionit.

Në kërkesën e firmosur nga përfaqësuesi ligjor i socialistëve, Genc Gjonçaj, në 46 ZAZ ekzistojnë diferenca ndërmjet numrit të zgjedhësve për të cilat KQZ ka porositur sasinë e fletëve të votimit për çdo QV (qendër votimi) me numrin e zgjedhësve në listat e zgjedhësve dërguar nga kryetarët e njësive të qeverisjes vendore në KZAZ.

“Qendra e votimit nr. 4473 te ZAZ 85, Bashkia Vlorë, mungon te lista e vendimit të KQZ-së (mbi 500 zgjedhës në 2011). Mendojmë që duhet të porositen fletët e votimit në shtypshkronjë, pasi të marrë vendim KQZ”, thuhet në kërkesën e protokolluar dje.

Ekspertët e majtë deklarojnë se në 5 qendra votimit me nr.4456, 4458 dhe 4459 (bashkë me “fraksionet”) në bazë Vendimit të Kolegjit Zgjedhor për caktimin e ZAZ-ve, janë të ZAZ 83, por në Vendimin e KQZ gabimisht janë vendosur te ZAZ 84. Edhe më shqetësuese bëhet situate kur në rreth 500 qendra votimi ka mospërputhje të numrit të zgjedhësve dhe të fletëve të votimit të porositura.

“Në 493 qendra votimit të materialit të KQZ kanë diferenca nga -100 deri + 63 zgjedhës me listat që disponojnë KZAZ-të; nga të cilat 18 QV nga -10 deri -100 dhe 10 QV nga 10 deri 63 zgjedhës”, citohet në gazetën “Shekulli” kërkesa e Partisë Socialiste, e cila pritet që të shqyrtohet nga administrata e KQZ-së, për të porositur fletë votimi shtesë.

 

 

TEMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.