U lirua nga Gjykata e Lartë, vritet në Lezhë i akuzuari për dy vrasje

Një tjetër vrasje ka goditur Lezhën, këtë herë në Tale ku është ekzekutuar me armë zjarri një 40-vjeçar i këtij fshati, i sapo kthyer nga emigrimi. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 19:00 të mbrëmjes dhe nga të dhënat paraprake të policisë së Lezhës viktima, Ludovik Ujka, dyshohet se është vrarë për hakmarrje. Ai ishte arrestuar më 26 janar 2006 nga forcat RENEA, pasi mbi të dhe nipin e tij rëndonin akuza për vrasjen e shtetasve Zef Biba dhe Eleni Hoxha, vrasje këto të ndodhura më 1 shtator 2003.
Kjo ngjarje, sipas organeve hetimore, është klasifikuar si një hakmarrje për një vrasje të mëparshme, të ndodhur në 7 korrik 2003, ku mbetën të vrarë Nikolin Ujka, vëllai i Ludovik Ujkës, si dhe bashkëshortja e tij.
Në atë kohë policia ngriti dyshimet se vrasja mund të ishte kryer nga anëtarë të familjes Biba. Ludovik Ujka ishte dënuar fillimisht nga gjykata e Lezhës me 25 vite burg, vendim ky i lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit.
Por në vitin 2007, Gjykata e Lartë vendosi rrëzimin e dy vendimeve të mëparshme dhe rikthimin e çështjes për gjykim në shkallë të parë. Një prej argumenteve që Gjykata e Lartë paraqiti për rrëzimin e vendimeve kishte të bënte me marrjen në pyetje të një dëshmitareje për të faktuar nëse dritat e makinës nga ku kishin dalë autorët e krimit ishin të ndezura apo jo.
Policia bën të ditur se ka identifikuar autorët dhe është vënë në kërkim të tyre. Për këtë shkak janë ngritur dhe postoblloqe në rrugët dalëse nga fshati Tale i lezhës.
Shqip
Add new comment