Topi: FRD, e përgatitur të dalë e vetme në zgjedhje

Postuar në 22 Prill, 2013 08:47

 

TIRANË Kur kanë mbetur edhe dy ditë nga përfundimi i afatit zyrtar të regjistrimit të koalicioneve në KQZ, kryetari i FRD-së, Bamir Topi ka lënë dje të kuptohet se ajo do të dalë e vetme në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Gjatë një takimi të zhvilluar në Korçë, Topi u shpreh se FRD-ja nuk do të lidhë koalicion me partitë e vjetra, që do të thotë, PD e PS. Topi deklaroi gjithashtu se FRD-ja është e përgatitur që të dalë edhe e vetme në zgjedhjet e 23 qershorit, si një parti me struktura të konsoliduara në çdo njësi administrative. “FRD-ja po futet në zgjedhjet politike për të përfaqësuar denjësisht qytetarët dhe për t’i ndryshuar fytyrën Parlamentit, i cili është shndërruar në arenë përleshjesh e fyerjesh dhe ka dalë nga funksioni përfaqësues i popullit. FRD do të sjellë në politikën shqiptare frymën e moralit njerëzor dhe qytetar”,- tha Topi gjatë takimit. Ndërsa nënkryetari i FRD-së, Aleksandër Biberaj u tha të pranishmëve se FRD-ja ka si mision të reformojë të djathtën shqiptare dhe republikën parlamentare. Edhe koordinatori i FRD-së për qarkun Korçë, Alfred Çako, u tha të pranishmëve se kjo forcë politike në qarkun e Korçës është e konsoliduar për fitore. Ai shtoi se vullneti i popullit këtë herë është në favor të Frymës së Re Demokratike.

 

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.