Zbardhet kërkesa për ekstradimin e Arben Frrokut

Zbardhet dokumenti i autoriteteve shqiptare për ekstradimin e Arben Frrokut nga Greqia. Ndërsa pritet që ditën e sotme Gjykata e Lartë në Athinë të gjykojë kërkesën e autoriteteve tona për ekstradimin e të akuzuarit dhe të dyshuarit kryesor për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt, “Shekulli” mundi të siguronte njërën nga kopjet e kërkesës së hartuar nga Ministria e Drejtësisë, për homologët grekë. Biznesmeni i njohur që tashmë ka emrin edhe në listën e kandidatëve për deputetë për qarkun e Shkodrës, si përfaqësues i partisë “Kristian Demokrate”, pritet të përballet me një vendim të rëndësishëm që ndikon në jetën dhe karrierën e tij. Frroku do të ekstradohet ose do të lirohet. Ndonëse 44- vjeçari Arben Frroku ka kalur edhe dy seanca të tjera në këtë gjykatë, ku është refuzuar ekstradimi për shkak, jo vetëm të mos plotësimit të dosjes së tij me prova konkrete, por edhe për faktin që mbrojtësi i tij grek, kanë mbledhur prova të mjaftueshme për të bindur gjykatën që në të vërtetë i arrestuari kërkohet të ndëshkohet politikisht.
Arben Frroku, në lidhjet e tij telefonike nga qelitë e burgut të Selanikut, por edhe para gjykatës greke, ka kërkuar të lirohet dhe të kthehet në Shqipëri për tu përballur me akuzat që ka ngritur Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda si autor i ekzekutimit të kryekomisarit Lamaj.
Më poshtë po botojmë pjesë nga informacioni i prokurorisë dhe i vendimit të gjykatës së shkallës së parë për Krime të Rënda shkëputur nga kërkesa për ekstradim që autoritetet e drejtësisë tonë kanë nisur në drejtim të homologëve të tyre grekë. Gazeta boton thuajse të plotë këto dy versione të akuzave mbi të dyshuarin Arben Frroku si dhe përshkrimin e të vetmes provë të paraqitur, që është një telefonatë me një person në Greqi.
Informacioni i prokurorisë
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë, mbi bazën e njoftimit të bërë nga Drejtoria e Policisë së Qarkut, Tiranë lidhur me vrasjen e shtetasit Dritan Lamaj, ka regjistruar procedimin penal Nr. 40 më datë 24.02.2013, për veprën penale të "Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese", parashikuar nga neni 79/c i Kodit Penal. Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se në datën 24.02.2013 rreth orës 18:30, në rrugën "Ibrahim Dervishi", blloku i banesave "Vasil Shanto", është qëlluar me armë automatike, brenda në mjetin e tij, tip “Lança” me targa TR 2564 N, shtetasi Dritan Lamaj, me detyre Specialist në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. I dëmtuari është transportuar nga personat e pranishëm për në Spitalin Ushtarak, ku ka ndërruar jetë.
Nga hetimet ka rezultuar se viktima është ndjekur nga autorët me një mjet tip "BMW", ngjyrë gri, me targa DR 1944 F dhe në momentin që po parkonte është qëlluar që nga brenda mjetit. Autorët më pas janë larguar nga vendngjarja. Menjëherë u shkua në vendin e ngjarjes dhe u bë këqyrja ku u gjetën dhe u sekuestruan 4 gëzhoja automatiku model 56 dhe 1 trup predhe, të cilat u dërguan për ekspertim. Nga këqyrja e kufomës rezulton se viktima ka marrë 12 plagë arme zjarri me drejtim qitje nga prapa para, goditje të cilat i kanë shkaktuar vdekjen. Në datë 26.02.2013 rreth orës 20.00 është gjetur në afërsi të fshatit Domje e braktisur autovetura tip "BMW", ngjyrë gri, me targa DR 1944 F, të cilës i ishte vënë flaka, por ndërhyrja e zjarrfikësve ka bërë të mundur shpëtimin e saj nga djegia e mëtejshme e saj.; Viktima ka ushtruar disa funksione në Policinë e Shtetit, ku ka qenë edhe në detyrën e Shefit të Komisariatit të Policisë Nr. 6, Tiranë. Ka dyshime të bazuara se vrasja me dashje është kryer për shkak të funksionit të shtetasit Dritan Lamaj si punonjës policie. Ka rezultuar nga hetimet se viktima ka pasur një konflikt serioz me shtetasin nën hetim Arben Frroku, i cili ka një biznes në zonën që mbulon ky Komisariat. Konflikti ka filluar në muajin mars të vitit 2012. Ky konflikt është acaruar më shumë në muajin shtator, kur shtetasi Arben Frroku është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Nr. 6 dhe ka mbetur ende i pazgjidhur. Nga veprimi hetimor i përgjimit të komunikimeve telefonike të shtetasit Arben Frroku, ka rezultuar se ky i fundit menjëherë pas ngjarjes ka udhëtuar nga Tirana në drejtim të qytetit të Korçës dhe rreth orës 21:27 ka kaluar pikën e kalimit Kufitar Kapshticë për në Greqi dhe aktualisht ndodhet atje. Nga pyetja e familjarëve të shtetasit nën hetim si deklarues na rezulton se ikja e shtetasit nën hetim Arben Frroku në drejtim të Greqisë pasditen e datës 24.02.2013 ka qenë e papritur prej tyre. Po ashtu ata pranojnë konfliktin midis familjarëve të tyre dhe viktimës Dritan Lamaj. Mbështetur sa më sipër, dyshohet që shtetasi Arben Frroku është autor i vrasjes së shtetasit Dritan Lamaj, në bashkëpunim me dy persona të tjerë ende të paidentifikuar plotësisht.
Provat, sipas gjykatës
Nga veprimi hetimor i pergjimit të komunikimeve telefonike të shtetasit Arben Frroku, ka rezultuar se ky i fundit menjëherë pas ngjarjes ka udhëtuar nga Tirana në drejtim të qytetit të Korçës, dhe rreth orës 21:27 ka kaluar Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë për në Greqi dhe aktualisht ndodhet atje. Këtë fakt e konfirmon dhe vëllai i tij, shtetasi Mark Frroku, gjatë deklarimeve të tij të datës 24.02.2013. Nga këto përgjime, rezulton se shtetasi Arben në komunikimet e tij, rrugës për në Greqi, me përdoruesin e numrit të telefonit celular 003069…..278 si dhe më bashkëbisedues të tjerë, shprehet entuziast duke krijuar përshtypjen se kishte përfunduar ndonjë 'punë' dhe duhej të festonte. Po ashtu, nga përgjimet e kryera rezulton se familjarë të shtetasit nën hetim shprehen të frikësuar për Arbenin lidhur me faktin se tashme policia ka prova për ngatërrimin e tij në këtë ngjarje.
Nga pyetja e familjarëve të shtetasit nën hetim si deklarues, rezulton se ikja e shtetasit nën hetim Arben Frroku në drejtim të Greqisë pasditen e datës 24.02.2013 ka qenë e papritur prej tyre. Po ashtu ata pranojnë konfliktin midis familjarëve të tyre dhe viktimës Dritan Lamaj. Nga rezultatet e hetimeve të deritanishme rezulton se shtetasi Arben Frroku ka pasur një konflikt shumë serioz me viktimën dhe se menjëherë pas ngjarjes është- larguar në mënyrë të papritur për në drejtim të Greqisë. Të afërmit e tij në komunikimet e tyre shprehen shumë të shqetësuar dhe të trembur pasi policia po zbulon implikimin e Arbenit në këtë vrasje. Të gjitha këto indicie të rëndësishme, të sakta dhe në përputhje me njëra-tjetrën krijojnë dyshimin e arsyeshëm, bazuar në prova, që shtetasi Arben Frroku është autor i vrasjes së shtetasit Dritan Lamaj, në bashkëpunim me dy persona të tjerë ende të paidentifikuar plotësisht. Menjëherë pas kryerjes së krimit autori i dyshuar është larguar nga territori i Republikës së Shqipërisë për në Greqi, me qëllim për t`iu shmangur hetimit dhe gjykimit për këtë krim, fakt që provohet dhe nga të dhënat e marra në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë.
Prokuroria ndryshon datën e gjetjes së makinës
Fakte mbi kërkesën për ekstradim të Aben Frrokut
Dokumenti me anë të të cilit Ministria e Drejtësisë ka kërkuar të bindë Gjykatën e Greqisë për të mundësuar ekstradimin e të shumëpërfolurit si atentator të ish-shefit të Komisariatit nr.6, mban datën 7 Mars. Kërkesa prej 12 faqesh përbëhet nga dy faqe të përpilimit të kërkesës për ekstradim, të një dokumenti identifikimi të të kërkuarit, 3 faqe me shenja gishtërinjsh të personit si dhe informacionet e prokurorisë dhe vendimi i Gjykatës që thuajse janë e njëjta gjë, ndërsa janë edhe një sërë procesverbalesh që janë mbajtur në vendin e vrasjes natën e sulmit barabar mbi kryekomisarin Dritan Lamaj. Në kërkesën e nisur në drejtim të Greqisë bien në sy, jo vetëm gabimet e shumta ortografike, por në këtë kërkesë ka edhe gabime që lidhen me faktet mbi ngjarjen e rëndë. Mosha dhe vendlindjet e të dyshuarit janë të ndryshme brenda këtij dokumentacioni, ndërsa bie në sy fakti që lidhet me gjetjen e automjetit të përdorur për atentatin. Në dokumentacionin e komponentëve të zbulimit dhe të hetimit thuhet se makina është gjetur në Domje rreth orës 20.00 të datës 26 shkurt, që i bie dy ditë pas vrasjes së kryekomisarit. Në të vërtet makina është gjetur ditën e nesërme, pas vrasjes, pra me datë 25 shkurt, në të njëjtin vend dhe para orës 20.00, që pretendohet në dokumentacion.
Në verifikimin e të gjithë materialeve plotësuese të kësaj kërkesë që i është paraqitur gjykatës së Selanikut për çështjen e ekstradimit të të dyshuarit kryesor për vrasjen, Arben Frrokut, policia dhe prokuroria kanë mbajtur mbi 12 procesverbale që lidhen të gjitha me vendin e ngjarjes, momente pas vrasjes së Lames. Janë të dokumentuara si procesverbale edhe dëshmitë e Mark Frrokut, vëllait të të dyshuarit, marrë menjëherë pas vrasjes së të ndjerit si dhe procesverbalet e dëshmive të B. K, F.K dhe A.A, që të gjithë persona që kanë dijeni mbi konfliktin që ka ekzistuar mes viktimës dhe Arben Frrokut në kohën që ka qenë në krye të Komisariatit nr.6.
Pas vrasjes së Kryekomisarit
Vrasja e Kryekomisarit Lamaj, për një periudhë të gjatë, edhe pas 3 muajsh, thuajse nuk ka ende një autor dhe motiv për shkakun e ekzekutimit. Policia e Shtetit u duk se nxitoi me nxjerrjen e emrave dhe urdhërimin e arrestimit të Arben Frrokut bashkë me kushëririn e tij në Selanik rreth 10 orë pas ekzekutimit, ndërkohë që nuk i kishte mbyllur hetimet e duhura. Mirëpo në informacionet e Prokurorisë për Krime të Rënda ka rënë akuza për kushëririn e Frrokut në lidhje me vrasjen. Mbi Jak Jakun, kushëririn e Arben Frrokut, u ngarkua vetëm akuza e armëmbajtjes pa leje. Natën e vrasjes në shtëpinë e tij në Domje u arrestua vëllai i tij 19 vjeç, pasi në banesë iu gjenden armë. Policia lëshoi terren, ndërsa kishte humbur provën kryesore të asaj ngjarjeje të rëndë: makinën e atentatit. Informacionet në lidhje me llojin dhe targën e automjetit kanë shkuar shumë shpejt në duart e policisë dhe të ekspertëve të krimeve të rënda, ndërkohë ajo gjendet vetëm 24 orë pas vrasjes, në flakë, në zonën e Domjes. Kujtojmë se në krye të hetimit të ngjarjes, ku u vra me 12 plumba shefi i policisë, ishin vendosur krerët e policisë së shtetit, të cilët, pak ditë pas nisjes së hetimeve, në një kohë kur ende nuk ishte siguruar asnjë provë që vinte nën akuzë të dyshuarin e tyre Arben Frrokun, dhanë dorëheqjen nga hetimi. Shkak u bënë disa foto të hedhura në rrjetin social, ku krerët e hetimit darkonin me personin që akuzohej për vrasjen. Pas këtij “konflikti moral”, grupi tjetër i hetimit thuajse kishte mbetur pa asnjë provë që implikonte emrin e publikuar në media dhe që ishte paraqitur para gjykatës së Selanikut, si një person që po akuzohet dhe sulmohet pa asnjë lloj prove. Vetëm dy ditë më parë policia dhe prokuroria kanë nisur të zbulojnë një nga një autorët që kanë vjedhur BMW-në e atentatit në Durrës. Vëllai i njërit nga të arrestuarit për vjedhjen e makinës Naim Stafuka, nga Nikla tha se Enver Stafuka ishte shoqëruar shtatë herë në polici për vjedhjen e kësaj makine dhe i ishin ofruar 30 mijë euro që jepte emra.
SHEKULLI
Add new comment