Zbardhet skema e abuzimeve në Bashkinë e Kamzës me fondet shtetërore

Blerja e votave, kryebashkiaku Xhelal Mziu rrit fiktivisht numrin e familjeve me përkrahje ekonomike
Herion Mesi
Përparim Hoxha
Zbulohet skema e abuzimeve me fondet shtetërore që u përdorën për zgjedhjet e 23 qershorit nga njësitë vendore demokrate, me qëllim blerjen e votave. Sipas dokumenteve që disponon gazeta “Shqip”, rezulton se në dy muajt e fundit është rritur në mënyrë fiktive, duke u dyfishuar numri i familjeve që përfitojnë ndihmën për përkujdesjen shoqërore, apo siç njihet ndryshe asistencë ekonomike. Konkretisht, në gjashtëmujorin e fundit, në sportelet e ndarjes së përkrahjes sociale që jepet çdo muaj në Kamzë, nga muaji në muaj ka ndodhur një luhatje e numrit të përfituesve të kësaj zone, që erdhi si rezultat i sajdisjes që kishin pasur gjatë fushatës nga militantët e PD-së. Nisur nga dokumentacioni, rezulton se Bashkia e Kamzës, me vendim të kryetarit të saj Xhelal Mziu, ka dyfishuar numrin e familjeve që përfitojnë këtë ndihmë ekonomike për muajin maj, krahasuar me muajin prill.
Dokumentacioni
Me vendim të kryebashkiakut të Kamzës, Xhelal Mziu, i cili u angazhua fuqishëm në fushatën e kandidatëve të PD-së në këtë zonë, në muajin prill familjet që përfitonin këtë ndihmë ishin 3400, me një fond prej 27.850.000 lekësh të vjetra. Ndërsa, po me vendim të Mziut, ky numër për muajin maj është rritur në 6080 të tilla, ku fondi i vënë në dispozicion për këto familje është 32.473.000 lekë. Pra, kemi një shtesë fondi për këtë kategori personash prej afro 5 milionë lekësh të reja, ku ky numër nga muaji prill në maj thuajse është dyfishuar. Ndërsa, sa i përket numrit të familjeve që përfitojnë në bazë të statusit të jetimit, familjet që kanë trinjakë, familje me shërbim kujdestarie, si dhe familje me urdhër mbrojtje, numri i tyre është 16 dhe është i pandryshuar. Ajo që bie në sy në dokumentacionin që disponohet nga gazeta, bie në sy që dy projektvendimet e Bashkisë së Kamzës mbajnë firmë të ndryshme sa i përket përgjegjësit të Sektorit të Ndihmës Ekonomike në këtë bashki, ku projektvendimi i datës 2.5.2013 është firmosur nga ish-përgjegjësi Kujtim Nezha, ndërsa projektvendimi që mban datën 7.6. 2013 është firmosur nga një tjetër kompetent, Hysni Neza. Ndërsa në vendimin e parë të paszgjedhjeve, ku PD-ja ishte shumë larg fitores së mandatit të tretë qeverisës, Bashkia e Kamzës ul numrin e këtyre familjeve që përfitonin ndihmë ekonomike deri para 23 qershorit. Në projektvendimin e datës 4 korrik, theksohet se numri i këtyre familjeve nga 6080 bëhet 4300. Por mesa duket kryebashkiaku Mziu, nisur nga shpenzimet e shumta të fushatës, akordon një fond më të vogël se sa fondi i shpërndarë në prill, ku për 4300 familje ai përcakton fondin prej 21.820.00 lekë, nga rreth 29 milionë lekë që u vunë në dispozicion për 3400 familjet në prill. Ajo që mbetet e paqartë në këto vendime të Bashkisë së Kamzës është numri real i familjeve që kanë të drejtën e përfitimit të ndihmës për përkujdesjen shoqërore.
Denoncimet
Në periudhën parazgjedhore për zgjedhjet e 23 qershorit u regjistruan një sërë denoncimesh në media për shfrytëzimin e personave në kushte të vështira ekonomiko-sociale nga partia më e madhe qeverisëse, ajo Demokratike. Sipas këtyre denoncimeve u bë me dije se militantët u ofronin këtyre njerëzve të mira materiale, duke u premtuar përfitime të ndryshme. Dhe në këmbim të ofertës u merrnin kartën e identitetit dhe numrin e saj, ku më pas bëhej regjistrimi një për një i personave që do të votonin Partinë Demokratike më 23 qershor. Por, pasi u mësua rezultati i zgjedhjeve, ndodhi një tjetër fenomen, militantët dhe përfaqësuesit e PD-së deklaronin se u prenë në besë nga votuesit e tyre.
Familjet në nevojë
Në janar
Numri i familjeve që përfituan ndihmën dhe përkujdesjen shoqërore ishte 2950, ku Bashkia e Kamzës shpërndau një fond prej rreth 14 milionë lekësh
Në shkurt
Për të njëjtin numër familjesh, 2950, Bashkia e Kamzës akordoi fondin prej 15.416.00 lekësh, apo rreth 1 milion më shumë se në muajin e parë të vitit 2013.
Në prill
Numri i familjeve që përfitojnë përkrahje ekonomike rritet me 350 të tjera, ku për 3400 familje, Bashkia e Kamzës miraton fondin prej rreth 28 milionë lekësh.
Në maj
Ky numër familjesh në mënyrë të pakuptimtë dyfishohet, ku Bashkia e Kamzës për 6080 familje miraton fondin prej 32.473.000 lekësh.
Në qershor
Sërish ndryshon numri i familjeve në nevojë, ku numri i tyre ulet në 4300, për të cilat Bashkia e Kamzës akordon fondin prej rreth 22 milionë lekësh
Pasuritë
Gjatë fushatës, Xhelal Mziu urdhëroi Bashkinë e Kamzës që të niste procesin e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, ku të gjitha veprimet që do bëheshin brenda periudhës 45-ditore të afishimit, ishin “Falas”.
Fakti
Dy javë para votimeve, emisioni “Fiks Fare” solli fakte nga mënyra sesi kandidatët e Partisë Demokratike kërkonin votën e banorëve të Tiranës në këmbim të një pakoje ushqimesh. “Fiks Fare” solli me pamje momente nga shpërndarja e ushqimeve nga stafi i kandidatit të PD-së në Tiranë, Gazmend Dibra.
Shqip
Add new comment