Topi: Të hapur për koalicion me çdo forcë që kërkon ndarjen nga sistemi korruptiv

Kryetari i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi, deklaroi se partia e tij është e hapur me çdo forcë politike që kërkon rotacionin demokratik të elitave politike.
“Së pari, ne vlerësojmë se zhvillimet e fundit politike i dhanë të drejtë konstatimit të Frymës së Re Demokratike se partitë e vjetra të tranzicionit janë të gatshme të bëjnë çdo veprim të mundshëm, në bashkëpunim dhe me vetëdije, për të mbajtur peng sistemin e korruptuar zgjedhor, ekonomik dhe politik.
Së dyti, vendi ka qeveri, por nuk ka qeverisje. Si në asnjë vend tjetër serioz demokratik qeveria i mbijetoi votimit parlamentar me tre vota nga opozita, dhe se një valë shkarkimesh të qeverisjes po shkatërrojnë tërësisht integritetin e ekzekutivit dhe administrimit publik. Vota e 23 qershorit do të shënojë ndarjen zyrtare me modelin korruptiv të kryeministrit aktual, i cili për karrigen e tij sakrifikoi të djathtën shqiptare, tradhtoi ish – të përndjekurit politikë, bashkë qeverisi me kryeministra dhe ministra historikë të së majtës dhe uli në maksimum nivelin e raporteve dhe besimit midis Shqipërisë, Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Së treti, asnjë marrëveshje numrash dhe personash, asnjë pazar për blerje votash parlamentare apo përcaktimin paraprak të vullnetit popullor elektoral nuk do të ketë sukses. Më 23 qershor asnjëra palë politike, nuk do të arrijë të qeverisë e vetme dhe kështu, i takon Frymës së Re Demokratike dhe aleatëve të saj misioni historik të përcaktojnë modelin qeverisës të së ardhshmes,” tha Topi.
“Fryma e Re Demokratike është një realitet i ri, përcaktues, bashkim qytetarësh dhe intelektualësh të rinj, përfaqësues të denjë të shoqërisë shqiptare, refuzuese e politikës së vjetër dhe çdo forme imitimi e ringjalljeje të saj në jetën politike. Ne jemi dhe mbetemi shtëpia e demokratëve të vërtetë shqiptarë, atyre që duan të jetojnë në këtë vend më gjatë sesa një fushatë zgjedhore, atyre që aspirojnë më shumë liri, shtet të së drejtës, treg konkurrues dhe rezultate integruese.
Fryma e Re Demokratike publikisht deklaron se mbetet e hapur për bashkëpunim, marrëveshje dhe koalicion para e pas zgjedhor me çdo forcë politike, organizatë, shoqatë dhe grupim civil, që ndan me ne të njëjtat qëndrime mbi nevojën e rotacionit demokratik të elitave politike, nevojën e ndarjes përfundimtare nga sistemi korruptiv i tranzicionit dhe nevojën për një politikë të re për qytetarët dhe shtetin,” vijoi kreu i FRD.
Topi tha se mundësia për një pol të tretë është e hapur.
Duke folur për mundësinë e bashkëpunimit ne AK dhe PBDNJ, Topi tha: “Ne nuk bëjmë përcaktime nominale, jemi të hapur të bisedojmë për aq kohë sa ka mbetur. Në rast se partitë e tjera nuk i shohin interesat e tyre të njëjta me ato te FRD-së, ne jemi të vendosur të dalim të vetëm në zgjedhje. Nuk mund t’i japim oksigjen një kryeministri dhe një qeverie që ka braktisur interesat e të djathtës. Pasqyrë e degjenerimit të politikës ishte dje miratimi i ministrave të rinj”./ep
TEMA
Add new comment