Volfarth: KQZ me 4 anëtarë e ligjshme, po jo e besueshme

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Volfarth, deklaroi dje se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund të funksionojë nga pikëpamja ligjore me katër anëtarë, por sipas tij, vihet në pikëpyetje besueshmëria e zgjedhjeve. Gjatë një interviste për “Bugajski Hours” në “AS”, kryediplomati i OSBE-së tha dje se mungesa e anëtarëve të zgjedhur nga opozita cenon besueshmërinë e KQZ-së, të cilën, sipas tij, u takon palëve ta çojnë në vend. “Pati vetëm një zëvendësim nga ana e qeverisë. U hoq një anëtar në një mënyrë që ende ka nevojë për analizë të mëtejshme, në baza ligjore jo aq të qarta. Por, pikësëpari, ia lë palës shqiptare që ta zgjidhë këtë. Kjo krijoi disa valë që e çoi anën tjetër drejt disa dorëheqjeve, që erdhën gjithashtu në hapa të ndryshëm, për arsye të ndryshme dhe mbase edhe bazuar në sfonde të ndryshme. Ajo që mbetet është një Komision Qendror i Zgjedhjeve i cunguar, me vetëm katër nga shtatë anëtarë. Për vendimet teknike dhe sipas legjislacionit, ai është funksional. Por aspekti i ligjshmërisë është vetëm një gjë. Është shumë e rëndësishme të ketë besueshmëri maksimale, e cila është, sigurisht, e kufizuar kur nuk ka anëtarë të emëruar nga opozita”, tha Volfarth. Kreu i OSBE-së fajësoi dje dy forcat politike për prishjen e imazhit të KQZ-së disa muaj para zgjedhjeve. “Po, absolutisht. Të dyja palët, me të meta, me veprime jo në interes të popullit, për arsye shumë të ndryshme, mbi baza ligjore shumë të ndryshme, por me të njëjtin përfundim: dëmtimin e një organi që duhet të jetë teknik dhe plotësisht funksional para zgjedhjeve të përgjithshme”, theksoi ai. Volfarth tha se rikompozimi i KQZ-së në një kohë kaq të kufizuar afër zgjedhjeve kërkon arsye të forta. “Kjo do të kërkonte shpjegime të mëtejshme se përse duhet bërë një gjë e tillë kaq afër zgjedhjeve. Meqë ra fjala, znj. Lleshi dhe z. Biba, i cili dha dorëheqjen, kanë bërë një përpjekje të madhe, një punë shumë të mirë. Kanë punuar mirë e bukur bashkë, të mbështetur nga ekipi. Pra shumë, në mos e gjitha, e asaj që po shohim, mund të ishte shmangur”, tha ai.
KRITIKAT NDAJ PS DHE LSI
Kryediplomati i OSBE-së Volfarth kritikoi në mënyrë indirekte dhe strategjinë e zgjedhur nga PS dhe LSI për të dorëhequr anëtarët në KQZ. “Ndiej keqardhje për anëtarët që kanë mbetur, duke filluar nga kryetarja, zonja Lleshi. Duket sikur ata kritikohen shumë dhe prapëseprapë duhet të punojnë me shumë energji për të bërë përgatitjet për këto zgjedhje. Këtu vihet në pikëpyetje legjitimiteti. Vihet në pikëpyetje edhe vullneti politik, të cilit i mëshoi edhe ODIHR-i pas zgjedhjeve të fundit. Ku është vullneti politik i palës tjetër? Mos jemi në një skenar dhëmb për dhëmb? A janë PS-ja dhe LSIja tani të përjashtuara nga zbatimi i ligjit dhe detyrimet e privilegjet që kanë partitë, vetëm sepse u hodh një hap tjetër i diskutueshëm?! A do të thotë kjo që nga ana tjetër të tregohesh destruktiv për të rritur legjitimitetin?! E lë në dorë të drejtuesve politikë. Përsëri u bëj thirrje t’u përmbahen angazhimeve. Ata thonë se janë të angazhuar për interesat e popullit shqiptar, por duhet t’i përmbushin ato. Kur janë të pakënaqur me elemente të vendimeve apo procedurave të caktuara, mund të ngrenë zërin. Edhe në Shqipëri është e mundur të ngresh zërin pa përdorur fjalor të papërshtatshëm. Dhe qytetarët, mund t’ju siguroj nga informacionet që marrim, do ta mirëprisnin këtë, sepse ata duan të kenë zgjedhje, duan të ndërtojnë besim te sistemi, dhe kjo bëhet më mirë kur të gjitha kampet politike përfaqësohen në mënyrë aktive në institucione kyçe, siç është KQZ-ja, në përgatitjen e zgjedhjeve të përgjithshme. Këto janë të meta për të cilat nuk do reshtja së ngrituri zërin. Vërtet nuk arrij ta kuptoj pse u zgjodh kjo taktikë si opsion i mirë. Nuk është opsion i mirë”, iu përgjigj Volfarth pyetjes së Januz Bugajskit.
PANORAMA
Add new comment