Vdekja “sekrete” e një agjenti sekret

Rikthim tek vdekja misterioze e Artan Kokës, oficerit të shërbimit sekret që u dërgua në gjendje kome në shtëpi nga kolegët e tij. Familjarët drejtojnë gishtin ndaj SHISH, ndërsa Prokuroria thotë se hetimi për vdekjen e këtij njeriu është “sekret”
Oficeri i SHISH-it, Artan Koka humbi jetën në janar të këtij viti, pas muajve të tërë në koma, si pasojë e një incidenti misterioz dhe të errët. Prokuroria e Tiranës thotë se hetimet në lidhje me vdekjen e oficerit të SHISH vazhdojnë, por janë sekrete. Burime theksojnë se jo vetëm nuk mund të flasin për hetimet, por as të shpjegojnë se në cilën fazë janë ato. “Bëhet fjalë për një çështje shumë sekrete, për të cilën nuk mund të publikojmë asnjë fakt”, thotë burimi i MAPO-s. Katër kilometra prej aty, në shtëpinë e të ndjerit Koka, në fund të rrugës “Fuat Toptani”, i vëllai thotë se ka humbur besimin se diçka mund të bëhet dhe se çështja mund të zbardhet. “Nuk kemi çfarë të themi më. I kemi thënë të gjitha, asgjë nuk ndodh edhe po u shkrua në gazetë”, thotë Krenari, të cilin e gjetëm duke punuar pak metra kopsht para shtëpisë. Artan Koka u nda nga jeta pasi qëndroi më shumë se një vit në koma, gjendje në të cilën ra në një ditë normale pune. Ai u braktis nga institucioni ku punoi, i cili sipas të afërmve, nuk ndihmoi që të shpëtohej, madje mund të ketë gisht në mbulimin e së vërtetës.
Zanafilla e një misteri
Gjithçka që dihet për ngjarjen fillon me largimin “shëndoshë e mirë” nga shtëpia më 9 dhjetor 2011 dhe më pas kthimin pasdite, i mbajtur prej këmbësh e krahësh nga kolegët, që siç ka treguar e shoqja, e lanë në shtëpi pa asnjë sqarim veç fjalisë: “Kishte pirë pak”. Këtu fillon edhe misteri dhe drama në familjen e Artanit dhe dyshimet e kësaj të fundit. Drejtoria e Shërbimit Informativ Shtetëror është vetëm pak hapa nga Qendra Spitalore “Nënë Tereza”, hapa që mund t’ia kishin shpëtuar jetën oficerit atëherë 39-vjeçar, por që përkundër kësaj, kolegët që siç është dëshmuar, e kanë gjetur vetëm pas 5 orësh dhe e kanë dërguar atë larg prej aty, në shtëpi, ku askush nuk mund ta ndihmonte në gjendjen që ishte. Vizita në spital të dëshmuara prej së shoqes në disa intervista të mëparshme zbuloi se Artani kishte një plagë në kokë, një plagë që sipas ekspertizës është shkaktuar nga një goditje nga lart-poshtë dhe jo nga përplasja. Oficerët e SHISH sidoqoftë kanë këmbëngulur se ai ishte rrëzuar pasi kishte qenë i pirë. Xhaxhai i të ndjerit, Teki Koka, në një letër publike në kohën që ai lëngonte në koma, botuar në “Shekulli” shkruan: “E vërteta është krejt ndryshe, sepse këtë e vërteton raporti mjekësor, ku ai s’ka qenë fare i dehur dhe se faktet nuk mund të mbulohen me gënjeshtra e mashtrime banale për të hedhur poshtë dhe epikrizën e komisionit mjekësor të kryer pas operacionit”. Edhe Krenari pohon se ekspertiza nuk ka zbuluar që ai të kishte konsumuar alkool, ndërsa thotë se sidoqoftë nuk ka shpresa që historia të zbulohet dhe se gjithmonë kanë hasur në pengesa, ndërsa ankesat e tyre kanë rënë në vesh të shurdhër. Për më tepër ata duket se kanë hequr dorë nga denoncimi i kësaj historie, që prej ditës që i afërmi i tyre u nda nga jeta pasi vuajti një vit në koma.
Dyshimet e të afërmve
Bashkëshortja Afërdita, e cila gjatë kohës që u ndodhëm në oborrin e banesës nuk u afrua për të biseduar edhe pse ishte aty me foshnjën në duar, ndërhyri vetëm një herë. “Nuk kemi çfarë themi më”, thotë ajo, ndërsa menjëherë përlotet. “Kjo –tregon të bijën që mban në dorë- nuk e njohu kurrë e as ai nuk e pa kurrë”. Lotët i shtohen dhe menjëherë pas kësaj, ajo bashkë me fëmijën largohen brenda shtëpisë. Në dhjetor të 2012-ës, familja paditi Shërbimin Informativ Shtetëror duke kërkuar që institucioni të paguante një dëmshpërblim, të cilin ata shpresonin ta përdornin për të kuruar jashtë shtetit Artanin. Vëllai thotë se asnjë institucion nuk ndihmoi që ta transferonin jashtë vendit, duke ua prerë shpresat dhe ata kanë besuar se paratë e dëmshpërblimit mund të mjaftonin për ta dërguar vetë në kurim. Në shkurt ata nuk janë paraqitur më në gjykatë dhe kjo e fundit ka mbyllur dosjen. “Ne ashtu e kishim bërë padinë, e kishim bërë për atë. Ne vetë nuk donim para, ai vdiq dhe ne nuk shkuam më”, – thotë i vëllai, duke shpjeguar se prej momentit që Artani ka humbur jetën, ata kanë vendosur në njëfarë mënyre të mos merren më me këtë çështje, e cila sidoqoftë nuk mund t’ua kthejë më të afërmin. Nga ana tjetër, ngjarja që futet në listën e historive të pazbardhura duket se do të mbetet e tillë edhe për mjaft kohë. Në Prokurorinë e Tiranës ku po hetohet, është e pamundur të mësosh se çfarë është duke ndodhur me dosjen të cilën ata e cilësojnë “shumë sekrete”. Familja ankohet se hetimet në fakt janë zvarritur. “Ata ishin gjithmonë para nesh, edhe në polici kishin shkuar para nesh”, thotë Krenari duke nënkuptuar këtu se SHISH ishte i interesuar të mbulonte ngjarjen. Më herët në letrën publike edhe xhaxhai i viktimës i mëshonte faktit se hetimet po zvarriteshin. Arsyet për këtë mbeten të paqarta. Në asnjë rast SHISH nuk ka dhënë sqarime publike mbi motivet e aksidentit, siç pretendojnë ata që i ka ndodhur punonjësit të tyre, ndërsa sipas familjes, në asnjë moment prej çastit që e sollën në shtëpi, në vend që ta dërgonin në spital, ata nuk janë kujtuar më për të. Pyetjeve të familjarëve u janë përgjigjur gjithmonë me fjalën “magjike” sekret, duke i lënë këta ta fundit në mjegull mbi atë që mund t’i kishte ndodhur njeriut të tyre.
Kronika e vdekjes
Ish-punonjësi i SHISH-it u gjet sipas kolegëve pa ndjenja në ambientet e ndërtesës së Shërbimit Informativ Shtetëror më 9 dhjetor. Sipas të dhënave nga familjarët, ai është gjetur 5 orë pas humbjes së ndjenjave që provohet nga ditari i tij i punës, ndërkohë që kolegët e kanë dërguar atë në shtëpi dhe jo në spital, edhe pse ky i fundit ishte mjaft afër. Artan Koka prej asaj dite qëndroi në koma, ndërsa është ndarë nga jeta në muajin janar të këtij viti, pa mundur të njohë të bijën e cila lindi disa kohë pasi ai ishte në koma. Të afërmit pretendojnë se Artani është qëlluar me mjete të forta pas koke, gjë që sipas tyre provohet nga ekspertiza. Familja në fillim ka besuar versionin e dhënë nga kolegët e Artan Kokës, se ky i fundit ishte dehur dhe ishte rrëzuar, por pas kryerjes së analizave ka rezultuar se Koka nuk kishte pirë asnjë gotë alkooli atë ditë, ndërsa mësohet se goditja është në pjesë e sipërme të kokës dhe nuk mund të shkaktohej nga rrëzimi. Kjo ka bërë që familja të depozitonte kallëzim penal në prokurori, ndërkohë që për më shumë se një vit të afërmit janë endur nëpër spitale, pasi kryefamiljari ka qenë në gjendje kome. 39-vjeçari ka ndërruar jetë ditën e 6 janarit 2013.
9/12/2011
Artan Koka u dërgua në shtëpi, i mbajtur prej këmbësh e duarsh nga kolegët e tij. “Është i dehur”, – iu thënë ata familjarëve dhe e kanë lënë aty, por raporti mjekoligjor e rrëzon këtë alibi
12/2012
Familja paditi Shërbimin Informativ Shtetëror, duke kërkuar që institucioni të paguante një dëmshpërblim, të cilin ata shpresonin ta përdornin për të kuruar jashtë shtetit Artanin. Pas vdekjes së tij, padia u mbyll
6/1/2013
Pas 1 viti në gjendje kome, oficeri i SHISH-it ka ndërruar jetë në spital. Përgjatë kësaj kohe, familjarët nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga hetimet apo mbështetje nga institucioni ku Artan Koka punonte
Krenar Koka
Ekspertiza nuk ka zbuluar që ai të kishte konsumuar alkool, ndërsa thotë se sidoqoftë nuk ka shpresa që historia të zbulohet dhe se gjithmonë kanë hasur në pengesa, ndërsa ankesat e tyre kanë rënë në vesh të shurdhër
Afërdita Koka
“Nuk kemi çfarë themi më”, thotë ajo, ndërsa menjëherë përlotet. “Kjo – tregon të bijën që mban në dorë- nuk e njohu kurrë, e as ai nuk e pa kurrë”. Lotët i shtohen dhe menjëherë pas kësaj, ajo bashkë me fëmijën largohen brenda shtëpisë.
Isa Çopa, një vrasje
në terr e pa autor
Vrasja e Isa Çopës, ish-shefit të kundërzbulimit, padyshim që do të mbetet një prej historive më misterioze ku të përfshira janë shërbimet sekrete shqiptare. Zyrtari i lartë i SHISH-it u gjend i vrarë brenda automjetit të tij gjysmë të djegur mëngjesin e 25 tetorit të vitit 2011, në një zonë të braktisur në periferi të qytetit të Durrësit. Fillimisht, policia hodhi dyshime për vetëvrasjen e Çopës, i cili prej 11 vitesh kishte mbajtur detyra të rëndësishme në drejtorinë e SHISH-it në Durrës. Por provat e mbledhura nga hetimet treguan se ai ishte qëlluar me sende të forta pas koke dhe më pas autorët kishin sajuar gjithçka që ngjarja të dukej si vetëvrasje. Fillimisht, autorët kanë dërguar një sms në celularin e djalit të viktimës, ku krijohej ideja se Isa Çopa para se t’i jepte fund jetës i kërkonte djalit të bëhej i fortë. Më pas, ekzekutorët kanë qëlluar një herë me armën e Çopës me drejtim qitjeje nga poshtë-lart dhe predha ka shpuar tavanin e automjetit tip “Opel” ku është gjendur i vrarë zyrtari i SHISH. Pasi kanë kryer këto veprime, të dyshuarit kanë tentuar të djegin automjetin me qëllim zhdukjen e provave dhe inskenimin e një vetëvrasjeje të mundshme. Por tentativat për të manipuluar vrasjen u zbardhën nga ekzaminimet mjeko-ligjore që u kryen në Gjermani. Ekspertiza tregoi se oficeri i SHISH-it ishte qëlluar me sende të forta pas koke, çka ka sjellë edhe vdekjen e tij. Por përtej dyshimeve mbi motivin e krimit të pazakontë, prokuroria edhe pas 1 viti e gjysmë nuk ka ende një motiv për ngjarjen e rëndë. Të dhënat e fundit hetimore tregojnë se Çopa, që njihej si njeri i rregullt dhe pa probleme personale, mund të jetë futur në kurth nga një femër, e cila besohet se ishte një prej kontakteve të tij të informacionit. Pas zbulimit të këtyre detajeve, me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm, dosja i është përcjellë për hetim të mëtejshëm Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ky vendim tregon se vrasja e oficerit të shërbimeve sekrete shqiptare është kryer për shkak të detyrës që ai ushtronte prej të paktën 11 vitesh në qytetin e Durrësit. Gjatë karrierës së tij në Shërbimin Informativ Shtetëror, Çopa është angazhuar në hetimin e disa çështjeve të bujshme në qytetin e Durrësit dhe jo vetëm.
MAPO
Add new comment