Vorpsi: PS, sulme dhe shpifje, PD nuk bën ndërtime tek Sarajet, janë monument kulture

Postuar në 22 Gusht, 2013 16:51

Partia Demokratike ka akuzuar sërish kryesocialistin Edi Rama për shpifje në lidhje me akuzat e këtij të fundit për selinë e re të demokratëve. Sipas zëdhënëses, Laura Vorpsi, Partia Socialiste nuk heq dot dorë nga zakoni i shpifjeve dhe sulmeve të pabaza ndaj Partisë Demokratike dhe ndaj institucioneve. “Shpifës tashmë të çertifikuar dhe të njohur nga gjykatat e vendit, hedhin baltë çdo ditë mbi opozitën dhe Presidentin duke dëshmuar vetëm revansh dhe hakmarrje, dhe në asnjë rast argumente dhe fakte.

Së fundmi Edi Rama thotë se PD paska ndërmend të prishë selinë e të ndërtojë në truallin e ri, duke përfshirë edhe territorin përtej godinës ku gjenden Sarajet, dhe kjo sipas PS-së që të përfitojë Kreu i Shtetit.

Sot po u bëjmë të njohura disa fakte publike dhe që i di çdo qytetar i informuar dhe i interesuar, përveç Partisë Socialiste.

Territori tek selia e PD-së është pronë shtet. Ndërkohë, sarajet është monument kulture kategoria 1 dhe B dhe nuk mund të ndërtohet.

Lejen e ndërtimit për këtë zonë mund ta japë vetëm KRTSH, pra qeveria e ardhshme e vendit.

Mund të verifikohet fare lehtë se godina e PD-së dhe trualli i saj kanë në hipotekë numrin 1/242. Parkingu i PD ka numër pasurie 1/66. Dhe prona e familjes Kosova, për të cilën shkruan gazeta Shqip, ka numër pasurie krejt tjetër, 1/65, dhe është godina e vjetër ngjitur me Torre Drin, sot e quajtur Sarajet.

Presidenti Nishani ka qenë 5 vjet ministër dhe 1 vit president dhe në asnjë rast nuk ka bërë përpjekje për ta hequr atë objekt nga lista e monumenteve të kulturës, pra për të bërë të mundur ndërtimin aty.

Pra është e qartë se në gjithë këtë tymnajë të Partisë Socialiste dhe medias së saj, në asnjë moment nuk ka takim me të vërtetën. Nga fillimi deri në fund, një fushatë shpifjeje dhe denigrimi. Partia Socialiste po ndërmerr një kryqëzatë ndaj institucioneve dhe ndaj opozitës, ndërkohë që vendi ka nevoja të tjera, dhe qytetarët kanë votuar programin e premtimet zgjedhore dhe jo histerinë politike të Edi Ramës.

Me sulmet ndaj Institucioneve dhe opozitës, Edi Rama ndoshta përmbush komplekset e tij politike dhe nevojën për revansh që ndjen në venat e tij, por ai nuk do të mundet për asnjë moment të shkurajojë Partinë Demokratike në misionin e saj për të qëndruar në krah të qytetarëve përballë planeve për keqqeverisje dhe projekteve për përfitime personale të qeveritarëve të rinj.

Pas çdo sulmi dhe fushate denigruese të Partisë që ka fituar zgjedhjet, demokratët dhe opozitarët e vendit bëhen edhe më të fortë, dhe më të bashkuar përballë Edi Ramës dhe kabinetit të tij privat, e qeverisjes së tij private”, tha Vorpsi.

 

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.