Vendimi i Ramës, Diplomacia, 6 konsuj shkarkohen nga detyra

Me propozim të ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati, Kryeministri Edi Rama ka vendosur lirimin nga detyra të gjashtë konsujve të përgjithshëm të Shqipërisë në katër shtete. Vendimi i Kryeministrit Rama për shkarkimin e përfaqësuesve diplomatikë u është përcjellë konsujve të përgjithshëm që pas kthimit të kreut të qeverisë nga vizita që zhvilloi një javë më parë në Bruksel. Lajmi i lirimit të tyre është konfirmuar për gazetën “Panorama” nga konsulli i përgjithshëm në Nju Jork, Dritan Mishto, që gjatë komunikimit me gazetën po shoqëronte për në aeroport Presidentin e Republikës, Bujar Nishani, gjatë vizitës që pati në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dritan Mishto theksoi se i është dorëzuar urdhri i lirimit nga detyra, i firmosur nga kreu i Ekzekutivit shqiptar. “Lirimi im nga detyra e konsullit të përgjithshëm në Nju Jork ka qenë një nga urdhrat e parë të propozuar nga ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati dhe i firmosur nga Kryeministri Rama”, theksoi Mishto. Ndërkohë, urdhrin e largimit nga detyra e ka marrë dhe konsullja në Milano, Nausika Spahia, sipas së cilës i është lënë afat deri më datë 15 tetor për të dorëzuar detyrën. Shkresa i shkarkimit nga detyra u është dërguar konsujve disa ditë më parë me e-mail nga Ministria e Jashtme, me faksimile në formatin PDF, pasi dhe Kryeministri Rama dhe ministri Bushati ndodhen për vizitë disaditore në SHBA.
KONSULLATAT
Sipas ligjit “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, i miratuar në vitin 2003, konsulli i përgjithshëm emërohet dhe lirohet nga detyra prej Kryeministrit me propozim të ministrit të Jashtëm. Mendohet se vendimi i kreut të qeverisë, Edi Rama, ka liruar nga detyra edhe konsullin Jako Dako në Janinë, Riza Podën, konsull i përgjithshëm në Selanik, Bashkim Bekteshin, konsull në Bari, Ermal Muçën, konsull në Stamboll.
Neni 21
“Ambasadorët emërohen dhe lirohen nga Presidenti i Republikës, me propozimin e Kryeministrit. Ministri i Punëve të Jashtme i paraqet Kryeministrit propozimet përkatëse për emërimin dhe lirimin e ambasadorëve. Përpara emërimit të ambasadorit nga Presidenti i Republikës, Komisioni i Kuvendit organizon seancë dëgjimore me kandidatin për t’u emëruar ambasador”.
Lirimi
Konsulli i Përgjithshëm mund të shkarkohet me vendim të Kryeministrit, ashtu sikundër dhe emërohet neni 21, pika 3: “Ministri i Punëve të Jashtme mund t’i besojë drejtimin e misionit diplomatik të ngarkuarit me punë, kur kjo çmohet e nevojshme për shkak të rrethanave. 5. Konsulli i përgjithshëm emërohet nga Kryeministri, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme”.
Panorama
Add new comment