Zgjedhjet e parakohshme, emrat e PS e PD për zëvendësimin Peleshit

Sotiraq Filo nga Partia Socialiste dhe Gjergji Mero nga Partia Demokratike duket se do të sfidojnë njëri-tjetrin për postin e lakmuar të kryetarit të Bashkisë së Korçës në zgjedhjet e pjesshme vendore që pritet të mbahen brenda tetorit. Zgjedhja e kryetarit aktual të Bashkisë së këtij qyteti, Niko Peleshi, në postin e zëvendëskryeministrit të qeverisë së ardhshme që pritet të nisë punën në shtator, ka hapur garën për plotësimin e vendit vakant të kryebashkiakut të Korçës. Dhe tashmë nga të dyja kampet kryesore politike kanë nisur të përfliten dhe emrat që do të kandidojnë për zëvendësimin e Peleshit, ku veç dy emrave favoritë, qarkullojnë dhe një sërë emrash të tjerë me peshë te socialistët dhe demokratët e Korçës.
Të majtët
Megjithëse ende nuk ka një vendim zyrtar, të majtët pritet të konkurrojnë në këtë garë me një kandidaturë të Partisë Socialiste, duke qenë se kjo forcë politike gëzon një mbështetje të fortë në këtë qytet. Ndaj ditët e fundit në gjirin e socialistëve korçarë por edhe në selinë qendrore të PS-së në Tiranë kanë qarkulluar disa emra, të cilët mund të jenë kandidatë të koalicionit të majtë në zgjedhjet e pjesshme që do të mbahen jo më vonë se 45 ditë nga momenti i dorëheqjes së Niko Peleshit. Nisur nga fakti se Peleshi pritet ta japë dorëheqjen vetëm pak kohë para bërjes së betimit si zëvendëskryeministër, pra diku nga mesi i shtatorit, atëherë referuar afateve kushtetuese, zgjedhjet për zëvendësimin e tij do duhet të mbahen brenda tetorit. Kështu emri që është më pranë kandidimit për kryetar të Bashkisë së Korçës si përfaqësues i së majtës është ai i Sotiraq Filos, aktualisht nënkryetar i Bashkisë Korçë. Vetë Filo i kontaktuar dje nga media lidhur me këtë kandidim të mundshëm, nuk ka konfirmuar nëse kishte marrë një emërim zyrtar nga PS si kandidat, por është shprehur i gatshëm ta pranonte këtë sfidë nëse do të përzgjidhej si kandidat. Veç tij, në ambientet e socialistëve të Korçës këto ditë kanë qarkulluar si kandidatë potencialë edhe emrat e Petrika Tollkuçit, aktualisht Drejtor i Tatimeve në Bashkinë Korçë, Ana Verushit, kryetare e PS-së dhe pedagoge në Universitetin e Korçës, si dhe emri i deputetit të zgjedhur së fundmi, Ilir Pendavinji. Kandidati që do të përzgjidhet mes tyre ka shanset më të mëdha që të zgjidhet dhe kryetar bashkie, pasi të majtët në Korçë, nisur nga zgjedhjet e fundit, kanë një mbështetje më të madhe se demokratët.
Të djathtët
Nga ana tjetër, edhe te demokratët e Korçës kanë nisur ethet për zgjedhjet për kryetar bashkie të këtij qyteti. Të disavantazhuar për shkak të rezultateve të fundit zgjedhore, por edhe sepse kjo bashki drejtohet prej shumë vitesh nga socialistët, demokratët duket se po kërkojnë një kandidat që të ketë potencialet e duhura për të sfiduar këtë situatë. Ndaj duket se ata ia kanë vënë syrin pikërisht një prej figurave intelektuale të këtij qyteti, rektorit të Universitetit të Korçës, Gjergji Mero. Ky të paktën është emri më i përfolur deri më tani në kampin blu, pasi ende nuk ka një vendim zyrtar për vetë faktin se akoma nuk ka një garë në kuptimin ligjor për këtë bashki. Veç tij në radhët e demokratëve qarkullon edhe emri i deputetit Gjergji Papa. Gjithsesi duhet theksuar se diskutimi i emrave për kryetar bashkie të Korçës, si për të majtët dhe për të djathtët është në fazën e thashethemeve, pasi ende nuk ka vendime zyrtare të strukturave përkatëse partiake. Çdo gjë pritet të marrë udhë pas dorëheqjes së Niko Peleshit si kryetar bashkie.
MAPO
Add new comment