Totozani apel politikës: Nuk është përmbushur kuota 30 % e pjesëmarrjes së grave

Para mbylljes së listave të kandidatëve në zgjedhje Avokati i Popullit, Igli Totozani i bën apel politikës të përmbushë kuotën 30 % të pjesëmarrjes së grave në listat e kandidatëve për deputetë. “Në vitin 2003 Këshilli i Europës hartoi një rekomandim, sipas të cilit asnjë nga gjinitë nuk mund të përfaqësohet në një instancë vendimmarrëse me më pak se 40%. Ky rekomandim bazohet në konceptin e pjesëmarrjes së ekuilibruar gjinore me theks të veçantë e të posaçëm në pjesëmarrjen e grave në Parlament dhe Qeverisje. 10 vjet pas këtij rekomandimi Shqipëria ka ende shumë për të bërë. Avokati i Popullit i drejtohet klasës politike në këtë moment të mbylljes së listave të kandidatëve për deputetët e Kuvendit të ri pas zgjedhjeve të 23 qershorit: Jo vetëm nuk është rruga e duhur, por është zhgënjyese për të gjithë ata që presin ndryshime reale në këtë vend të konstatosh që, megjithëse ligji përcakton kuotën 30 përqind të pjesëmarrjes së grave në listat e kandidatëve për deputetë, partitë kanë zgjedhur të paguajnë penalitetet e shkeljes së tij”, deklaron Totozani. Sipas avokatit duke i hapur rrugë pjesëmarrjes së ekuilibruar të grave në parlament, partitë do të jepnin një mesazh të qartë të vullnetit për ndryshime reale në skemën e vendimmarrjes politike të vendit.” Ky është një element themelor i drejtave të njeriut; është një element i drejtësisë sociale në vend, por më shumë se kaq, është një çështje e demokracisë reale. Kjo e fundit nuk mund të ekzistojë në një vend ku gjysma e popullsisë nuk është e përfaqësuar politikisht”, tha ai.
MAPO
Add new comment