Vritet një deputet i kuvendit të komunës së veriut të Mitrovicës

Postuar në 16 Janar, 2014 15:25

Një anëtar i kuvendit komunal të veriut të Mitrovicës është vrarë sot në orët e mëngjesit në rrethana të pasqaruara.
Policia tha se ai është qëlluar më armë zjarri para shtëpisë së tij në veriun e këtij qyteti të banuar me shumicë serbe.
Dimitrie Janiçijeviç, ishte këshilltar i kuvendit komunal nga radhët e Partisë së pavarur liberale serbe, e cila është edhe pjesë e qeverisë së Kosovës.
Policia tha se ende nuk dihet asgjë për motivet as autorët e mundshëm të kësaj vrasjeje.
I ndjeri. 35 vjeçar, baba i tre fëmijëve, ishte kandidat për kryetar të kësaj komune në zgjedhjet për pushtetin komunal të vitit që lamë pas.
Zgjedhjet për kryetarin e kësaj komune do të përsëriten nga fundi i muajit shkurt, meqë kryetari i zgjedhur, Kërstimir Pantiç, dështoi të japë betimin duke kundërshtuar që t’u nënshtrohet ligjeve të Kosovës.

Dënohet vrasja e këshilltarit komunal

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dënoi vrasjen, duke e cilësuar atë si “një akt qyqar që ka për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe frikësimin e qytetarëve”.

Në reagimin e presidentes thuhet se vrasja është përpjekje “për të zmbrapsur përpjekjet e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj që të vendosin rend dhe ligj dhe të normalizojnë e stabilizojnë çdo cep të territorit të vendit”.

Ndrësa qeveria e Kosovës e dënoi sot vrasjen duke e cilësuar atë “një akt i rëndë e qyqar dhe sulm të drejtpërdrejtë kundër vullnetit të qytetarëve të Mitrovicës së Veriut dhe kundër vendosjes së sundimit të rendit, ligjit dhe institucioneve legjitime edhe në atë pjesë të territorit të Kosovës”.

Në reagimin e qeverisë thuhet se ajo është e vendosur “që me të gjitha kapacitetet e saj institucionale të vazhdojë përkushtimin për funksionalizimin e plotë të institucioneve demokratike, të zgjedhura nga qytetarët në pjesën veriore të Kosovës”, ndërsa u kërkohet organeve të rendit që të marrin të gjitha masat për të vënë para drejtësisë autorët e vrasjes.

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian  në Kosovë Samuel  Zbogar, është shprehur i tronditur me lajmin për vrasjen në veri. Në një komunikatë për opinion ai thekson se “sa herë që humbet një jetë, ne duhet të ndjejmë dhembshuri. Por në një situatë aq komplekse siç është tani në veri të Kosovës, në momentin kur po formohen institucione tërësisht legjitime dhe demokratike, një vrasje e tillë duhet të dënohet dhe nuk duhet të mbes e pazgjidhur”.

Më lejoni që të nënvizoj edhe një herë që përdorimi i çfarëdo dhune për ta ndërprerë ndryshimin politik apo për t’ju konfrontuar një situate komplekse sociale është e papranueshme. Ne duhet të punojmë të gjithë së bashku, qytetarët e veriut të Mitrovicës të të gjitha komuniteteve, forcat e paqes dhe rendit të Kosovës dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë, për të larguar tensionet dhe për të mbrojtur jo vetëm dinjitetin njerëzor, por edhe atë që është më e rëndësishmja që njerëzit kanë -jetën e tyre”, thuhet në reagimin e zotit Zbogar.

Vrasja u dënua edhe nga shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jean-Claude Schlumberger.

Figurat politike në pjesën veriore të Kosovës kanë qenë cak i disa sulmeve në periudhën para zgjedhore, por asnjë nga këto sulme nuk kanë pasur pasojë kaq të rëndë. Është absolutisht e papranueshme që në këtë ditë dhe këtë shekull zyrtarët e zgjedhur të jenë shënjestra në këtë mënyrë. Zoti Janiçijeviç do të përfaqësonte interesat e elektoratit të tij, diçka që duhet respektuar në çdo shoqëri demokratike”, thuhet në reagimin e ambasadorit Schlumberger

Vrasja u dënua edhe nga kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç. Ai u th mjeteve serbe të informimit që ndonëse “nuk i di motivet apo arsyet, por pasi bëhet fjalë për një pjesëtar të organizatës politike, që ka marrë pjesë në zgjedhjet lokale, natyrisht se kjo ka edhe pasoja politike”.

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.