Vrasja e Lamaj në pikën zero, liri për ish-policin e makinës së atentatit

Postuar në 09 Prill, 2013 04:24

 

TIRANE- Më tepër se një muaj e gjysmë pas vrasjes së kryekomisar Dritan Lamajt, hetimet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës po bien gjithnjë e më shumë në pikë të errët për zbardhjen e saj. Deri më tani personat të cilët policia e Tiranës ka shoqëruar si të përfshirë direkt apo indirekt në ekzekutimin mafioz të Dritan Lamajt, kanë pasur alibi të besueshme ose së paku ligjërisht mbeten të pastër deri sa policia e Tiranës nuk ka gjetur prova ligjore për t’i mbajtur ata pas hekurave si të përfshirë direkt. Pak ditë më parë Gentian  Dedja, i dyshuar si i përfshirë në vjedhjen e veturës së markës “BMË”, me ngjyrë gri me targa DR 1944 F, që dyshohet se u përdor në vrasjen e Lamajt, u la i lirë nga Prokuroria pasi ndaj tij nuk kishte prova se ai të kishte vjedhur veturën e përdorur me 24 shkurt të këtij viti, kur në rrugën “Petro Korçari” së paku dy persona të dyshuar qëlluan me breshëri automatiku në drejtim të veturës së tij të markës “Lancia” Ypsilon.

Gentian Dedja, 32 vjeç, banues në fshatin Larushk të Fushë-Krujës, u arrestua nga policia e Krujës me akuzën e vjedhjes së automjeteve, vetëm pak ditë pas vrasjes së Lamajt. Ai u ndalua me akuzën e vjedhjes në bashkëpunim në cilësinë e personit që kishte vjedhur veturën e përdorur nga autorët e vrasjes së Lamajt. Veç tij, policia tha se kishte arrestuar Dedjen, dhe se kishte shpallur në kërkim një bashkëpunëtor tjetër të tij, i dyshuar gjithashtu si i përfshirë në vjedhjen e veturës që ndihmoi më pas në vrasjen e Lamajt. Policia nuk dha emër të personit tjetër, por tha se ka identifikuar atë dhe pritej të kryente arrestimin e tij. Në një deklaratë për shtyp blutë e Durrësit, pas arrestimit të tij, thanë se kishin arrestuar Gentjan Dedjen 32 vjeç, banues në fshatin Larushk të Fushë-Krujës, i cili ishte larguar vetëm një muaj më parë nga detyra e tij si punonjës i policisë së Burgut të Zaharisë në Krujë.

Më tepër se një muaj pas ndalimit të tij, Dedja u la i lirë nga policia, pasi ndaj tij nuk u gjetën prova që ta përfshinin atë në vjedhjen e ndodhur në Durrës pak ditë përpara se të vritej Lamaj.

Edhe pse hetuesit e Policisë së Tiranës dhe asaj të Durrësit hetuan të gjitha lidhjet e mundshme të të dyshuarit, në asnjë rast nuk u gjet ndonjë fakt që ta lidhte atë me vjedhjen e automjetit të përdorur në vrasjen mafioze ndaj Lamajt. Pas këtij konfirmimi, organet e hetimit vendosën të lënë të lirë Dedjen, ndërsa ai që në fillim kishte ngritur versionin se kishte qenë në spital për të vizituar të birin e sëmurë. Ndërkaq, veç tij hetuesit e policisë së kryeqytetit dhe të policisë së Durrësit, vazhdojnë shoqërimet e personave konkretë të dyshuar si të përfshirë në vjedhjen e veturës së përdorur në atentatin ndaj ish-shefit të komisariatit nr.6 në kryeqytet, kryekomisar Dritan Lamaj.

Vetura dyshohet se është vjedhur me datë 23 shkurt në rrugën ‘Aleksandër Goga’ në Durrës, ndërsa një ditë më pas Lamaj u qëllua nga dy persona ende të paidentifikuar, në oborrin e bllokut të pallateve ku ai banonte. Lamaj u qëllua me breshëri nga një person që më pas u largua me këtë veturë, duke dalë në një rrugicë pranë KESH-it, e më pas dyshohet se është larguar në drejtim të rrugës “Medar Shtylla” në bllokun e banimit të njohur me emrin “Komuna e Parisit”. Pikërisht këtë itinerar dyshohet se ka kryer autori i vrasjes, ndërsa dalja në këtë zonë është konfirmuar edhe nga vetë Arben Frroku, i dyshuar për vrasjen e Dritan Lamajt. Pavarësisht këtij fakti dhe dyshimeve mbi Frrokun, mbi të deri më tani nuk rëndon asnjë provë direkte që ta lidhë atë me vrasjen, veç konflikteve që ai ka pasur me Lamajn, për shkak të faktit se ky i fundit e kishte shoqëruar disa herë kur kryente funksionin e shefit të komisariatit nr.6, në Tiranë.

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.