Tri defekte paraprake të fushatës së Edi Ramës

Postuar në 14 Shkurt, 2013 10:43

 

Henri Çili

Rilindja e Edi Ramës, siç mund ta etiketonim fushatën e tij për zgjedhjet e 2013, është afër finalizimit të procesit të formësimit të kontureve, identitetit, përmbajtjes. Në shpalljen e pritshme të programit përfundimtar që doli në fund ‘të rrugës së programit’ duket se pothuajse e kemi të qartë cili është lideri, cili është programi, cili është ekipi.

Së pari, pa dhënë konkluzione përfundimtare, mund të vërejmë të paktën tri defekte paraprake të ‘Rilindjes’. Ndërsa ka krijuar perceptimin dhe ka bërë realisht shumë e shumë takime me grupe interesi: aktorë shoqërorë, grupe sociale, ku ka hedhur pikëpamje, ide, kritika të asaj që ndodh apo vullnet për të ndryshuar gjendjen, përveç idesë së qartë të taksës së sheshtë, defekti paraprak i përmbajtjes së Edi Ramës është paqartësia, kaotizmi, mungesa e organicitetit në propozime shpesh kundërthënëse.

Mund të thuhet paraprakisht se propozimeve të ‘Rilindjes’ u mungojnë zgjidhjet thelbësore për problemet thelbësore dhe sistemike të ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare. Më tej se taksa progresive, asnjë kuintesencë, etiketë, slogan, nënrenditës nuk mund të formulohet sot nga zbërthimi i ‘Rilindjes’.

Së dyti, ndërsa po mbushen afro 8 vjet të socialistëve në opozitë, çka është në Shqipëri një periudhë e mjaftueshme për të fituar për këdo që merret me politikë, statusin e ‘të uriturit politik dhe ekonomik’, është e qartë që Rama dhe çdo lider 8 vjeçar opozite do të gjendej para presionit të ‘të uriturve për pushtet’, megjithë ç’nënkupton kjo. Kjo skërmitje, kërcëllitje dhëmbësh, fërkim duarsh, mezipritje, dallohet ende shumë qartë, dallohet fort mu prapa shpinës së Edi Ramës liderit të opozitës, sado përpjekje të lavdërueshme ka bërë ai për t’u qetësuar, normalizuar, për t’u bërë konstruktiv nga ‘kursi i ri politik’ vjeshta e vitit 2011, pas humbjes së Bashkisë së Tiranës.

Kjo radhë të uriturish ende sundon skenën e ekipit Rama. Me përjashtim të ndonjë prurjeje të re të tipit Alfred Peza, plateja e ekipit probabël Rama është një tretësirë acide, e paholluar me elementë, prurje, profile, përfaqësime që vijnë nga segmente, grupe, apo interesa të shoqërisë së gjerë shqiptare. Mbizotërojnë dukshëm të ngjashmit e qëndrestarëve të PD në 2005, vetëm se në kampin e majtë ata ndoshta mund të meritojnë emrin ‘të uriturit për pushtet’ thelbi mbetet i njëjtë.

E treta dhe i fundit defekt paraprak, por jo më pak i rëndësishmi i ‘Rilindjes’ së Ramës është pikërisht çështja e kompetencës. Opozita e sotme ka një problem me kompetencën, me ekspertizën me know how-n e gjendjes së shoqërisë shqiptare sot, dhe zgjidhjeve për nesër. Ky ndoshta mbetet defekti më i madh dhe fare i pazgjidhur i rilindjes së Ramës. Ndërsa si vullnet individual politik, Edi Rama ka demonstruar më shumë se njëherë, ngulmim, forcë, vullnet, për të bërë dhe ndryshuar gjëra deri në kufijtë e sublimimit politik, nga pikëpamja e kompetencës për çështjet, ai teknikisht është larg qasjes që i duhet për të zgjidhur problemet e rëndësishme e të mprehta të shoqërisë shqiptare, nëse eventualisht do të ishte kryeministër i Shqipërisë. Dhe nuk ka faj. Është piktor. Si i tillë, te Rama mund të mbërrijë një ide e mirë ose e keqe, e drejtë ose e gabuar, e përshtatshme ose e papërshtatshme, e pëlqyeshme ose e papëlqyeshme; Rama nga profesioni i tij si artist, garanton thjesht që kjo të jetë një ide e këndshme e me shije, por jo të ndajë kategoritë e tjera. Teknokracia e lartë që ai ka rreth vetes për çështjet është disa herë më poshtë se niveli normal i ekspertizës që ka shoqëria shqiptare për çështjet përkatëse. Sigurisht, kjo jo në të gjitha fushat, por në disa prej tyre. Ndaj këto tri defekte mund të ishin problemi i tij në këto zgjedhje në pjesën e mbetur të fushatës dhe nga menaxhimi i tyre mund të kishim rol përcaktues në rezultat.

 

 

MAPO

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.