Zef Brozi: Shqiptarët duhet të ndahen nga e keqja, duhet të ndahen nga tirania e Berishës

Ish- kryetari i Gjykatës së Kasacionit, Zef Brozi, në një intervistë për A1Report, thotë se shqiptarët duhet të dalin masivisht në këto zgjedhje për t’u ndarë nga e keqja dhe për të parandaluar kështu manipulimin e votave.
“Dëshira dhe kërkesa e njerëzve të ndershëm të Shqipërisë, por dhe emigrantëve, është që të shohim zgjedhje të lira dhe të ndershme të Shqipërisë. Pra, të funksionojë procesi, sistemi pastaj se kush fiton do të jetë vullneti i popullit, por personalisht unë uroj që të fitojë opozita. Është për të mirën e Shqipërisë, është për të mirën e secilit shqiptar të ndershëm që nuk është pjesë e klanit të korruptuar dhe të inkriminuar që qeveris këto vite Shqipërinë.
Ndahuni nga e keqja, i bëj thirrje popullit, ndahuni nga e keqja sa nuk është tepër vonë. Dhe pas 23 qershorit, kushdo që nuk është ndarë nga kjo e keqe, le të mos ankohet. Le ta gëzojë edhe për 4 vite dhe më shumë vazhdimësinë e tiranisë. E keqja është Sali Berisha! Nuk ka ditur, nuk di dhe nuk do të bëjë zgjedhje të lira e të ndershme. Mos ja kërkoni këtë.
Por, për të përballuar këtë ligësi dhe dinakëri të tij për manipulimin e zgjedhjeve, që është mjeshtër në këtë, atëherë ka rëndësi vota e të gjithë shqiptarëve të ndershëm.
Shkoni dhe votoni që të minimizohen mundësitë e falsifikimit. Gjithashtu për të minimizuar impaktin që mund të ketë falsifikimet e pushtetit ndaj votave, manipulimeve etj, duhet që prokuroria, organet e drejtësisë të jenë vigjilente, të jenë 24 orë në punë çdo ditë, për të marrë gjithë denoncimet dhe për të filluar verifikimet dhe procedimet. Në këtë aspekt ka shumë mundësi që opozita dhe çdo qytetar të faktojë, të filmojë falsifikimet,” tha Brozi./ep
TEMA
Add new comment