Zbardhen tabelat, pagat e reja të policisë, ushtrisë dhe vendorëve

Pagat e reja të ushtrisë, policisë, Shërbimit Informativ dhe pushtetit lokal kanë hyrë në fuqi dje pas botimit në Fletoren Zyrtare. Ja tabelat e reja të pagave
Ka hyrë në fuqi dje pas botimit në Fletoren Zyrtare rritja e pagave për punonjësit e Policisë së Shtetit, ushtrisë, administratës së pushtetit lokal dhe Shërbimit Informativ. Rritja e pagës është shtrirë sipas pozicioneve të punës dhe vijon nga 2-4 për qind. Tabelat e reja të llogaritura nga Ministria e Financave përfshijnë edhe shtesat që ndodhin për shkak të vjetërsisë në punë, gradave etj. Llogaritja nis që nga paga bazë dhe vijon më pas me shtesat që i takojnë nivelit arsimor, vjetërsisë në punë, pozicionit dhe gradës për policinë dhe ushtrinë. Rritja e pagave këtë herë u krye nga qeveria ndërmjet debatesh nëse duhej të aplikohej apo jo për shkak të rotacionit politik. Mirëpo kryeministri Berisha tha se e mori këtë vendim, i cili ishte programuar qysh në dhjetor të 2012-ës kur u miratua buxheti i vitit 2013. Politika e qeverisë për pagat në vitet e fundit ka qenë më e moderuar gati në nivele të njëjta me inflacionin. Ky tregues gjatë dy-tri viteve të fundit për shkak të krizës nuk ka qenë më shumë se 2-2.5%. Kështu është vepruar edhe për vitin 2012, kur rritja e përgjithshme e pagave nuk ishte më shumë se 2-4%. Sipas Ministrisë së Financave, në politikën e pagave përparësi do të kenë sektorët e arsimit dhe shëndetësisë, ku rritjet mund të jenë pak mbi nivelin e inflacionit. Ndërsa pagat e larta, ku përfshihet administrata publike, do të rriten më pak se 2% në vit. Ekspertët në Ministrinë e Financave shpjeguan se tashmë Shqipëria ka një nivel të pagës mesatare në sektorët e arsimit dhe shëndetësisë në nivele më të larta se disa vende të rajonit. Niveli i rritjes do të frenohet për shkak se kaq janë edhe burimet e financimit dhe se ky nivel pagash është i krahasueshëm edhe me sektorin privat.
MAPO
Add new comment