Vrasja e biznesmenit, zbulohet konflikti me dy vëllezër kuksianë

Postuar në 07 Maj, 2013 04:00

Tiranë  Një ditë pas vrasjes së ndërtuesit të njohur, Hikmet Kotorri, policia e kryeqytetit ka orientuar hetimet në pistën e një konflikti për shkak të biznesit. Tetë persona janë shoqëruar në mjediset e policisë për këtë ngjarje, ndër të cilët edhe dy vëllezër kuksianë, pronarë të një lokali në rrugën e Elbasanit. Lajmi bëhet i ditur për gazetën “Mapo” nga burime pranë grupit të hetimit, të cilët thanë se vëllezërit kuksianë janë marrë në pyetje mbi marrëdhëniet e tyre me biznesmenin Kotorri. Kanë qenë familjarët e viktimës 44-vjeçare, ata që kanë pohuar në polici se i afërmi i tyre kishte një konflikt me vëllezërit nga Kukësi. Megjithatë, policia nuk ka ende asnjë të dyshuar për atentatin e ndodhur mbrëmjen e së dielës në rrugën “Besnik Sykja ” në Tiranë. Hetuesit e policisë thonë se janë duke hetuar paralelisht edhe pista të tjera për të zbardhur vrasjen e bujshme të së dielës. Burimet e policisë thonë se Kotorri ka pasur një ortakëri në biznes, e ndarë krejt normalisht muajt e fundit. Kjo ka bërë që policia dhe hetuesit e saj të orientojnë pistat e hetimit edhe në disa konflikte të tjera, që në të gjitha rastet lidhen me biznesin e ndërtimit. Oficerët e Zyrës së Hetimit të Vrasjeve veç konfliktit me dy vëllezërit nga Kukësi, ku këta të fundit kanë pohuar se është zgjidhur gjatë ditëve të fundit, po verifikojnë edhe arsyet e ndarjes së Hikmet Kotorrit me ortakët në biznes. Të afërm dhe miq të Kotorrit thanë se nuk dinin që ai të kishte konflikte me persona të ndryshëm, veçse e njihnin atë si njeri të respektuar ndër miq, kolegë e bashkëpunëtorë. Hikmet Kotorri, 44 vjeç, banues në Tiranë, në rrugën “Besnik Sykja”, u qëllua mbrëmjen e së dielës ndërsa mbërrinte në shtëpi, duke zbritur nga një prej veturave të tij. Autorët besohet se i kishin zënë pritë pranë hyrjes së shtëpisë së tij, një pallat i ndërtuar kohë më parë prej tij. Ai besohet se është qëlluar nga një person i vetëm me një armë zjarri pistoletë, që më pas është larguar me shpejtësi. Në rindërtimin e skenës së krimit policia thotë se një autor i dytë e ka ndihmuar ekzekutorin për t’u larguar nga perimetri i zonës. Dëshmitarët e pakët, të marrë në pyetje nga policia, kanë fiksuar një person me trup të imët në zonë. Nga kontrolli i kryer në zonën përreth, policia mësohet se ka siguruar pamjet e një kamere vëzhgimi, e cila ishte në një distancë të largët me vendin e krimit. “Pamjet e kamerave nuk ishin të qarta”,- tha një burim nga grupi hetimor, duke mos i varur shpresat aty për zbardhjen e ngjarjes. Hetuesit mësohet se kanë kontrolluar zonën për të gjetur kamera të tjera vëzhguese, pa mundur të sigurojnë prova domethënëse. Në vendin e ngjarjes veç gëzhojave të një pistolete, hetuesit mësohet se kanë administruar disa prova të tjera biologjike që pritet të verifikohen nëse janë të vlefshme për krahasim apo jo dhe më pas të vendoset nëse ato do të jenë pjesë e fashikullit për zbardhjen e ngjarjes. Hikmet Kotorri u vra disa javë pas një atentati në adresë të mikut të tij, i cili mbeti i plagosur gjatë shpërthimit në makinën e tij.

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.