Topi: Vendit i duhet administrim politik demokratik. Të hetohen selitë diplomatike

Postuar në 27 Prill, 2013 08:37

Fryma e Re Demokratike mblodhi paraditen e sotme Asamblenë, ku u diskutua për punën e strukturave të partisë. Kreu i kësaj force politike Bamir Topi komentoi edhe vendimin e FRD-së për të mos u bërë palë e asnjë koalicioni parazgjedhor. “Sot më shumë se kurrë Shqipëria ka nevojë për administrim politik demokratik. Të gjithë flasim për politikën, por ajo çka ne shohim, kjo politikë e stërmundimshme e tranzicionit të gjatë ka humbur besueshmërinë.

Ngjarjet e ditëve të fundit që kushtëzuan daljen e forcës tonë politike të vetëm në zgjedhjet e 23 qershorit, kushtëzohet nga mënyra e sjelljes së partive të tjera. Historia e ndërtimit të koalicioneve në Shqipëri, sa më shumë i afroheshim ditës së fundit të aksesit ligjor për të ndërtuar koalicionet, partitë politike qofshin të ashtuquajtura të mëdha, qoftë të tjera arritën me një ritëm frenetik të ndërtonin koalicione që në këndvështrimin tonë nuk janë gjë tjetër vetëm koalicione të pazareve politike”, theksoi Topi.

Duke mos dashur të komentojë “incidentin në Vjenë”, mes diplomatit Egin Ceka dhe kreut të PS-së Edi Rama, kreu i FRD-së sulmoi selitë diplomatike shqiptare në Evropë që sipas tij nuk e kanë pritur kur ai mbante postin e Presidentit. “Nuk dua të futem në incidentet për kohëve të fundit, por nëse ka nevojë për hetim parlamentar është politika nepotike e pushtetit për të pushtuar selitë diplomatike, ku më shumë se çdo njeri tjetër kam eksperienca personale që të ashtuquajturit ambasadorë refuzonin të prisnin kryetarë shtetesh. Nëpër zyrat e tyre nuk kishin fotografi të krerëve të shteti. Shqipëria nuk është domen i një njeriu. Ky është dhe roli i Parlamentit të ushtroj kontrolle”, theksoi Topi.

Topi lëshoi akuza të forta edhe nga Kuvendit të Shqipërisë, i cili sipas tij ngre Komisione Hetimore Parlamentare të instrumentalizuara. Topi theksoi se parlamenti është institucioni më i diskretituar, pasi drejtohet nga njerëz që nuk kanë lidhje me elegancën dhe demokracinë.

“Parlamenti shqiptar institucioni më i diskretituar. Kam keqardhje që e pohoj këtë. Njerëz që e drejtojnë parlamentin nuk kanë lidhje me elegancën dhe demokracinë. Letë bërtasin me gishtat lartë që janë demokratë, por nuk është. Ai që është demokrat duhet të jetë 100 herë i përgjegjshme dhe të jetë etik në komunikim që parlamenti shqiptar të mos tregohet me gisht. Parlamenti duhet të jetë një ambient debati polik që të kesh ta dëgjosh. Mos të kontrollohet nga ekzekutivi. Ka komisione hetimore që nuk përkojnë me atribute fisnike të parlamentit, sepse janë kthyer në instrumente të një grupi individësh”, theksoi Topi. Ish-presidenti theksoi se komenti i bërë nga ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu ka qenë jashtëzakonisht korrekt.

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.