Vrau hasmin pasi doli nga burgu, 35 vite burg për Korrën.

Prokurori Ardian Nezha, ka kërkuar 35 vite burg për shtetasin Festim Korra, njeriun që një vit më parë ekzekutoi me 7 plumba Hyqmet Pishën, i cili kishte vetëm pak ditë që kishte dalë nga burgu i Peqinit. Sipas prokurorit Nezha gjatë fazës së hetimit është provuar se Korra ka vrarë Hyqmet Pishën në qendër të Elbasanit, pak ditë pasi ky i fundit u lirua nga burgu.
Kjo vrasje e ndodhur në qershor të vitit të kaluar, është e treta mes familjes Pisha dhe Korra në qytetin e Elbasanit. Vetëm pak ditë, pasi kishte dale nga burgu, Hyqmet Pisha u ekzekutua me 7 plumba në një lokal në qendër të Elbasanit nga personi i shpallur në kërkim Festim Korra. Edhe kjo vrasje, sipas hetuesve, është në vazhdën e gjakmarrjes mes dy familjeve në Elbasan, që i ka fillesat në vitin 1994. Sipas prokurorisë, gjithçka ka nisur në verën e vitit 1994, kur pas një zënke të momentit, Qemal Korra ka vrarë nipin e Hyqmet Pishës.
Tre vjet më pas, Hyqmet Pisha ekzekuton në qendër të Elbasanit, autorin e vrasjes së nipit të tij, Qemal Korrën. Për këtë vrasje, Pisha u dënua nga Gjykata me 13 vjet burg. Por, edhe pse kishte vuajtur vitet e burgut, sapo la qeline, Festim Korra, ekzekutoi me 7 plumba autorin e vrasjes së vëllait të tij. Për këtë vrasje të kryer për gjakmarrje, në Gjykatën e Krimeve të Rënda prokurori kërkoi dënimin e tij me 35 vjet burg. Në sallë mungonte i pandehuri i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi policia nuk ka arritur ta gjeje dhe ta arrestoje atë.
Add new comment