Vrasja e Komisarit të Burrelit, në gjyq trafikantët e armëve

Postuar në 11 Korrik, 2013 07:33

Prokuroria mbyll hetimet për vrasjen e komisarit Skura dhe e kalon çështjen për gjykim. Kështu, Fitim Alla, 19 vjeçari nga fshati Suç i Burrelit, do të dalë para gjykatës për të vijuar gjyqin me akuzën në ngarkim të tij, për plagosje me pasojë vdekjen e komisarit të Burrelit, Musa Skura. Ngjarja ndodhi në 100-vjetorin e krijimit të Policisë së Shtetit dhe Skura u qëllua duke qenë në krye të operacionit për ndalimin e trafikimit të një sasie të madhe municionesh. Informacionet në drejtim të policisë kishin përcaktuar vendin në të cilin do të kryhej shitja dhe pikërisht në këtë pikë ishte vendosur që të kryhej ndërhyrja nga ana e efektivëve të Matit. Pak pa shkuar në destinacionin e përcaktuar, policia dalloi në anën e sipërme të rrugës dy persona që po tentonin të largoheshin me vrap. Komisari zbret i vetëm nga makina e tij dhe iu bën thirrje dy të rinjve që të ndalonin. Mirëpo të rinjtë, jo vetëm që nuk janë ndaluar, por njëri prej tyre ka nxjerrë armën që mbante me vete dhe ka qëlluar mbi të. Tre plumba të lëshuar mbi trupin e komisarit mbajnë autorësinë e Fitim Allës. Kolegët e komisarit ndaluan të riun dhe shokët e tij, ndërsa Musa Skura kaloi në vdekje klinike. Autoritetet kërkuan që Skura të nisej në drejtim të Italisë për një mjekim të specializuar. Por, komisari nuk iu rezistoi dot plagëve të marra. Ndërron jetë tetë ditë më vonë.

Dosja në gjykatë

Dje, Prokuroria e Përgjithshme ka njoftuar se u mbyll dosja e hetimit për vrasjen e komisarit Musa Skura, ngjarje e ndodhur më 13 janar 2013 në Mat. Dosja është dërguar në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku organi i akuzës kërkon dënimin e shtetasit Fitim Alla, si autori kryesor i vrasjes së komisarit. Shefi i Krimeve të Policisë së Matit, u plagos me një plumb në gjoks dhe 2 të tjerë në trup, mbrëmjen e 13 janarit gjatë një operacioni për arrestimin e anëtarëve të një bande që trafikonte armë, në rrugën nacionale Burrel- Klos, në afërsi të fshatit Suç të rrethit të Matit. Gjithashtu, mbeti i plagosur edhe njëri prej agresorëve, Fitim Alla. Policia arrestoi 19-vjeçarin Fitim Alla dhe 18-vjeçarin Vilson Milkurti. Ndërkohë, në afërsi të vendit të ngjarjes është kapur edhe Edison Lleshi, 18 vjeç dhe një 15-vjeçar me inicialet A.LL. Komisar Skura, si pasojë e plagëve të marra, ndërroi jetë mbrëmjen e 21 janarit, në një spital në Itali.

Argumentimi i kërkesës

Me datë 13.01.2013 në bazë të një plani operacional, forcat e policisë së Komisariatit të Policisë Mat, janë vënë në ndjekje të një veprimtarie kriminale në drejtim të transportimit, shitjes dhe blerjes së municioneve. Gjatë këtij operacioni në ndjekje të autorëve ka mbetur i plagosur rëndë efektivi i policisë në detyrë, shtetasi Musa Skuraj, i cili disa ditë më vonë për shkak të plagëve të marra, ka gjetur vdekjen. Efektivi i policisë Musa Skuraj është goditur me armën tip automatik, që i përket të pandehurit Fitim Alla. Sipas dinamikës së veprimeve, i pandehuri Fitim Alla është përleshur me efektivin e policisë duke gjuajtur dhe me armë luftarake në drejtim të tij. I pandehuri Fitim Alla së bashku me të pandehurit Vilson Milkurtaj dhe Edison Lleshi në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë marrë masat për të gjetur, mbajtur, siguruar një sasi të konsiderueshme municioni me qëllimin për ta shitur atë. Sipas aktit të ekspertimit të datës 14.01.2013, rezulton se sasia e municionit të sekuestruar me cilësinë e provës materiale në vendngjarje përbëhet nga fishekë të rregullt teknikisht dhe të përshtatshëm për të realizuar qitje. I pandehuri Fitim Alla në lidhje me ngjarjen e ndodhur deklaron se ishte në vendngjarje dhe se është ndjekur nga efektivi i policisë i ndjeri Musa Skuraj. Në analizë të provave të dala nga hetimi rezulton se efektivi i policisë Musa Skuraj u është afruar në distancë të afërt personave të dyshuar për kryerje vepre penale të cilëve iu ka kërkuar të ndalonin. Të pandehurit Fitim Alla dhe Vilson Milkurti, pasi kanë kuptuar praninë e forcave të policisë, kanë tentuar të largohen dhe në këtë moment efektivi i policisë Musa Skuraj ka thirrur disa herë ‘NDAL POLICIA’ dhe është vënë në ndjekje të tyre. Në ndjekje e sipër, pasi ka arritur të kapë të pandehurin Fitim Alla, ky i fundit duke qenë i pajisur me armën tip automatik model 56, kalibër 7.62 mm, ka realizuar qitje drejt efektivit të policisë.

 

 

SHEKULLI

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.