Uji i ndotur, Avokati i Popullit krerëve të bashkive: Merrni masa urgjente

Institucioni i Avokatit të Popullit ka reaguar sot pas ankesave të qytetarëve të zonave të ndryshme të vendit për mungesën e furnizimit me ujë të pijshëm. Në një deklaratë të këtij institucionet theksohet se krerët e disa njësive vendore duhet që sa më të marrë të marrin masa për furnizimin normal me ujë të pijshëm, dhe brenda kushteve higjieno-sanitare për gjithë banorët në vend
Rekomandimi u është drejtuar krerëve të 50 bashkive në vend dhe vihen në dijeni se banorët jo vetëm po përballen me mungesën e furnizimit me ujë të pijshëm, por edhe me faktin se uji që ata mundohen të sigurojnë nëpërmjet gropave septike rezulton i ndotur dhe i dëmshëm për shëndetin e tyre.
“Problemi që ju prezantojmë bëhet edhe me i ndjeshëm veçanërisht në stinën e verës ku krahas temperaturave tepër të larta në të cilat përballemi, mungesa e ujit të pijshëm apo i ndotur në shumë raste, është rrezik për shfaqjen e epidemive dhe dëmtimin e shëndetit të konsumatorëve.
Avokati i Popullit në analizë të fakteve për këtë situatë, në shumë raste është përballur me indiferentizëm, mosreagim nga e institucioneve përgjegjëse dhe me keqardhje është konstatuar se shpesh herë mbahet një qëndrim pasiv dhe nuk po veprohet për marrjen e masave për rregullimin e këtyre situatave.
Për sa më sipër, në mbrojte të interesave të ligjshme të konsumatorit, duke i vlerësuar të drejta dhe të bazuara në ligj të gjitha rastet, kërkojmë të sjellim në vëmendjen tuaj ushtrimin e detyrave tuaja funksionale dhe marrja e masave të menjëhershme për furnizimin me ujë të pijshëm brenda gjithë kushteve higjieno-sanitare në mënyrë të vazhdueshme për gjithë banorët të cilët vuajnë mungesën e furnizimit me ujë për shkaqe të pavarura nga ana e tyre”, thuhet në rekomandimin e Avokatit të Popullit. Ky institucion e cilëson keqmenaxhimin e këtij shërbimi, si një shkelje e drejtpërdrejtë e të drejtave të shtetasve dhe mungesë e standarteve minimale të një vendi që ka në qendër të vet të drejtat e njeriut, mirëqenien e qytetarëve dhe aspiron të hyjë sa më shpejt në Bashkimin Europian.
“Rekomandojmë marrjen e masave për furnizimin normal me ujë të pijshëm, dhe brenda kushteve higjieno-sanitare për gjithë banorët në vend.
Në përputhje me nenin 22, të Ligjit Nr.8454 datë 4.02.1999, “Për Avokatin e Popullit”, i ndryshuar, lutemi na ktheni përgjigje të argumentuar brenda afatit 30 ditor lidhur me masat ligjor dhe qëndrimin që do të mbani ndaj këtij rekomandimi”, përfundon institucioni i Avokatit të Popullit.
Shqip
Add new comment