Topi: Koalicion pas zgjedhjeve, por sipas kushteve tona

Kreu i Frymës së Re Demokratike nuk e mohon mundësinë e koalicioneve paszgjedhore, por me kushte të vendosura prej tyre. Kështu ka deklaruar Bamir Topi gjatë prezantimit të kandidatit për deputet të kësaj partie në komunën e Xhafzotajt, në Qarkun e Durrësit. Ai në fjalën e tij ka theksuar se prioritet mbetet aleanca e vetme me qytetarin, edhe siç tregon ai FRD ka patur shumë oferta për bashkëpunim, madje i janë ofruar edhe karrige në parlament, por Fryma e Re nuk ka pranuar.
“Ne nuk e mohojmë mundësinë për koalicione, por ato do të zhvillohen sipas kushteve tona, pasi do të arrijmë numrat e nevojshëm për ta bërë një gjë të tillë".
Kryetari i FRD-së, Bamir Topi, i bëri thirrje qytetarëve të ndëshkojnë me votë këtë qeveri.
Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i FRD-së, Gazmend Oketa, që është edhe prijësi i listës së kandidatëve për deputet në qarkun e Durrësit, u shpreh se çështja e koalicioneve ka qenë e paravendosur në FRD, pasi qysh një vit më parë, kjo forcë politike pati deklaruar se aleanca e saj e vetme do të ishte ajo me qytetarët.
SHEKULLI
Add new comment