Urdhri i Llallës: Sekuestro ndërtimeve pa leje

Nisur edhe nga axhenda e qeverisë së re për prishjen e të gjithë atyre ndërtimeve të kryera pa leje, edhe organi i akuzës së shpejti pritet që të nisë një aksion për procedimin penal të përgjegjësve për situatën alarmante. Nga Prokuroria bëjnë të ditur se pas datës 9 shtator do të nisë procedimi penal për pronarin dhe menjëherë më pas sekuestrimi i ndërtimit pa leje. Siç bën të ditur Vizion Plus, një grup ekspertësh pranë Prokurorisë së Përgjithshme kanë hartuar edhe një qarkore me detajet e operacionit të ri. Kjo qarkore pritet që të shpërndahet më pas në të gjithë rrethet, sipas urdhrit të kreut të këtij institucioni, Adriatik Llalla. Lëvizja e re e Kryeprokurorit duket më shumë një mesazh drejtuar kryeministrit të ri Edi Rama për të bashkëpunuar dhe për të lënë pas akuzat e vjetra. Por, pavarësisht vullnetit të kryeprokurorit Adriatik Llalla për të ndihmuar qeverinë e re të z. Rama, duhet të jenë qytetarët ata që duhet të denoncojnë. Aktualisht në dyert e organit të akuzës në të gjithë vendin raportohen vetëm 105 denoncime të tilla, në një kohë që vetëm në portalin e hapur nga Partia Socialiste numërohen rreth 690 objekte pa leje. Nga të dhënat e prokurorisë bëhet e ditur se gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, në të gjithë vendin janë marrë të pandehur për ndërtime të paligjshme 47 persona, ndërsa 39 prej tyre janë dërguar në gjykatë. Edhe këto pak dosje, asnjëra prej tyre nuk ka përfunduar shqyrtimin. Qytetet bregdetare si Durrësi, Vlora, Saranda kanë dhe numrin më të madh të ndërtimeve pa leje, ndërsa Tirana rezulton deri tani me vetëm 8 çështje të paditura.
Denoncimet
Pothuaj që të gjithë drejtojnë gishtin te ndërtimet shumëkatëshe të cilat kanë hedhur shtat vetëm në muajt e fundit, kur pothuajse të gjitha institucionet shtetërore kanë qenë të angazhuara me zgjedhjet dhe askush nuk është përkujdesur për administrimin e territorit. Nuk mungojnë dhe rastet e akuzave ndaj krerëve të bashkive për lidhje klienteliste me ndërtimet pa leje. Vetëm pak ditë pas publikimit të nismës së Partisë Socialiste, ku ftohen qytetarët që të denoncojnë rastet e abuzimit me ndërtimet pa leje, janë me qindra ata që kanë kërkuar ndërhyrjen e shtetit. Janë disa politikanë të cilët akuzohen se fshihen pas objekteve shumëkatëshe të ndërtuara pa leje apo më e pakta, se kanë influencuar me pozitën e tyre të mos prishen këto godina që i kanë të afërmit e tyre. Një pjesë e qytetarëve të cilët kanë denoncuar duke postuar foto apo video, shkruajnë se pronarët e këtyre objekteve, ndonëse të vetëdijshëm se nuk kanë leje, kanë vijuar punimet duke marrë “garancitë” e zyrtarëve për shkak të lidhjeve partiake. Sipas tyre, edhe pse rastet e denoncimeve kanë qenë të shumta, Polica Bashkiake ka heshtur duke toleruar abuzuesit. Të shumta janë rastet në Bashkinë e Tiranës, ku qytetarët denoncojnë ngritjen e shtesave duke gllabëruar oborret që janë pronë publike ose trotuaret. Në ato objekte që janë të ndërtuara para viteve ’90, kryesisht abuzimet janë me shtesat e kateve një ose dy kate, duke rrezikuar seriozisht edhe jetën e të gjithë banorëve të tjerë pasi shtesat janë bërë pa kryer më parë studime. Më 16 gusht, Kryeministri i zgjedhur, Edi Rama, çoi më tej nismën e tij për ndëshkimin e gjithë atyre që abuzojnë me ndërtime pa leje në zonat bregdetare duke publikuar nismën e re “StopRrënimit. com”, ku çdo qytetar mund të kontribuojë duke denoncuar abuzimet në qytetin e tij.
Strategjia
Partia Socialiste ka ngritur një grup pune që po merret me kryerjen e një studimi të thellë rreth problematikës së krijuar si pasojë e ndërtimeve pa asnjë kriter, veçanërisht për ato që janë ndërtuar në zonat bregdetare, ku edhe ndërhyrja do të jetë më e shpejtë. Në zonat bregdetare pritet që ndërhyrja të jetë edhe më drastike, për shkak të numrit tepër të lartë të ndërtimeve në këtë zonë dhe emergjencës si pasojë e sezonit të ardhshëm turistik. Artan Lame po merret me studimin dhe planifikimin e territorit, ndërsa Auron Tare me gjetjen e rrugëve për zbatimin e projektit për “rikthimin në identitet” të hapësirave të zëna gjatë këtyre viteve nga ndërtimet pa leje, veçanërisht në gjashtë mujorin e fundit ku thuajse të gjitha institucionet shtetërore kanë qenë të angazhuara për fushatë. Pjesë e grupeve të punës janë edhe mjaft arkitektë, inxhinierë dhe ekonomistë të cilët, po studiojnë ndërhyrjet dhe po llogarisin koston e këtyre ndërhyrjeve. Nevoja për marrjen e masave urgjente u shtrua edhe gjatë konferencës së zhvilluar nga PS-së me një grup prej 50 arkitektësh dhe urbanistësh të ardhur nga e gjithë Europa. Situata alarmante e ndërtimeve në bregdet, sipas urbanistëve dhe grupit të arkitektëve të ardhur nga Europa, kërkon moratorium për ndalimin e çdo lloj ndërtimi. Grupi i ekspertëve i përbërë nga Rossana Atena (Itali), Sasa Randic (Kroacia) dhe Peter Lynn Wilson (Gjermani) kërkojnë që qeveria e ardhshme të shikojë mënyrën për të ndaluar ndërtimet afër zonave bregdetare dhe hartimin e një strategjie për ndërhyrje në këto zona. “Flasim për zona të posaçme bregdetare të zhvillimit të integruar dhe një organ të posaçëm që të lidhet drejtpërdrejt me zyrën e Kryeministrit. Diskutuam disa detyra mes të cilave është inventari i asaj që është bërë. Faza e mbledhjes së informacionit do kërkonte gjashtë muaj kohë. Gjatë kësaj kohe duhet të ketë një moratorium dhe të mos lejohet asnjë lloj ndërtimi në vijën bregdetare. Kjo është absolutisht e domosdoshme për të siguruar një planifikim të arsyeshëm të bregdetit dhe duhet të ketë një kuadër ligjor për zhvillimin e bregdetit se cilat zona do të trajtohen”, do të shprehej arkitekti Peter Lynn Wilson nga Gjermania.
SHEKULLI
Add new comment