Zbardhet pasuria, PD kushton 2.5 miliardë lekë

Forca kryesore në qeverisjen e vendit, Partia Demokratike “kushton” 252 milionë lekë të reja. Kjo është vlera që kjo forcë i ka vënë të gjithë kapitalit të saj dhe gjendjes monetare që ka pasur për vitin që lamë pas dhe që e ka bërë pjesë të raportit financiar të vitit 2012, i cili është dorëzuar së fundmi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Bëhet fjalë për pasurinë bruto të PD-së në vitin 2012, e cila në shifra fikse kap vlerën e 252 875 758 lekëve, nga të cilat 59 667 285 si gjendje monetare, 98 140 lekë si materiale dhe 192 143 866 lekë si kapitale, ku përfshihen toka, ndërtesa, pajisje, automjete, makineri etj. Megjithatë, siç raportohet në pasqyrën financiare të dorëzuar nga PD dhe që mban firmën e sekretarit organizativ Flamur Noka, pasuria neto e PD-së shkon në 233.4 lekë, pasi 21.9 milionë konsiderohen si teprica të mbartura nga viti 2011. Gjithashtu PD raporton se ka dhe 19.3 milionë lekë si detyrime të pashlyera dhe që duhen paguar, ku shumicën dërmueses e zënë parapagimet të paguara në avancë.
Të ardhurat
Në 2012-ën PD deklaron se ka pasur të ardhura deri në shumën e 65 milionë lekëve, ku pjesën dërrmuese e zënë të ardhurat nga Buxheti i Shtetit. Kështu, financime nga buxheti kanë qenë 59.8 milionë lekë për vitin 2012, nga 83.5 që kanë qenë për vitin 2011. Ndërkohë që 2.9 milionë lekë të reja kanë qenë të siguruara nga kuotat e deputetëve dhe zëri i tretë prej 1.1 milion të reja, si të ardhura nga kompensimi i sigurimeve. Në total rezulton se për vitin 2012 ka patur 65.3 milionë lekë të reja për vitin 2012, kundrejt 172.2 milionë lekëve lekë që ka siguruar për 2011-ën. Kujtojmë se 2011-ta ka qenë një vit elektoral dhe ku të ardhurat kanë qenë më të mëdha, kjo jo vetëm ato të financuara nga buxheti i shtetit, por edhe nga donacionet e ndryshme.
Shpenzimet
Niveli i shpenzimeve që ka realizuar PD gjatë vitit 2012 ka qenë thuajse i barabartë me atë të të ardhurave të siguruara po për këtë vit. Pra bilanci është thuajse zero. Totali i shpenzimeve për vitin 2012 kap vlerën e 65.1 milionë lekëve të reja kundrejt 235.6 milionë lekëve të deklaruar nga kjo forcë si shpenzime të një viti më parë. Të detajuara, shpenzimet e realizuara për 2012-ën janë 41.9 lekë të emërtuara si shpenzime të tjera, 11 milionë lekë shpenzime personeli, ku përfshihen pagat dhe sigurimet dhe rreth 12 milionë të tjera të deklaruara si amortizime. Sa i përket shpenzimeve për personelin evidentohet se PD ka shpenzuar më shumë lekë për pagat e personalit krahasuar një vit më parë. Pagat dhe sigurimet për këtë vit deklarohet të jenë 11 milionë lekë të reja kundrejt 9.6 lekëve të shpenzuara për vitin 2011. Këto dhe të dhëna të tjera më të detajuara janë përfshirë në raportin financiar vjetor që PD ka hartuar dhe ka paraqitur në KQZ. Ky është raporti i dytë i këtij lloji që publikohet, pas atij të vitit 2011.
Kriza, PD-së i bien të ardhurat
nga kuotat e deputetëve dhe anëtarësia
Viti 2012 ka qenë një vit krize edhe për demokratët. Kjo pasi në këtë vit shënohet dhe një nga shifrat më të ulëta të të ardhurave të siguruara nga kuotat e deputetëve dhe të anëtarësisë. Bëhet fjalë vetëm 2.9 milionë lekë të ardhura dhe këto të gjitha nga kuotat që kanë paguar deputetët. Megjithatë, edhe në këtë rast shuma e siguruar nga kuotat e paguara nga deputetët është konsiderueshëm më e ulët se ajo e një viti më parë, ku janë deklaruar plot 4.4 milionë lekë të ardhura nga ky zë. Duke ditur se shuma që paguan një deputet demokrat për kuotën e anëtarësisë është 50 mijë lekë të vjetra në muaj, atëherë lind dyshimi se PD nuk ka mundur dot të vjelë të gjitha kuotat nga deputetët. Por ajo që bie në sy në raportin financiar që ka hartuar vetë PD është se për vitin që lamë pas nuk është deklaruar asnjë lek si e ardhur nga kuotat e anëtarësisë, ndërkohë që një vit më parë deklaroheshin 14 milionë lekë të vjetra. Nuk dihet nëse kemi të bëjmë në këtë rast me një urdhër të vet drejtuesve të PD-së, që në këtë moment krize të mos vjelin kuotizacionet apo nëse vjelja e tyre ka qenë e pamundur të realizohet.
PD regjistron 102 mijë anëtarë partie
Fushata e anëtarësimeve e ndërmarrë gjatë vitit të fundit ka çuar në shtimin e radhëve të anëtarësisë së Partisë Demokratike. Në raportin e firmosur nga sekretari organizativ Flamur Noka, raportohet se Partia Demokratike deri në 31 dhjetor të vitit 2012 kishte plot 102 mijë anëtarë partie. Një shumë kjo konsiderueshëm më e lartë sesa pak vite më parë. Kjo anëtarësi është e organizuar në 407 seksione të partive në të gjithë vendin dhe 4406 grup seksione, të cilat janë dhe strukturat më të vogla organizative në nivel lokal. Sa i përket anëtarësisë të PD-së, ajo rezulton të jetë gati 20 mijë më e madhe sesa ajo e PS-së, e cila shkon në 79 886. Megjithatë, në këtë rast krahasimi mund të mos ketë shumë vend, pasi shifrat për anëtarësinë e PS-së janë të deklaruara për vitin 2011, sepse ato të 2012-ës kjo forcë politike nuk i ka deklaruar ende. Por nisur nga fakti se edhe PS gjatë 2012-ës i vuri si qëllim vetes që të shtonte me gati 30 qind radhët e anëtarësisë së saj, atëherë nëse ky qëllim është realizuar, do të kemi një anëtarësi gati të barabartë për të dyja forcat kryesore politike në vend.
Tabela
Të ardhurat:
Financime nga buxheti 59,852,599
Kuotat nga deputetët 2 900 000
Kuota anëtarësie nuk raportohet
Kompensimi i sigurimeve 1,144,880 lekë
Totali i të ardhurave 65,387,479
Shpenzimet:
Shpenzime të tjera 41,944,260
Shpenzimet të Personelit 11,041,184 lekë
Amortizimi 12,202,411 lekë
Totali i shpenzimeve 65,187,855
Pasuria e PD
Pasuria bruto 252,875,758 lekë
Mjete financiare 59,667,285
Materiale 98,140
Toka, ndërtesa, pajisje, makineri 192,143,866
MAPO
Add new comment