Vlora çel sezonin turistik, Rama: Qeveria e izoloi, ne do ta zhvillojmë

Postuar në 11 Maj, 2013 08:44

 

ka çelur sot sezonin turistik me një sërë aktivitetesh të ndryshme, në të cilat kanë bërë pjesë edhe kreu i opozitës Edi Rama, kreu i prezencës së OSBE-së në vendin tonë Eugen Wolfarth. Qytetari i parë i Vlorës Shpëtim Gjika në fjalën e tij të rastit u shpreh optimist se sezoni turistik 2013 do jetë më i pasur dhe frytëdhënës se asnjëherë tjetër.

“Sot çelim sezonin veror me një shpresë të re se muajt që vinë do jenë ndryshe, vera e sivjetme s’do jetë vetëm periudha ku presim pushues, por i një ndryshimi të madh. Ne kemi ditur të presim dhe përcjellim ata që kanë zgjedhur bregdetin tonë për të pushuar, nga Kosova dhe vende të tjera të botës. Kemi treguar se turizmi lind dhe zhvillohet së pari këtu në Vlorë, në vendin e vlerave kulturore, historike, bukurive natyrore. Jemi të bindur se sezoni turistik 2013 do jetë më i pasur dhe më frytëdhënës se asnjëherë. Prania e Kryeministrit të ardhshëm është dëshmi e një Rilindje e cila do të nisë nga Vlora. Nuk mjaftohemi me ato çfarë kemi arritur, por duam të bëjmë më shumë. Mirë se erdhët dhe sezon të mbarë të gjithëve”,- ka thënë ai. Ndërkohë kreu i opozitës, i cili kryeson edhe listën e kandidatëve për deputetë në këtë qark, ka premtuar se në 4 vitet e ardhshme do bëjë për Vlorën aq sa nuk është bërë për 20 vite me radhë.

“Do ndërtojmë për Vlorën gjithçka që i duhet, që katër vjet më pas të kthehet jo vetëm në një pikë referimi për historinë, por që çdo turist do donte për të kaluar pushimet në Vlorë. Ne do të bëjmë me shpejtësi një plan zhvillimi për Vlorën, do rindërtojmë sheshin e pavarësisë, gjithë rrugën lidhëse, do hapim kantierin e madh drejt pedonales. Do ndërtojmë bay-passin, duke hequr makinat nga bregdeti. Ne do hyjmë në çdo lagje të Vlorës, do ndërtojmë për çdo lagje ato hapësira publike që Vlorës sot i mungojnë, pasi jo vetëm nga kjo qeveri por dhe ato të mëparshmet i janë mohuar investimet. Vlora do të bëhet porta e Shqipërisë ndaj Mesdheut, Europës. Bashkë me Durrësin do bëhet shembulli i një zhvillimi. Do tu japim fund ndërtimeve pa leje në gjithë bregdetin. Nga Vlora do nisim rrugën e një Rilindje shqiptare. Kanë kaluar 100 vjet që kur u ngrit flamuri i pavarësisë, jemi të bindur se firmëtarët e pavarësisë nuk do ishin të lumtur të shihnin Shqipërinë kaq mbrapa. Është koha për të ngritur në këmbë popullin tonë, vendin tonë, për ti dhënë Shqipërisë fuqinë e një zhvillimi, fuqinë për të shkuar drejt Europës dhe për të bërë realitet amanetin e etërve tanë”,- tha Rama.

Kryesocialisti ka akuzuar qeverinë se jo vetëm i ka kthyer shpinën në 8 vite qeverisje Vlorës, por ka bërë dhe gjithçka për të bllokuar zhvillimin e këtij qyteti.

“Qeveria jo vetëm i ka kthyer shpinën Vlorës, por ka bërë dhe çmos të pengojë zhvillimin e saj, duke bllokuar dhe projektet e Bashkisë. Vlora në këto vite ka ndryshuar shumë por të gjithë e dinë se do kishte ndryshuar shumë më shumë nëse në Tiranë do kishte një qeveri që ta shikonte Vlorën me sytë e zemrës. Në Tiranë fatkeqësisht Vlora nuk e ka pasur një qeveri të tillë, e ka lënë të izoluar, pa një rrugë që ta lidhë me Tiranën, pjesën tjetër të Shqipërisë dhe Kosovës. Edhe Kosova e sheh Vlorën si kryeqytetin shqiptar. Jemi këtu për të ftuar të gjithë ata që na ndjekin që të vizitojnë Vlorën” përfundoi ai.

Ndërkaq ambasadori Wollfarth e ka quajtur një kënaqësi të veçantë pjesëmarrjen në këtë ceremoni hapëse të sezonit turistik. “Me vijnë në mend festimet e mrekullueshme të 100 vjetorit të Pavarësisë. Në këto festime më dukej se nuk kishte mbetur personalitet pa ardhur në Vlorë. Është një mrekulli të jesh këtu, ju uroj gjithë të mirat”,- tha Wollfarth.

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.