Votojnë 165 mijë të rinj, si ndahen në 12 qarqe

Zbardhet numri i votuesve të rinj në çdo qark të vendit, që do të votojnë më 23 qershor. Panorama shkruan sot se në lista janë 40 mijë të rinj që votojnë për herë të parë në Tiranë.
Partia Demokratike dhe ajo Socialiste kanë nisur një betejë për “joshjen” e të rinjve, gjimnazistë, të cilëve u lind e drejta që të votojnë për herë të parë në këto zgjedhje. Më 23 qershor do të votojnë për herë të parë rreth 165 mijë të rinj të grup-moshave 18, 19 dhe 20 vjeç. “Panorama” publikon statistikat zyrtare për numrin e të rinjve që u lind e drejta për të votuar për herë të parë. Kjo është dhe një nga arsyet kryesore pse dy liderët politikë e kanë spostuar një pjesë të rëndësishme të fushatës në rrjetet sociale “Facebook”, “Twitter” apo dhe Youtube. Fushatat online dhe spotet apo dhe pasqyrimi i mitingjeve të forcave kryesore synon pikërisht të “thithë” votuesit e rinj, të cilët sipas statistikave, kalojnë një kohë të konsiderueshme në internet. Sipas Regjistrit të Gjendjes Civile dhe listave zgjedhore, në total në të gjithë Shqipërinë janë rreth 165 428 të rinj që kanë fituar të drejtën e votës të datëlindjes 1993, 1994 dhe 1995. Këta të rinj nuk kanë votuar më parë në zgjedhjet e 2009-s, pasi dhe ata në datëlindje ’93 kanë qenë në moshën 16 vjeç. Nga të dhënat e Regjistrit të Gjendjes Civile vihet re se Tirana është “vatra” kryesore e votave të “reja” dhe në total numërohen rreth 40 mijë votues të rinj. Nga këta votues të rinj vetëm 1798 kanë kaluar këtë vit moshën 18 vjeç dhe janë zgjedhës me të drejtë vote. Një pjesë e strategjisë së liderëve politikë është spostuar dhe te shkollat e mesme apo vitet e para të universiteteve, të cilët kanë fituar rishtas të drejtën e votës. QARQET Në qarkun e Durrësit, sipas të dhënave të Regjistrit të Gjendjes Civile, janë rreth 14 854 të rinj që do të votojnë për herë të parë në këto zgjedhje. Në Durrës numërohen rreth 3544 gjimnazistë që u lind këtë vit e drejta të marrin pjesë në votime. Ndërsa në qarkun e Elbasanit janë rreth 16 mijë votues të rinj, të datëlindjeve 1993, 1994, dhe 1995, që do t’u drejtohen kutive të votimit më 23 qershor. Ndërkohë, qarku i Fierit duket së është i dyti pas Tiranës, pasi ka një rritje të numrit të votuesve për herë të parë, të cilët numërohen deri në 18 913. Nga këta votues, rreth 3951 u lind e drejta pikërisht para qershorit për të votuar, pasi mbushim moshën 18 vjeç.
PANORAMA
Add new comment