Topi: Opsioni me LSI-në, koalicioni mbetet i hapur

TIRANË Kryetari i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi ishte më i qartë
se asnjëherë tjetër mbrëmë në emisionin “Top Story” në raport me LSI-në. Topi tha mbrëmë se partia që ai drejton nuk do të bëjë koalicion vetëm me dy partitë e mëdha. “…Natyrisht që jam takuar me z.Meta. Jemi qytetarë të lirë. Dje jemi takuar në një ambient miqsh dhe nuk jemi futur në terma konkretë. Nuk kishte lindur kjo nevojë. Unë kam përjashtuar koalicionin me dy partitë e vjetra. Opsionet e tjera janë të hapura. Do të vendosin forumet e partisë nëse do të hyjmë të vetëm në zgjedhje apo si koalicion. Me një probabilitet të lartë, ne kemi ende mendimin se ndoshta me shumë mundësi mund të futemi të vetëm në zgjedhje“, – tha Topi. Lidhur me mundësinë e një koalicioni me PD-në pas zgjedhjeve, Topi u përgjigj: “Gjëja e fundit që unë i rendis biografisë politike është zëri i Sali Berishës. Me këtë personazh të politikës, unë personalisht kam mbyllur çdolloj opsioni të bashkëpunimit në politikë. Natyrisht nuk kam qenë unë shkaktari, është dhe vazhdon të jetë ai. Ju keni parë çfarë komunikimi të rëndomtë përdor, sa qesharak është… Ky është një shans matematikisht zero i bashkëpunimit me Berishën. Për ne është amortizuar”, – tha ai. Topi përsëriti shqetësimin e shprehur pak kohë më parë se partia e tij përgjohet në çdo aktivitet të saj. “…Ne kemi të dhëna të plota, edhe për shkak të pozicionit që kam pasur kam informacion edhe më shumë, por në të gjitha aktivitetet e FRD-së, edhe një rast në Durrës, fotografët e linjës së inteligjencës dhe ekzekutivit kanë fotografuar njerëz të cilët janë marrë në analizë dhe më pas u ka shkuar mandati për t’u larguar nga puna”, shtoi ai.
MAPO
Add new comment