Zbulohen autorët e masakrës, në drejtim të paditur vrasësi

-Tri viktimat e masakrës në një plazh privat në Vlorë janë vrarë gabimisht. Autorët e sulmit nuk kanë pasur për qëllim t’i vrasin viktimat e djeshme, por plumbat kanë bërë rikoshet dhe kanë vrarë dy prej tyre, ndërsa viktima tjetër që në momentin e të shtënave ka qenë në gjumë, u qëllua si pasojë e lëvizjes së armës së autorit nga lart-poshtë. Pra, plumbat kanë kapur drejt e në shezlongun ku ka qenë në gjumë pushuesja. Ky është mekanizmi i masakrës së “Ujit të Ftohtë” të Vlorës, sipas policisë, ku nga një breshëri automatike u vranë Sokol Isufaj, 34 vjeç, Diana Ademi, 53 vjeçe dhe Serdi Bajlozi, 17 vjeç. Policia dhe prokuroria kanë mbledhur me dhjetëra dëshmi për të shkuar deri tek ky konkluzion për ngjarjen e rëndë dhe të paprecedentë. Ndërkaq është shoqëruar dhe mbaj-tur në pranga edhe personi që mendohet se është shkaku i sherrit që shkaktoi masakrën. Njëkohësisht policia ka shpallur në kërkim personin që ka qëlluar me armë në drejtim të pushuesve. Personat që kërkohej të vriteshin nuk janë gjendur në momentin e të shtënave në vendin e ngjarjes, e për fat kanë mundur të shpëtojnë nga sulmi barbar i të riut, që ka mbërritur i armatosur në resort. Ai ka zbritur bashkë me armën e krimit nëpër shkallë, ka gjuajtur për të vrarë personat që ishin zënë me shokun e tij, por plumbat kanë devijuar dhe kanë marrë jetën e njerëzve të pafajshëm. Dy të rinjtë kanë ngjitur shkallët bashkë me kallashnikovin e zbrazur në trupin e tri viktimave. Janë larguar me një fouristradë amerikane, ndërsa pak metra më larg kanë hedhur armën e krimit. Policia ka vënë në pranga Leo Osmënin si dhe ka shpallur në kërkim Delin Hajdarajn. Madje, për këtë të fundit është dhënë edhe një shpërblim nga policia kush jep informacion të saktë.
Hetimet për zbardhjen e masakrës
Policia dhe prokuroria zbardhin ngjarjen e rëndë në plazhin e Vlorës. Ditën e djeshme, si rrallë herë, në një dalje publike dy institucionet bashkë kanë dhënë rezultatet e punës intensive disaorëshe për zbulimin e plotë të motivit dhe të rrethanave në të cilat ka ndodhur ngjarja. Sipas policisë, asnjëra nga viktimat nuk ka qenë objekt i sulmit me armë, ndërsa tashmë pritet që të vihet në pranga edhe autori i këtij sulmi. I dyshuari është 22-vjeçari Delin Hajdaraj. Policia ka shoqëruar me dhjetëra dëshmitarë okularë të cilët kanë qenë të pranishëm në momentin e krimit të rëndë të cilët kanë ndihmuar shumë për të zbardhur, jo vetëm mekanizmin e krimit, por edhe për të hedhur dritë mbi autorët. Nga dëshmitë është fiksuar tashmë se para sulmit me armë, një grup prej pesë vetash nga qyteti i Fierit kanë ngacmuar dy vajza të cilat kanë qenë vetëm brenda ambienteve të resortit. Njëra nga vajzat ka qenë motra e Leos, djalit 19-vjeçar nga qytetit i Vlorës. Motra mendohet se ka telefonuar të vëllanë për t’i ardhur në ndihmë. Leo bashkë Delinin mësohet se kanë qenë te lokali që shikohet në foto. Leo ka mbërritur në plazh dhe është konfliktuar me fierakët, të cilët mësohet se e kanë qëlluar me grushte. Ndërsa Leo ka qenë duke u zënë me fierakët, mësohet se me një çantë në krah ka mbërritur Delini. Ka lënë makinën luksoze në rrugë dhe ka zbritur shkallët duke gjuajtur në drejtim të fierakëve. Asnjë prej tyre nuk ka marrë plumba, ndërsa mësohet se me djemtë që kanë nisur sherrin me Osmënin ka qenë edhe 34-vjeçari Sokol Isufaj. Të dhënat që përfshijnë Isufajn në këtë sherr dolën që mbrëmjen e vrasjes, por meqë hetimi ka përjashtuar pistën e vrasjes me dashje për të riun nga Kurjani i Fierit, besohet se Isufaj nuk do të ketë qenë objektiv i plumbave të të riut.
Vrasjet
Një sërë dëshmitarësh të cilët kanë qëndruar në vend pa u larguar për tu dhënë ndihmën e parë viktimave, packa se nuk kanë mundur t’i mbajnë në jetë asnjërin prej tyre, kanë treguar për policinë edhe momentet e fundit të Sokolit, Dianës dhe të Serdit. Dëshmitarët i kanë thënë policisë së 53- vjeçarja është vrarë në gjumë. Ajo ka qenë e vetme në krevatin e saj kur një plumb e ka kapur në kokë. Më pas është fiksuar se mbi trupin e saj janë lëshuar edhe katër të tjerë. Gjithashtu, një plumb në trup ka kapur edhe Serdin, 17 vjeçarin nga Prrenjasi, i cili ka rënë në ujë. Kanë mbërritur pushuesit për ta ndihmuar për ta nxjerrë nga uji, por mësohet se ai kishte ndërruar jetë në vend. Nuk është sqaruar se si është vrarë Sokol Isufaj, babai i dy vajzave të mitura, por ai është gjendur në një pozicion thuajse ballor me autorin e sulmit, i cili nuk i ka kursyer plumbat mbi të, ndonëse, sipas policisë kanë bërë rikoshet.
Gjurmët në armë e tradhtojnë Osmënin
Ndonëse policia është treguar mjaft e rezervuar në lidhje me personat që kanë marrë pjesë në masakrën e dy ditëve më parë ku u vranë tre persona, bëhet me dije se në të vërtet, njëri nga autorët ka qenë me precedentë penalë. Vijimi i hetimeve ka saktësuar se dy të rinjtë janë shokë me njëri-tjetrin dhe në momentin kur është telefonuar Osmëni ata kanë qenë shumë afër vendit ku ishin protagonistët e sherrit. Policia nuk ka dhënë asnjë detaj mbi katër personat e tjerë që kanë marrë pjesë në grindjen fizike me Osmënin, por kanë treguar se ata do të jenë pjesë e hetimit për të zbardhur të plotë ngjarjen e rëndë ku nga një breshëri kallashnikovi u vranë tre persona. Delin Hajdaraj sipas policisë, dyshohet se është strehuar në ndonjë banesë nëpër zonat e thella të Vlorës, ndërkohë që në të vërtet ka qenë 19-vjeçari Osmëni që ka dashur të mbajë gjithë ngjarjen mbi veten e tij. Ai mësohet se i ka thënë policisë së krimin e kishte kryer ai, por policia zbuloi në armën e krimit gjurmë të tjera gishtërinjsh duke përcaktuar edhe autorësinë e të riut tjetër Hajdaraj.
SHEKULLI
Add new comment