Veliaj bën një akt human… por a është kjo zgjidhja për romët?!

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, ka nisur punën me përkujdesjen ndaj komunitetit rom. Pas vizitës tek familjet rome që jetojnë në qiell të hapur ai sot ka bërë një akt human duke e dërguar vetë personalisht në spital një fëmijë rom që i ishte refuzuar mjekimi.
Ai ka zbritur nga makina e tij para Spitalit Ushtarak me një djalë të vogël rom në krahë që kishte këmbën në allçi.
Elidoni i vogël, 2 vjeçar, është fëmija i aksidentuar më 31 gusht në rrugën përballë pallatit me shigjeta, aty ku prej më shumë se pesë javësh familjet rome kanë ngritur çadrat pasi u dëbuan nga trualli i ish-Dekorit, ku edhe jetonin prej vitesh.
Veliaj e kishte njohur Elidonin gjatë vizitës që kreu në ditën e tij të parë të punës tek 37 familjet e shpërngulura rome. Nëna e Elidonit i qe ankuar se e kishte çuar djalin për vizitë në spital, por që andej kishte dalë e përbuzur dhe pa mjekim.
Dy ditë më pas, Veliaj duket se e ka mbajtur premtimin. Ai e ka marrë në makinën e tij Elidonin dhe e ka shoqëruar personalisht në Spitalin Ushtarak, ku fëmija mori trajtimin e munguar mjekësor. Veliaj u shoqërua edhe nga deputeti i PS-së, Ylli Ziçishti, ish- shef i Urgjencës.
Ministri i MSR-së ka premtuar zgjidhje të shpejtë për sistemimin e familjeve rome, të cilat ende sot jetojnë në kushte jo normale. Deri tani kemi një gjest shumë human nga ana e tij….por nuk dhe Veliaj e di që nuk është kjo rruga për të zgjidhur problemet e këtij komuniteti, që janë strehimi, shkollimi, integrimi në shoqëri, një problem që kërkon shumë më tepër punë, një strategji konkrete dhe vullnet për tu zgjidhur.
MAPO
Add new comment