Toptani në kërkim të SHQUP-it

Pavarësisht se godina e SHQUP-it është e ligjëruar si godina e re Partisë Demokratike dhe në oborrin e saj tashme valëvitet krahas flamurit të NATO-s dhe BE-së edhe ai i kësaj force politike, Eduard Toptani, njëri prej dy pronarëve të truallit ku është ngritur kjo godinë, vazhdon të kërkojë pronën e tij.
"Unë erdha në Shqipëri për t'i thënë Qeverisë shqiptare se kjo ndërtesë është e njohur si pronë e trashëguar e familjes time. Kam patur mundësinë të flas me shumë njerëz nga Qeveria dhe më është thënë se ata e njohin këtë ndërtesë si pronën time, por nuk kanë ndërmend të bëjnë asnjë veprim për të na e kthyer. Jam tepër i zhgënjyer, pasi nga të dy krahët e politikës shqiptare privatisht më kanë inkurajuar të vijoj përpjekjet e mia në rikthimin e kësaj prone. Por nga ana tjetër po ashtu më është thënë se ata nuk e kanë vullnetin politik për t'u deklaruar publikisht se kjo pronë duhet të kthehet. Jam duke përjetuar po të njëjtën eksperiencë që shumë pronarë ndeshen këto 20 vitet e fundit. Ajo që po ndodh këtu me vendim e Qeverisë është vijimi politikave konfiskuese të ndërmarra nga Enver Hoxha shumë vite më parë. Sot jemi në 2013 jo në 1947-ën", thotë Toptani.
Zoti Toptani i cili erdhi me urgjencë nga New Yorku një javë më parë për këtë çështje deklaron në këtë intervistë për Top Channel se do t'i drejtohet gjykatës.
"Jam duke eksploruar të gjitha mundësitë përfshi ato ligjore këtu në Shqipëri po ashtu në këtë çështje kam përfshirë këshilltarët e mi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të hapur një dialog me autoritet amerikane për të parë të gjitha mundësitë e ndërtimit të një presioni ndaj kësaj qeverie për ta e rikthyer këtë pronë", shton Toptani.
Por a ekzistojnë mundësitë e përfshirjes së autoriteve amerikane në këtë çështje?
"Po, ekzistojnë këto mundësi. Do të ishte e parakohshme për të folur rreth tyre. Siç e dini ambasadori Arvizu dha komentin e tij për këtë çështje. Unë po vijoj dialogun me autoritet amerikane por nuk dua të jap detaje rreth këtyre bisedave, pasi janë konfidenciale dhe ky komunikim do të vazhdojë", tha Toptani.
Disa ditë më parë ambasadori Arvizu i pyetur këtë çështje deklaroi se 'sa herë që është një shtetas amerikan dhe në këtë rast është një i tillë, kthehet në shqetësim për ne. Jemi duke e ndjekur këtë çështje'- shtoi kryediplomati amerikan.
Top Channel
Add new comment