Zgjedhjet e qershorit, KQZ dhe INDRA zhvillojnë testin e numërimit elektronik të votave

TIRANE- Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve dhe kompania spanjolle INDRA është duke zhvilluar në këto momente testin e parë të numërimit elektronik të votave.
Testimi po zhvillohet në ambientet e shkollës “Hasan Prishtina”, ndërsa të pranishëm janë edhe përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar në Tiranë si dhe anëtarët e KQZ-së.
Numërimi elektronik do të vihet në zbatim për herë të parë në qarkun e Fierit më 23 qershor, nga kompania spanjolle “INDRA”, dhe pritet që rezultatet të dalin brenda 24 orëve.
Sipas plan-projektit, KQZ do të caktojë dhe një audit të pavarur për vlerësimin e testimit të parë. Ndërsa raporti do t’i dorëzohet KQZ-së 10 ditë pas testimit, ku do të paraqitet analiza e mbarëvajtjes së projektit. Një muaj para zgjedhjeve, administrata zgjedhore do të realizojë transportimin e pajisjeve skanera, të cilët do të dërgohen nga kompania mëmë INDRA, me qendër në Spanjë. KQZ në kontratën e nënshkruar me firmën spanjolle ka marrë me “qira” përdorimin e teknologjisë, pasi sipas administratës zgjedhore kostoja e blerjes së tyre ishte shumë e lartë. Në qarkun e Fierit është parashikuar që në datën 8 qershor të realizohet testi i parë i përgjithshëm me sistemin elektronik të numërimit të votave. Më pas, procesi më i vështirë do të jetë prodhimi i fletës së votimit që është parashikuar në realizohet më datë 9 qershor. Pas kompozimit të modelit të fletës, modeli do të dërgohet për t’u përgatitur në Spanjë dhe është planifikuar që ky proces të zgjasë dy ditë. Nga data 10 qershor deri në 12 qershor, kompania dhe KQZ do të marrë nga kompania INDRA fletët e vërteta, dhe një ditë është parashikuar të zgjasë vetëm procesi i zhdoganimit. Prodhimi i modelit të fletës së votimit që do të përdoret në qarkun e Fierit, do të jetë dhe “pika e dobët” e procesit të numërimit, pasi në fletën e votimit nuk duhet të jenë më shumë se 46 subjekte zgjedhore. Po ashtu, fleta alternative mund të përmbajë jo më shumë se 66 subjekte zgjedhore. Fletët do të dërgohen në vendet e votimit në Fier më datë 14 qershor, ndërsa më 22 qershor do të bëhet zerimi i sistemit, një ditë para votimit.
PANORAMA
Add new comment