Trafiku i fëmijëve, përgjimi i studentit të mjekësisë: Do marr 45-mijë euro

Postuar në 02 Prill, 2013 15:49

 

TIRANE- Një komunikim në gjuhën gorane mes studentit të Fakultetit të Mjekësisë së Universitetit të Prishtinës, Begzim Isa dhe të afërmve të tij është deri më tani çelësi i suksesit i hetuesve të Drejtorisë së Policisë së Kukësit, në identifikimin e këtij personi si të përfshirë në një linjë të mundshme të trafikut të fëmijëve. Ky dyshim i hetuesve është konfirmuar edhe nga rrëfimi i një prej vëllezërve më të mitur të të dëmtuarit 10-vjeçar që ka parë disa kohë më parë Isën të rrëmbejë në krahë të miturin A. S, dhe me të është nisur në drejtim të kufirit të Kosovës, pasi nga fshati Orgjocë ku ata banojnë, kufiri nuk është veçse pak kilometra. Lajmi bëhet i ditur për “Mapon” nga burime të Drejtorisë së Policisë së Kukësit, si dhe të Komisariatit të Policisë së këtij qytetit. Sipas tyre, hetimet e kryera në momentet e para ishin orientuar drejt faktit se rasti i kërcënimit me armë të të miturit A.S, mund të ishte një rrëmbim i kryer për qëllime pedofilie nga studenti i Mjekësisë.

Një dyshim i tillë ishte ngritur nisur edhe nga rasti i Ardian Prrenjasit, i arrestuar tri javë më parë në kryeqytet. Madje, nisur nga hetimet dhe teknikat speciale të përdorura nga oficerët e krimeve të Komisariatit dhe Drejtorisë së Policisë së Kukësit, hetuesit thanë se nëpërmjet teknikave dhe metodave speciale është zbuluar se edhe shuma prej 45 mijë eurosh ishte sasia e parave që Begzim Isa do të përfitonte nga shitja e të miturit A. S. Hetuesit ende nuk janë të qartë për motivacionin për të cilin është rrëmbyer i mituri nga fshati Zapod. Burimet e Drejtorisë së Policisë së Kukësit thanë dje për “Mapon” se një nga pistat e mundshme është ajo që fëmija mund të përdorej për qëllime lypësie në Kosovë, ndërsa nuk përjashtojnë mundësinë e një trafiku për qëllime të transplantit të organeve. Sipas tyre, tashmë teknikat speciale të hetimit të përdorura në rastin e Begzim Isës kanë marrë formë ligjore dhe janë tërësisht të përdorshme si prova në gjykatë.

Ndërkaq, të afërm studentit të Mjekësisë kanë pretenduar se njeriu i tyre nuk ishte përfshirë në rrëmbimin apo tentativën për të trafikuar të miturin A. S, pasi ai nuk është gjetur në banesën e familjes Isa, por në banesën e familjes së vetë të miturit. Pavarësisht këtij pretendimi, hetuesit e policisë thonë se ka prova të rëndësishme dhe dëshmi që e lidhin këtë person me një mundësi të trafikimit të fëmijëve drejt Kosovës. Një ndër këto dëshmi është edhe rrëfimi i vëllait të të miturit që e ka parë autorin e dyshuar të rrëmbimit të të miturit A. S. Begzim Isa, 20 vjeç student i Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, u arrestua mbrëmjen e së shtunës nga seksioni i hetimit dhe i parandalimit të krimit në Komisariatin e Kukësit. Mesnatën e së premtes rreth orës 23:50, efektivët e sallës operative të policisë së Kukësit morën një telefonatë nga babai i të miturit A. S, se një person i kishte kërcënuar djalin e tij të mitur me armë. Menjëherë oficerë të Komisariatit të Kukësit si dhe një patrullë policie mbërritën në adresën e lajmëruar në telefon, ku dhe kontaktuan me prindërit e fëmijës.

Këta të fundit i pohuan policisë se Begzim Isa kishte kërcënuar djalin e tyre. Nga deklarimi i marrë është mësuar se Isa iu kishte rrëmbyer fëmijën dhe me të ishte nisur në drejtim të varrezave të fshatit Orgjocë. Por sipas hetuesve, në rrethana ende të panjohura personi e ka lënë fëmijën që më parë e kishte kërcënuar. Ndërkaq hetuesit e policisë së Kukësit thonë se sipas të afërmve, ky person e kishte rrëmbyer edhe një herë më parë fëmijën dhe me të në krahë ishte nisur në drejtim të kufirit të Kosovës, në një luginë ku kufiri është shumë afër. Mirëpo vëllai i të miturit e kishte parë atë dhe ka nisur të qajë. Nisur nga kjo rrethanë Isa e ka lënë fëmijën, por edhe në këtë rast ai ka kërcënuar fëmijën me armë. Nisur nga rrëfimi i të vëllait të dëmtuarit si dhe nga provat e siguruara, hetimi kaloi në zyrën e Trafiqeve.

 

Nuk ka prova ende për Bleonën

Pavarësisht se hetuesit e Drejtorisë së Policisë së Kukësit kanë zbuluar një provë të rëndësishme në lidhje me të arrestuarin për trafik të të miturve, policia e këtij qyteti ende nuk ka të dhëna për persona të tjerë të mundshëm, pjesëtarë të rrjetit ku bënte pjesë Begzim Isa. Sipas tyre, është ende herët për të folur për këtë rast, ndërsa pritet të kryhen verifikime të mëtejshme. Ndërkaq hetuesit thonë se sa i përket zhdukjes së Bleona Matës, edhe pse ka shumë dyshime, ende nuk mund të thuhet nëse rasti i vajzës së zhdukur tri vite më parë mund të jetë kryer po nga e njëjta dorë. Hetuesit thonë se tashmë pritet të bëhen verifikime të tjera, si dhe të kryhet letërporosi në Kosovë për të sqaruar edhe më mirë lidhjet dhe marrëdhëniet që ka pasur Begzim Isa në Prishtinë etj.

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.