Viktima e atentatit, kërkohej nga policia

Postuar në 25 Gusht, 2013 16:08

Në hetim trafiku i drogës, plagosje, pengmarrje dhe përplasje me grupe kriminale
Viktima Elio Bendo, i cili mbeti i vrarë në një atentat mafioz dy net më parë në Tiranë, ku u plagos edhe shoqëruesja e tij 20-vjeçare, Amarilda H., ishte i shpallur në kërkim nga policia, por kjo e fundit nuk kishte arritur ta vinte në pranga. Ai kishte ndryshuar emrin dhe tashmë njihej si Eliton Lafetaj, por rezulton se ishte i skeduar për një sërë veprash penale, si nga drejtësia shqiptare, ashtu edhe në vende të Perëndimit. Pikërisht në të shkuarën e tij kriminale, policia ka bazuar edhe hetimet e saj, ku dyshimet shkojnë deri te përplasje me grupe të njohura kriminale në Tiranë.
Burimet nga grupi hetimor bëjnë të ditur se që më 24 gusht të vitit të kaluar, ai ka qenë i shpallur në kërkim për pengmarrjen dhe torturimin e dy biznesmenëve turq, që kishin ngritur në Tiranë një qendër parukerie dhe estetike. Por, policia nuk ka mundur të bjerë në gjurmët e tij, ndryshe nga vrasësit e dy netëve më parë, të cilët e kanë gjetur, e kanë ruajtur, e kanë ndjekur me motor dhe e kanë ekzekutuar me silenciator vetëm pak metra larg banesës, kur ishte nën shoqërinë e një vajze të re, e cila ka mbetur e plagosur në këmbë.
Dy vëllezërit turq

Menjëherë pas krimit, policia ka ngritur disa pista hetimore, duke njohur të shkuarën kriminale të viktimës, por që duket tejet e vështirë zbardhja e këtij krimi. Sipas të dhënave, një nga pistat hetimore ka të bëjë me vëllezërit turq V. Alkaya, 31 vjeç dhe M. Alkaya, 36 vjeç, që janë mbajtur peng nga Lafetaj, i cili pasi i ka detyruar të hipin në makinën e tij, i ka transportuar në një vend të mbyllur dhe i ka keqtrajtuar. Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 24 gusht të vitit të kaluar, dhe mendohet se në këtë ngjarje janë përfshirë edhe dy persona të tjerë, që sipas përshkrimit të biznesmenit turk, duhet të kenë qenë vëllezër. Mirëpo, megjithëse çështja i ka kaluar prokurorisë dhe nga ana e Policisë së Tiranës, është bërë me dije se Lafetaj ka rezultuar i identifikuar dhe ishte shpallur në kërkim policor, askush prej uniformave blu nuk ka bërë arrestimin e 37-vjeçarit gjatë kësaj kohe.
Dosja mësohet se është ende në Prokurorinë e Tiranës për akuzën e “Heqjes së paligjshme të lirisë” kryer në bashkëpunim. Në atë kohë, sipas Policisë së Tiranës, u deklarua se ngjarja kishte motive të dobëta, ndërkohë që sot pas vrasjes së Eliton Lafetaj, ky rast është duke u verifikuar me imtësi. Qendra e estetikës ku dy vëllezërit e ardhur nga Turqia kanë ngritur biznesin e tyre ka qenë vendi i zanafillës së përplasjes mes dy vëllezërve turq me 37-vjeçarin Lafetaj. Burime policore bëjnë me dije se dyshohet se e motra e Lafetajt, i njohur edhe me identitetin Elio Bendo, është ngacmuar nga dy vëllezërit Alkaya, ndërsa kjo e fundit duket se i ka referuar ngacmimin vëllait të saj. Mirëpo, pasi çështja ka mbërritur në prokurori, Eliton Lafetaj ka sqaruar në atë kohë ngjarjen, nëpërmjet avokatit të tij Detar Hysi, i cili ka pretenduar se nuk kishte të bënte aspak me një pengmarrje, rrëmbimin apo heqjen e paligjshme të lirisë. Sipas Lafetajt, 31-vjeçari dhe vëllai i tij turk i kanë ngacmuar të motrën 37-vjeçarit dhe ky i fundit u ka kërkuar një sqarim atyre. Mes tyre ka pasur një përplasje fizike, por jo marrje peng apo heqje e paligjshme e lirisë. Lafetaj në atë kohë ka akuzuar dy vëllezërit turq, se kanë bërë kallëzim ndaj tij dhe disa personave të tjerë, pasi u kanë kërkuar para.
Përplasje me armë

Një tjetër konflikt që po hetohet nga policia për Elio Bendon ka të bëjë me një përplasje me armë që ka ndodhur katër vjet më parë. Në bazë të informacioneve operative të policisë, ai është përplasur me Pajtim S., i njohur si shok i kreut të një grupi kriminal në Tiranë, por nga të shtënat nuk ka pasur të plagosur. Por, pak kohë më vonë, po me informacione operative, policia ishte vënë në dijeni se Elio dhe Pajtimi e kishin mbyllur konfliktin. Megjithatë, në vitin 2012, Pajtim S. mbeti i plagosur gjatë një atentati pa autorë në Yzberisht dhe për këtë arsye, policia ka ngritur dyshimet se vrasja e mbrëmshme ka lidhje me këtë krim. Pajtim S. dyshohet se ka pasur lidhje të forta me një grup kriminal në Tiranë dhe në vitin 2004 është dyshuar se në bashkëpunim me një tjetër anëtar të grupit, kanë plagosur një person. Madje, anëtarëve të këtij grupi kriminal i janë bërë disa atentate në Tiranë gjatë viteve të ndryshme.
Trafik droge

Pistë tjetër që po ndiqet nga policia ka të bëjë me larje hesapesh për trafik droge. Burime nga Policia e Tiranës bëjnë me dije se para disa vitesh, Elio Bendo, ka qenë i dënuar në Gjermani për pjesëmarrje në rrjetin e trafikimit të lëndëve narkotike. Autoritetet gjermane e dënuan 37-vjeçarin me 12 vjet heqje lirie, ndërkohë që konfliktet e mbartura në kohë për përfshirjen e tij në trafikun e drogës, kanë ringjallur dyshimet e policisë pas vrasjes së Bendos.
Plagosja në lokal

Ndërsa në korrik të 2012, Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 6 muaj heqje lirie, për plagosje të lehtë me dashje dhe armëmbajtje pa leje Elio Bendon. Mësohet se viktima së bashku me tre persona të tjerë kanë plagosur me armë zjarri pronarin e lokalit, Iljas Katiraj, për motive banale. Mësohet së në lokalin e Katirajt ka shkuar Daniel Pane, i cili punon si marangoz. Në bisedë e sipër Danieli i ka thënë Iljasit që një person që merrej me Xhoi Lloto, i kishte ngelur 1 milion lekë të vjetra borxh, pasi ai i kishte bërë një dhomë gjumi. Pjesën prej 1 milion lekësh, ai nuk ia jepte dhe në lidhje me këtë kishin bërë debate në telefon me njëri-tjetrin dhe e kishin lënë për t’u takuar tek lokali i Iljas Katirajt. Në momentin që janë takuar, Bendo ishte i shoqëruar me tre të tjerë dhe kanë ushtruar dhunë mbi marangozin. Në këtë moment ka ndërhyrë djali i pronarit për ta ndihmuar, së bashku me vëllain e Danielit. Iljasi ka ndërhyrë prej të birit, ku mbeti i plagosur me pistoletë në pjesën e këmbës. Për këtë arsye, policia nuk ka lënë jashtë hetimeve edhe këtë rast.
Hetimet e policisë

Mësohet se 24 orë pas krimit mafioz, grupi hetimor ka bërë shoqërimin e rreth 20 personave, të cilët dyshohet se mund të jenë përfshirë në vrasjen e Elio Bendos, i njohur ndryshe edhe si Eliton Lafetaj ose mund të kenë dijeni për ngjarjen. Disa orë pas shoqërimit dhe marrjes në pyetje janë lënë të lirë, pasi nuk iu është provuar përfshirja në krim. Ndërkaq, në vendin e ngjarjes policia ka sekuestruar të gjitha kamerat e sigurisë, të instaluara në bizneset aty pranë, për të parë nëse kanë filmuar ndonjë gjë të dyshimtë, apo jo. Grupi hetimor ka kërkuar prej kompanisë celulare zbardhjen e tabulateve telefonike, për të bërë lidhjen e personave që 37-vjeçari ka kontaktuar kohët e fundit. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar edhe makina e viktimës, pasi vrasja ndodhi brenda saj. Gëzhojat e gjetura në skenën e krimit, janë dërguar në laboratorin e kriminalistikës, me shpresën se ekspertët do të gjejnë shenja gishtash apo jo. Familjarët e viktimës, të cilët do të ndihmonin policinë në zbardhjen e motiveve të vrasjes së Bendos, ende nuk janë marrë në pyetje, sepse janë në gjendje shoku. Ndërkaq shërbimet policore, kanë qenë në survejim të personave që hynin dhe dilnin nga shtëpia e prindërve të viktimës. Ata kanë qenë të veshur civilë dhe qëllimi ka qenë që të vjelin sa më shumë informacion për vrasjen e 37-vjeçarit.

Dëshmia

E plagosura: Nuk arrita të shoh vrasësit me motor

Grupi hetimor, pa humbur kohë ka zbarkuar në sallën e reanimacionit për të marrë në pyetje 20-vjeçaren e plagosur, Amarilda H., dëshmitaren e vetme okulare të atentatit ndaj Bendos. Procesi i marrjes në pyetje nuk ka zgjatur shumë pasi vajza ka qenë e shokuar prej asaj që ka parë me sy. Gjendja shëndetësore e 20-vjeçares ka qenë e dobët prej plagës së marrë në këmbë, por pavarësisht kësaj, policia është detyruar që të mundojë 20-vjeçaren, pasi ajo është e vetmja që ka parë krimin makabër. Dëshmitarja ka treguar gjithçka që kishte parë dhe ka ditur në lidhje me vrasjen.
Burimet thonë se ajo nuk ka arritur që të identifikojë autorët e krimit, sepse kanë qenë të maskuar me skafandra dhe janë larguar shumë shpejt. Sipas saj, vrasja ka ndodhur në momentin që viktima ka ndaluar automjetin para banesës. E reja është shprehur në polici se vrasja ka zgjatur pak sekonda duke mos qenë në gjendje që të krijojë një identikt të saktë të vrasësve. Pas vrasjes, vajza ka kërkuar ndihmë dhe në vendin e ngjarjes kanë qenë fqinjët, ata që kanë shkuar të parët dhe që njoftuan policinë. Burime nga policia thonë se dëshmia e vajzës nuk i ka ndihmuar shumë, pasi ajo nuk ka qenë në dijeni të ndonjë konflikti që miku i saj, ka pasur kohët e fundit.
Historia

Familja: Ai nuk kishte probleme apo konflikte

Familjarët e Elio Bendos thonë se nuk kanë qenë në dijeni të problemeve që ai ka pasur në të shkuarën apo kohët e fundit. Vrasja e tij, është e papritur. Sipas tyre, jeta e 37-vjeçarit ka qenë mes Shqipërisë dhe Italisë. Së shpejti, viktima priste që të bëhej baba, pasi bashkëshortja e tij ishte shtatzënë. “Nuk kemi qenë në dijeni të problemeve që Elio ka pasur në të shkuarën. Vrasjen e morëm vesh nëpërmjet televizionit. Dëgjuam për një vrasje në Tiranë dhe pritëm deri sa doli emri. Kur dëgjuam që bëhej fjalë për njeriun tonë, u nisëm nga Fushë-Arrëzi drejt Tiranës. Për ne ka qenë e papritur. Më parë ka qenë në Itali dhe mediat kanë shkruar që ka pasur probleme. Më vjen keq që thuhet ashtu, sepse nuk besoj që ka shqiptar që nuk ka probleme jashtë shtetit. Mungesa e dokumenteve është pjesë e problemeve të shqiptarëve. Të këtyre lloji mund t’i ketë pasur edhe Elio problemet”, shprehen të afërmit e viktimës.
Ndërkaq në lidhje me vajzën që ka qenë i shoqëruar natën e vrasjes, Elio Bendo, familjarët thonë se nuk e dinë se cila është, ndonëse Amarilda pretendon se ishte mikja e tij më e ngushtë. “Nuk e di se kush është ajo vajza që mbeti i plagosur në makinën e Elios dhe as nuk jemi interesuar. Elio së shpejti priste që të bëhej baba. Ka pasur një jetë të rregullt bashkëshortore. Nuk është e vërtetë që ai ishte biznesmen i disa lojërave fati në Tiranë. Elio ishte kthyer nga Italia para dy vjetësh dhe për të mbijetuar kishte marrë një lokal me qira. Ai ishte djali i vetëm i shtëpisë, pas dy motrave. Prindërit e tij janë në gjendje shoku, nuk mund të flasin dhe nuk janë në gjendje që të reagojnë. Vrasja e të birit, i shkatërroi”, përfundojnë bisedën familjarët e viktimës. Ndërsa para tre muajsh, Bendo është përfshirë në një tjetër konflikt, për çështjen e parkimit të një automjetit.

Shqip

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.